Sezoni i ri/ Informim dhe arenë debati! Imazhet e reja në Report TV për një mision: E vërteta me çdo kusht!

Sezoni i ri televiziv në Report Tv nis jo vetëm me emisionet e tij tradicionale por edhe programe të reja për t'i dhënë një dritare më shumë shikuesve të brezave dhe shijeve të ndryshme për tu informuar.

Zgjimi i shqiptarëve do të bëhet përmes emisionit "Shtypi i Ditës dhe Ju". Nën moderimin e gazetarit Andi Kapxhiu, nuk do të mungojnë titujt kryesorë të gazetave, telefonatat me qytetarët për të dëgjuar shqetësimet e tyre. Telefonatat e shumta, janë një shenjë besimi nga qytetarët se zëri i tyre është tejçuar në vendin e duhur.

"Në të shumtën e raste të gjitha problematikat e tyre, mbi të gjitha kur problematika është më e madhe, që prek interesat e shumë qytetarëve, ne e ndjekim në terren nëpërmjet kolegëve këtu në kryeqytet, dhe kolegëve në të gjithë republikën e Shqipërisë", thotë gazetari Andi Kapxhiu.

Nuk do të mungojë bashkëpunimi me RADIO TAXI LUX, ku Eldi çdo mëngjes në kohë reale nga taksia e tij, do të orientojë dhe këshillojë qytetarët e Tiranës si të zgjedhin rrugët pa trafik për të shkuar në kohë në punët e tyre.

Eldi i Radio Taxi Lux

Çdo mëngjes zë fill me "Rreze Dielli". Emisioni kaq i dashur për shqiptarët, çdo ditë, nga e hëna në të premte, në 08:45, premton t'i japë energji pozitive nisjes së ditës dhe mjaft informacione e këshilla të vlefshme.

Një fytyrë e re i bashkohet moderatorit Alban Musa, dhe zonjës Vjollca. Suada Daci, me 12 vite eksperiencë në gazetari, tashmë ndërmerr një hap të rëndësishëm në karrierën e saj, moderimin.

"Kur "Rreze Dielli" është krijuar si program unë kam qenë gazetarja e saj e këtij programi. Rikthimi në moderim është jo vetëm përgjegjësi por edhe një kënaqësi shumë e madhe. Do të jem përkrah Alban Musës, është një mik i imi shumë i mirë. Mendoj që me Albanin kam shumë kimi dhe kjo është e rëndësishme, dhe me zonjën Vjollca,që është zonja më e dashur e familjeve shqiptare", shprehet Suada.

Suada Daci, Alban Musa dhe Zonja Vjollca

Alban Musa, më i vjetri i shtëpisë, na shpjegon se çfarë do të sjellë "Rreze Dielli" në këtë sezon të ri televiziv.

"Nuk do të mungojë rubrika e "Librit" ku ju japim propozimet tona për librat më të mirë në treg. Por nuk do të mungojë as "Mirdita Mësuese", rubrika që e duam aq shumë për të na mësuar të flasim dhe shkruajmë pastër gjuhën shqipe. Nuk do të mungojë mjeku, këshillat për të gjithë ata që i duan lulet, për të gjithë ata që duan të jetojnë shëndetshëm, agronomët do të jenë gjithmonë pjesë e programit, horoskopi...Gjithçka ju duhet për tu informuar dhe për ta nisur mbarë ditën do t'i gjeni në Rreze Dielli", shprehet moderatori Alban Musa.

Nuk do të mungojë as shija e gatimit me recetat e veçanta të zonjës Vjollca por as informacionet për kulinarinë tradicionale shqiptare e moderne dhe njohjen e produkteve të ndryshme bio për një jetesë të shëndetshme.

"Do të vazhdojmë përsëri me gatime tradicionale, por do të bëjmë edhe gatime të huaja dhe dietike. Ne do të gatuajmë të hamë shëndetshëm dhe të jetojmë mirë", thotë Zonja Vjollca.

Ndërkohë, shikuesit e orëve të mbrëmjes do të jenë sërish nën shoqërinë e gazetarit të mirënjohur, Ilir Babaramo, me emisionin "5 pyetjet nga Babaramo". Çdo të hënë intervista me aktorët më të rëndësishëm politikë dhe jo vetëm.

"Repolitix", do të jetë sërish arena e debatit politik, nën moderimin e Denis Mingës. Ngjarjet më të rëndësishme të ditës të shtjelluara me argumente të forta përmes zërave pro dhe kundër. Nuk do të mungojë gazetari investigativ i Report Tv, Artan Hoxha, përmes lajmeve ekskluzive dhe informacioneve që jo shumë kush guxon t'i nxjerrë në dritë.

