Sesioni i ri i Kuvendit/ 37 nismat që presin votën e deputetëve nga fati i Metës tek pronat

Kuvendi i Shqipërisë do të nisë ditën e hënë sesionin e ri parlamentar. Seanca e parë plenare do të zhvillohet në orën 18:00. Përballë shumicës në pushtet do të jetë opozita e re, pasi Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim braktisën Kuvendin dhe dogjën mandatet e përfaqësimit, duke u shndërruar në subjekte joparlamentare. Shqiptarja.com publikon 37 projektligjet, projektvendimet dhe nismat që presin votën e ligjvënësve për t’u miratuar gjatë këtij sesioni parlamentar. Nuk ka dyshim se kryefjala e këtij sesioni do të jetë fati i Presidentit të Republikës, Ilir Meta. Në 17 maji të këtij viti, një grup prej 55 deputetësh i kërkuan Kuvendit shkarkimin e Presidentit Ilir Meta, me arsyetimin se ka shkelë Kushtetutën dhe se ka cenuar periodicitetin e zgjedhjeve, me dekretin për shtyrjen e zgjedhjeve të 30 qershorit, dekret i cili gjithsesi nuk u njoh nga ndërkombëtarët dhe institucionet shqiptare.

Komisioni i Ligjeve shqyrtoi kërkesën dhe i propozoi Parlamentit ngritjen e një komisioni hetimor për shkarkimin e Metës. Komisioni hetimor, i miratuar nga Kuvendi, iu drejtua Komisionit të Venecias me tetë pyetje për ligjshmërinë e dekretit të Metës për anulimin e 30 qershorit. Përgjigja e Venecias do të jetë vendimtare për shkarkimin ose jo të Metës nga Parlamenti. Nëse parlamenti do ta shkarkojë Metën gjatë këtij sesioni, fjalën e fundit do ta thotë Gjykata Kushtetuese. Ndërkaq, gjatë këtij sesioni parlamentar pritet të shqyrtohet edhe kandidatura e Petraq Milos, i propozuar nga Presidenti Meta, për kryetar të KLSH. Sipas gjasave, Milo, më parë pjesë e forumeve të larta të PD, do të rrëzohet nga shumica socialiste. Në axhendën e Kuvendit do të jenë edhe 11 dekrete të Presidentit Ilir Meta, për kthimin ligjeve të rëndësishme në Kuvend, me pretendimin se janë në kundërshtim me Kushtetutën.

Bëhet fjalë për kthimin e ligjeve për ndryshimin e Kodit Penal, Akademinë e Shkencave, për kadastrën, koncesionet, projekteve rrugore etj. Përfaqësues të shumicës kanë paralajmëruar rrëzimin e këtyre dekreteve që në fillim të sesionit parlamentar. Madje janë shkurtuar edhe procedurat dhe koha për shqyrtimin e dekreteve të kreut të shtetit për kthimin e ligjeve. Përpos fatit të Ilir Metës dhe dekreteve të tij, reforma zgjedhore do të jetë një tjetër çështje e rëndësishme në axhendën e sesionit të ri Parlamentar. Shumica shty propozimet përfundimtare për ndryshime në Kodin Zgjedhor për në shtator, në pritje të konsensusit të përfaqësuesve të PD-LSI.

Pronat
Në axhendën e Kuvendit për këtë sesion parlamentar është edhe projektligji për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Shqipëri. Qëllimi i këtij projektligji është krijimi i bazës ligjore të thjeshtuar dhe të harmonizuar për përfundimin e proceseve administrative të trajtimit të pronës së paluajtshme të shtetit dhe të pronës private.

Më konkretisht, nisma përcakton të gjitha rregullat për ligjësimin e titujve të pronësisë së dhënë, sipas akteve ligjore dhe nënligjore për tokën bujqësore; për ligjësimin dhe regjistrimin në regjistrin publik të pasurive të paluajtshme për ndërtimet pa leje, objektet dhe trojet funksionale, kur mungojnë aktet e fitimit të pronësisë, si dhe për oborret në përdorim; për rregullimin e marrëdhënieve të pronësisë në territoret e cilësuara si “zona të stimuluara me përparësi zhvillimin e turizmit”; për inventarizimin e përditësimin e pronave të paluajtshme të qeverisjes qendrore dhe vendore, si dhe transferimin e tyre; për kalimin e së drejtës së pronësisë mbi trojet e paprivatizuara të ndërtesave të

privatizuara, të ndërtesave të shitura nga ndërmarrjet shtetërore dhe të ngritura në bazë të lejeve të ndërtimit, pas datës 10.8.1991, si dhe trojet e objekteve apo ndërtesave, ish-pronë e ish-kooperativave bujqësore; për trajtimin ligjor të problemeve të krijuara si pasojë e gabimeve materiale, të parregullsive në zbatimin ligjit si dhe për harmonizimin e proceseve kalimtare me procesin e trajtimit të pronës, me ligjin nr. 133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Projektligjet dhe nismat që pritet të miratohen gjatë sesionit të ri parlamentar

