SEUL, 4 tetor /ATSH-AFP/ - Tre zyrtarë të lartë koreano-veriorë, njëri prej të cilëve konsiderohet si numri dy i regjimit, mbërritën sot në Korenë e Jugut për takime zyrtare, si rrallëherë duke ngjallur shpresën për një përmirësim të marrëdhënieve mes dy vendeve pas disa dekadave tensione.
"Këta zyrtarë ushtarakë dhe të partisë janë zëvendëspresidenti i sapo zgjedhur i Komisionit Kombëtar të Mbrojtjes, Hwang Pyong-So, si dhe Choe Ryong-Hae dhe Kim Yang-Gon", theksoi zëdhënësi i Ministrisë koreano-jugore të Bashkimit, Lim Byeong-Cheol.
Pritur në ceremoninë e mbylljes së Lojërave Aziatike, ata mbërritën në aeroportin Incheon pranë Seulit, sipas imazheve të televizionit koreano-jugor.
Ata do të takohen gjatë një dreke pune me ministrin e Bashkimit, Ryoo Kihl-Jae dhe këshilltarin për sigurinë e presidentes, Park Geun-Hye, takimi i parë i nivelit të lartë mes dy Koreve që prej shumë vitesh.
Kjo vizitë u zhvillua ndërkohë që vazhdojnë zërat në Azi për fatin e drejtuesit koreano-verior Kim Jong-Un, i cili nuk është parë në publik që prej një muaji. Nipi i Kim Il-Sung, themeluesi i regjimit komunist, 31 vjeç, nuk është shfaqur në televizion që prej 3 shtatorit.
Zëdhënësi i Ministrisë së bashkimit theksoi se shpresonte që vizita e tre drejtuesve koreano-veriorë do të ndihmonte në krijimin e kushteve për një zhvillim pozitiv të marrëdhënieve ndërkoreane./
/ec/