Emisioni "Repolitix"

Ekranit të Report Tv do t'i bashkohet pas një bashkëpunimi të mëparshëm gazetarja me përvojë të gjatë në fushën e politikës, Anduela Ndreu. "Pa Protokoll" do të jetë emisioni ku axhendën e vetme e vendos opinioni publik.

Anduela premton të sjellë profesionalizëm, një erë të re të debatit politik me personazhe nga çdo hapësirë shqipfolëse. Për këtë, aleatin më të fortë ka përvojën dhe njohjen nga afër të asaj se çfarë ndodh me kastën politike.

Gazetarja Anduela Ndreu, moderatore e emisionit "Pa Protokoll"

"Është angazhimi im për të përcjellë një emision politik të bazuar në profesionalizëm, në argumente të plota të palëve pro dhe kundër, por duke mos pretenduar që askush të më imponojë në axhendën e emisionit tim protokollin personal të dikujt tjetër", thotë Anduela Ndreu.

Të ftuarit? Anduela na zbulon disa detaje, por rezervohet të ruajë surpriza edhe për në shtator, kur emisioni të shfaqet për të gjithë shikuesit.

"Vjeshta zakonisht sjell ulje të temperaturave, por në skenën politike shqiptare duket se do të kemi temperatura të larta. Do të ketë debate dhe zhvillime të forta politike. Politika shqiptare nuk është vetëm politika vetëm brenda kufijve. Është politika rajonale. Ka zhvillime në Kosovë, Maqedoni, në Mal të Zi, zhvillime të cilat kanë interes edhe në realitetin politik shqiptar dhe unë besoj se do të jem pjesë edhe e këtyre zhvillimeve për ti përcjellë për opinionin publikun jo vetëm në Shqipëri por edhe në Kosovë, dhe më gjer ku ndiqet Report Tv.

Sa i përket ambasadorëve e diplomatëve ne e dimë shumë mirë që në politikën shqiptare janë të angazhuar intensivisht ambasadorët për të përcjellë mesazhet e tyre, por përse mos t'i përcjellin edhe në Report Tv?!"

Një emision që sjellë shpresë për shumë shqiptarë që jetojnë prej vitesh me mungesën e njerëzve të tyre të zemrës, me brengën se ndoshta nuk do t'i shohin më kurrë. "Pa Gjurmë" do të jetë edhe në këtë sezon të ri televiziv, programi me misionin e veçantë, atë të gjetjes së shqiptarëve që prej vitesh nuk u dihet fati i tyre. Moderatorja Odeta Dume, na rrëfen edhe risitë që do të sjellë emisioni në këtë sezon.

Moderatorja e "Pa Gjurmë", Odeta Dume

"Do të fokusohemi edhe tek aktualiteti, histori të tilla si vrasje që dy muajt e fundit kanë ndodhur shumë. Vrasjet pa autorë të cilat kanë filluar tashmë këto dosje të punohen në emisionin "Pa Gjurmë", na tregon moderatorja Odeta Dume.

Një sfidë personale dhe një mision që nuk ka ndërmend ta lë përgjysmë, është rasti i Bleona Matës, vajzës së humbur në Kukës për të cilën 'Pa Gjurmë" për herë të parë i dha nënës së saj, imazhin se si mund të duket vajza e saj 10 vjet pas zhdukjes, sot 16 vjeçe. Por puna investiguese e stafit të "Pa Gjurmë", tashmë të zgjeruar edhe me gazetarë mjaft kërkues, nuk do të ndalet me kaq.

Një kënd i shtohet studios së emisionit me qëllim dëshmitë, informacionet dhe lajmet e drejtpërdrejta me telefonata nga shikuesi përgjatë gjithë minutave live pa neglizhuar asnjë detaj që çon në gjurmët e të humburve.

Orët e pasdites do të ofrojnë lojë dhe argëtim, dhe shumë mundësi që nuk duhen humbur për tu bërë fitues i vlerave të mëdha në vetëm një telefonatë në emisionin "Atak Show" me moderatore Majda Bejzade.

Majda Bejzade, moderatore e "Atak Show"

Te gjitha këto por jo vetëm kaq, do ju lënë ju shikuesit dhe ndjekësit tanë para ekranit të të vetmit televizion informativ që shikohet free në 9 qarqe të Shqipërisë.

Edicione informative dhe të ftuar, spikerët e lajmeve në Report Tv

Ilir Mati drejtues i emisionit "Shtegtim"

"Dosja K", emision nga Admirin Peçi

Agim Pipa drejtues i emisionit "Veri-Jug"

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër

Si është gjendja e Metës? Faik Basha: Po drejton aksionin opozitar nga burgu! Së shpejti do lirohet, në 2025 kandidat për kryeministër