Deputetja dhe zëvendës-Presidentja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, është shprehur se zjarri në tregun e ish-Uzinës Dinamo në Tiranë nuk është thjeshtë një ngjarje aksidentale.
Komentet Xhixho i bëri përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shkruar se zjarri është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të papërgjegjshme të braktisjes totale të tregtarëve dhe shkatërrimit të jetesës.
Kjo sipas Xhixhos bëhet qëllimisht nga qeveria, në emër të betonit dhe favorizimit të interesave klienteliste.
Xhixho shtoi se ‘neglizhenca dhe mosndërhyrja në kohë, me të gjitha mjetet, është tregues i indiferencës që e karakterizon këtë qeveri në raport me problemet madhore të qytetarëve’.
Teksa kërkoi që të bëhet transparencë e plotë për shkaqet e zjarrit, Xhixho kërkoi nga Qeveria dhe Bashkia e Tiranës që të dëmshpërblehen sa më parë qytetarët.
"Zjarri në tregun “5 Maji” nuk është thjesht një ngjarje aksidentale. Është pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të papërgjegjshme, të braktisjes totale të tregtarëve dhe të shkatërrimit sistematik të jetesës së qytetarëve në emër të betonit dhe interesave klienteliste. Neglizhenca dhe mosndërhyrja në kohë, me të gjitha mjetet, është tregues i indiferencës që e karakterizon këtë qeveri në raport me problemet madhore të qytetarëve.
Sot, përveçse u dogjën stendat dhe malli, u dogj edhe mundi i familjeve që jetojnë nga puna e ndershme. Qeveria dhe Bashkia e Tiranës kanë përgjegjësi të plotë politike dhe morale. Heshtja dhe justifikimet nuk mjaftojnë. Duhet transparencë e plotë për shkaqet e zjarrit, dëmshpërblim i menjëhershëm për tregtarët dhe fundi i politikës së zhdukjes së tregjeve dhe biznesit të vogël për t’i hapur rrugë oligarkëve", shkruan Xhixho.
Lajmi kryesor:
PAMJET ME DRON/ Zjarri përpiu 100 magazina, tregu i ish-Uzinës Dinamo kthehet në gërmadhë hiri! Tregtarët në lot: Ambientet të pasiguruara









