TIRANË- Kryeministri Edi Rama mblodhi në një takim krerët e bashkive të majtë dhe të djathtë dhe u vendosi prioritetet për përshpejtimin e procesit të legalizimeve, ndërsa në fokus ishte edhe sezoni turistik. 61 bashkitë e vendit do të përfshihen në procesin e legalizimit dhe kreu i qeverisë u la porosi që banesat e qytetarëve do duhet të jenë prioritet.

Nga shtatori, Bashkitë dhe Kadastra do të nisin bashkë procesin e legalizimeve, me 237 mijë dosje që janë në pritje të shqyrtimit. Rama tha se procesi për banesat duhet të përmbyllet deri në vitin 2026, ndryshe nga sa e parashikon ligji për në vitin 2028. Sa i takon bizneseve pa leje që kanë aplikuar për legalizim, Rama u shpreh se do duhet të presin, pasi në fillim do pajisin banesat me tapi.

"Bashkitë të përfshihen në proces. Jo vetëm që do të shtojë forcat për të mbështetur dhe zgjidhur problemin e legalizimit, por do shërbejë edhe për të bërë monitorimin e punës në Kadastër, që në sektorin e legalizimeve lë për të dëshiruar. Sa i përket ndërtesave pa leje për biznes dhe që kërkojnë leje, ato mund të presin. Të parët janë banorët", tha Rama. 

Në kulmin e sezonit turistik, kryeministri tha se një sulm i organizuar është ndërmarrë nga të gjitha anët për të goditur imazhin e turizmit. Madje, sipas tij sistemet e Sigurisë Kombëtare kanë identifikuar adresa false në rrjetet sociale që përdoren për fushatën kundër turizmit. Në bisedat që ka bërë me kryebashkiakët e baskive bregdetare, Rama tha se janë shprehur që videot e plazheve bosh janë false.

"Kam folur me krerët e bashkive bregdetare që janë të habitur nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike. Shumë profile false që përdoren për këtë sulm", vijoi Rama. 

Duke theksuar se qeveria nuk mund të ndërhyjë, Rama parti kritika për rritjen e çmimeve në Vlorë e Sarandë. Kryebashkiakëve u kërkoi bashkëbisedim me operatorët e hoteleve, të cilëve duhet t’u thonë se një rritje e tillë s’ka logjikë.

“Në Vlorë, Ermal, në Sarandë Olt, ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve është e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’iu thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, mbase në kushtet e kapitalizmit nuk e perceptojnë, por është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë”, vijoi Rama.

Në gropë do bien vetë ata që kanë rritur çmimet, vijoi kryeministri.

“Meqë na thanë vjet që Shqipëria është e lirë ne po ja hedhim në erë tavane te arsyes është ide e çmendur. Natyrisht vlonjatët janë molla e këtij sherri. Meqë është bërë kaq e kërkuar dhe kaq konkurruese, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe do bien vetë ata që ngrenë çmimet”, u shpreh Rama.

Fokusin e vendosi edhe tek pastërtia, ku Lezhën e veçoi si shembullin më të mirë. Sa i takon ndotjes në Koman, kryeministri tha se do të ndërhyjë ushtria, por historia e ndotjes nuk mund të vazhdojë më.

“Liqeni i Komanit pastrohet çdo dy javë. Do çojmë edhe ushtrinë për ta pastruar. Po kjo histori që banorët hidh dhe ushtria pastro s’mund të vazhdojë”, vijoi Rama.

Nga viti tjetër, pritet ndërhyrje edhe në hapësirat e plazheve publike me qëllim rritjen e tyre.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 13:24
Bici: 250 mijë dosje legalizimesh kanë marrë vendim, 237 mijë presin shqyrtim

 

Drejtoresha e Përgjithshme e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Dallëndyshe Bici deklaroi sot se, janë 250 mijë dosje legalizimi që kanë marrë vendim, teksa mbeten ende 237 mijë dosje për t’u përfunduar.

