Sezoni i vjeshtës, ritestim për
7500 mbetësit e Maturës Shtetërore

Sezoni i vjeshtës, ritestim për<br />7500 mbetësit e Maturës Shtetërore
Gjashtë mijë e pesë qind mbetësit e Maturës shtetërore 2013, dhe mbi 1 mijë maturantë që nuk u futën dot as në sesionin e qershorit do të kenë mundësi të masin sërish njohuritë e tyre, gjatë javës që vjen. Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përcaktuar datat e sezonit të vjeshtës, si shansi i fundit për të gjithë mbetësit që të ritestohen dhe të marrin kështu edhe diplomën e shkollës së mesme.

Sezoni i vjeshtës, nis me testin e provimit të parë me detyrim, Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë, test të cilit 1178 maturantët mbetës të sezonit të qershorit, do të mund t’i nënshtrohen me datë 17 shtator.

Provimi i dytë është ai i Matematikës, në të cilin 2241 mbetësit e qershorit, do të masin sërish dijet e tyre me datë 19 shtator. Ndërkohë që me datë 21 shtator, 3 mijë mbetësit e lëndëve me zgjedhje, përkatësisht 1766 mbetës në Z1 dhe 1348 mbetës në Z2, do të mund të plotësojnë fletët e testit të provimeve të lëndëve me zgjedhje, ku ata nuk kanë mundur të fitojnë pragun minimal të pikëve.

Provimet e sezonit të vjeshtës, organizohen njësoj si ata të qershorit. Testi i lëndëve me detyrim ka 25 pyetje, me një total prej 50 pikësh dhe nis në orën 09:00, ndërkohë që testet e lëndëve me zgjedhje kanë 20 pyetje. Ata që do të japin vetëm një provim me zgjedhje, do të futen në sallë në orën 10:00

Mund të testohen
Në udhëzimin e saj për sesionin e dytë të maturës shtetërore 2013, Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka përcaktuar edhe katër kategoritë që do të mund të marrin pjesë në provime. Kategoria e parë janë maturantët që rezultuan mbetës në një ose më shumë provime në sesionin e parë të maturës shtetërore, si dhe maturantët që rezultuan mbetës në vitin shkollor 2012-2013, por kanë arritur t’i shlyejnë detyrimet në datat 4 dhe 6 shtator 2013. Për këta kandidatë është i vlefshëm Formulari A1 për dhënien e provimeve në këtë fazë të dytë.

Të drejtë për të hyrë në sesionin e vjeshtës të maturës 2013, kanë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2013, por nuk kanë shlyer detyrimet e maturës shtetërore dhe për arsye të ndryshme nuk kanë plotësuar formularin A1Z. Ndërkohë që një tjetër kategori janë edhe kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë njehsuar dokumentet shkollore në komisionin e posaçëm ngritur nga MASH.

Për maturantët që kanë mbaruar jashtë dhe ata që kanë mbaruar para 2013, për të dhënë provimet e maturës duhet të regjistrohen në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm ose në shkollën që i cakton DAR/ZA e vendbanimit. Për këto dy kategori ishte përcaktuar edhe një afat për plotësimin e formularit A1Z, që nisi nga data 2 shtator dhe përfundoi më 11 shtator.

 
Shkrimi u publikua sot (15.09.2013) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(a.ç/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)

Shpërthim me tritol në banesën e 50-vjeçarit në Fushë-Krujë (EMRI)