  1. Kërkesa për shkarkimin e Presidentit të Republikës, Ilir Meta
  2. Kandidatura e Petraq Milos, propozuar nga Presidenti Ilir Meta për kryetar i Kontrollit të Lartë Të Shtetit
  3. Propozim për shkarkimin e z. Arben Malaj si anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
  4. Dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit nr. 111/2018 për kadastrën.
  5. Dekret i Presidentit për kthimin e ligjit nr. 110/2018 për noterinë.
  6. Dekret i Presidentit për kthimin e ligjit për Akademinë e Shkencave.
  7. Dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës “Porti i jahteve – By-Pass Orikum – Dukat (ura e Shën Elizës)”.
  8. Dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren”.
  9. Dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit për ndryshimet në Kodin Penal.
  10. Dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit për koncesionet dhe partneritetin publik privat.
  11. Dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit.
  12. Dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit për rezervat materiale të shtetit.
  13. Dekreti i Presidentit për kthimin e ligjit për vetëqeverisjen vendore.
  14. Dekreti i Presidentit për kthimin për privatizimin dhe dhënien në përdorim shoqërive tregtare dhe institucioneve shtetërore të ndërmarrjeve apo objekteve të veçanta. 
  15. Projektligj për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Shqipëri. 
  16. Projektligj për organizimin dhe funksionimin e shërbimit të provës.
  17. Projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8331, datë 21.4.1998, për ekzekutimin e vendimeve penale.
  18. Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.019, datë 29.12.2008 Kodi Zgjedhor i Republikës Së Shqipërisë.
  19. Projektligj për gjuetinë.
  20. Projektligj për krijimin e institutit të studimeve për kujtesën e luftës së dytë botërore.
  21. Projektligj për një shtesë në ligjin nr. 7874, datë 17.11.1994, për statusin e veteranit të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare të Popullit Shqiptar.
  22. Projektligji për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10.242, datë 25.2.2010 për institutin e studimeve për krimet dhe pasojat e komunizmit në Shqipëri.
  23. Projektligj për korporatën e investimeve shqiptare.
  24. Projektligj për rininë.
  25. Projektligj për pajisjet mjekësore
  26. Marrëveshje ndërmjet Shqipërisë, Kosovës dhe Komisionit Evropian, për programin e veprimit të bashkëpunimit ndërkufitar.
  27. Projektligj për procedurat e birësimit dhe komitetin shqiptar të birësimit.
  28. Marrëveshja mes Shqipërisë dhe qeverisë së shtetit të Katarit për transportin detar.
  29. Projektligj për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9918, datë 19.5.2008 për komunikimet elektronike.
  30. Projektligj për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013, për mediat audiovizive.
  31. Projektligj për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport.
  32. Projektligj për aderimin e Shqipërisë në konventën për përpunimin e farmakopesë evropiane, Strasburg.
  33. Marrëveshja për mbrojtjen shoqërore, ndërmjet Shqipërisë dhe Kanadasë.
  34. Projektligj për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9942, datë 26.6.2008, për parandalimin e çrregullimeve të shkaktuara nga pamjaftueshmëria e jodit në organizmin e njeriut.
  35. Projektligj për një shtesë në ligjin nr. 92/2014, për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë.
  36. Projektligj për censin e popullsisë dhe të banesave.
  37. Projektrezolutë për vlerësimin e punës së Departamentit të Administratës Publike për Gjendjen në Shërbimin Civil për vitin 2018.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    27 Nëntor, 11:43

    Si e vlerësoni vendimin e GJKKO që liroi Berishën nga arresti shtëpiak?



×

Lajmi i fundit

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion

Si zgjidhen problemet me pronat, korrupsioni dhe digjitalizimi i Kadastrës, gjetjet dhe rekomandimet e ekspertëve në Komisionin Antikorrupsion