Komisioni Hetimor Parlamentar për ndërhyrjen në serverin e tatimeve, ka rrëzuar kërkesën e kryetarit të komisionit Arben Ristani, për të sekuestruar dokumentet e Ministrisë së Financave. Ndërsa deputeti socialist Blendi Klosi kritikoi prokurorinë se po reagon ngadalë. 
 
Komisioni hetimor për serverin e tatimeve ka zhvilluar mbledhjen e radhës, duke shqyrtuar informacionin e dhënë nga ministria e financave. Por sipas kreut të këtij komisioni Arben Ristani, informacioni nuk është I plotë, ndërsa drejtoria e tatimeve nuk ka informacionin që u kërkua nga ky komision. Ristani propozoi që komisioni të sekuestrojë dokumentet, por kjo kërksë u rrëzuar me votat e mazhorancës.
 
“Nëpërmjet një vendimi të ndërmjetëm, ne mund të vendosim t'i marrim këto dokumentacione duke qënë se zbatojmë kodin e procedurave penale unë propozojë që një nga format për ta marrë informacionin kur ai nuk vjen më dëshirë është që të vendosim sekuestro mbi dokumentacionin e kërkuar dhe të shkojmë tua sekuestrojmë këtë dokumentacion.” –tha Arben Ristani kryetar i komisionit për Serverin e tatimeve
 
Por në qëndrimin e tij nënkryetari I komisionit Blendi Klosi, kritikoi prokurorinë se është shumë e ngadaltë në qëndrimin e saj për këtë cështje.
 
“Prokuroria e Përgjithshme megjithëse ka mbi një vit e ca që ka filluar çështja, nuk ka asnjë ecje përpara në procesin e hetimit por një ngadalësi të pakuptimtë, prandaj i nderuar zoti kryetar unë them që ju mund të bëni ato momentet që ju mendoni se duke vajtur të sekuestro material, do gjeni material më shumë sesa dimë. Unë thëm se ka ardhur momenti që ne më tepër se kaq të shkojmë tek personat konkret.”- tha Klosi.
 
Komisioni do të mblidhet përsëri ditën e nesërme për të vendosur në lidhje me personat që do të merren në pyetje për ndërhyrjen në serverin e tatimeve.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)