Në fjalën e saj gjatë një takimi me kryetarët e bashkive për përshpejtimin dhe monitorimin e procesit të legalizimit, si prioritet i qeverisjes qendrore dhe asaj lokale, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama Bici u shpreh se, “vendimi i Këshillit të ministrave përcakton qartë procedurën e bashkërendimit, bashkëpunimit të procesit të punës midis ASHK-së dhe 61 bashkive të vendit me qëllim përfundimin e procesit të legalizimit në të gjithë territorin e vendit”.

Nismën ky proces e ka në vitin 2006. Një proces i tejzgjatur në vite, i cili pati një frymëmarrje pas vitit 2013. Shifrat janë të sakta dhe të qarta. Deri në vitin 2013 kemi vetëm 20 mijë dosje me vendime përfundimtare. Në momentin që po flasim kemi 250 mijë dosje të cilët kanë një vendimmarrje përfundimtare. Megjithatë ngelet akoma punë për të bërë janë 237 mijë dosje të cilat presin të shqyrtohen dhe të kenë një vendim përfundimtar.

Ligji ka parashikuar si afatin përfundimtar për mbylljen e këtij procesi vitin 20208, por tashmë me bashkëpunimin tuaj të gjithë bashkive, ASHK angazhohet që t’i japim një hov dhe një ritëm më të shpejtë sidomos në zonat e banimit dhe në zonat ku ju i keni zona prioritare.

Ky është një fillim i mbarë dhe që do japë frytet e veta në interes të qytetarëve me qëllim mbylljen njëherë e mirë të procesit të legalizimit”, tha Bici.

Ora 12:20
Rivlerësimi i pasurive, Rama: Do të jetë 5%, në shtator nis puna për referencat e reja! Bashkitë të flasin me qytetarët, është shansi i fundit

Kryeministri Edi Rama njoftoi përpara kryetarëve të bashkive, se do bëhen referencat e reja lidhur me rivlerësimin e pasurive. Qeveria do t’i japë edhe një shans të gjithë atyre që duan të rivlerësojnë pronat, por kësaj here me 5% të vlerës. Në takimin me kryebashkiakët, kryeministri Rama tha se afati do jetë 1-vjeçar dhe kjo është mundësia e fundit, pasi ka kosto për buxhetin

Rama e cilësoi këtë proces si një lloj amnistie pasi ka edhe kosto për buxhetin e shtetit, teksa ftoi krerët e bashkive të jenë pjesëmarrës aktiv në këtë proces në komunikim me qytetarët.

'Ne kemi bërë këtë proces dy herë. Nuk është proces që bëhet rregullisht sepse në thelb kjo është një amnisti. Por ka një kosto për buxhetin, pasi në momentin që bëhet rivlerësimi shmanget tatimi 15% mbi shitjet në vijim. Duke qenë se e para rivlerësimi është bërë bazuar në faktin që nuk ishin referencat e reja sot me referencat mund t’iu japim të drejtë qytetarëve të kenë një shans të fundit. Është e rëndësishme të nisim punën për referencat e reja për qytetet e reja dhe jo vetëm për Tiranë. Vija bregdetar nuk është me çmime reference nga e shkuara.

E kemi nisur punën, dhe do konkludojmë brenda 40 ditëve të ardhshme, do rindërtojmë një proces që rivlerësim të jetë i hapur. Fund shtatori me fund shtatori. Rivlerësimi i parë është bërë me 1%, i fundit do jetë me 5%. Gjithë ju dhe bashkitë ku ka kërkesë të komunikoni me qytetarët që kjo është e fundit, nuk do ndodhi më. Mos e lënë këtë shans sepse do kenë barrë më të madhe më vonë. Buxheti i shtetit humbet një sasi të konsiderueshme por na intereson formalizimi i pasurisë në territor. Dhe qytetarët përfitojnë drejtpërdrejt dhe kjo është pozitive. Për këtë duhet të ndërmerrni një proces komunikimi', tha kryeministri Edi Rama.

Ora 12:03
'Fole këtu se të doli emri si polic, je i papërgatitur', Rama kapet me Pjerin Ndreu: Prapë kam mendim ndryshe

 

Në mbyllje të fjalës së sotme përpara kryetarëve të bashkive, kryeministri Rama bëri batuta me Pjerin Ndreun. Teksa po i thoshte kryebashkiut të Shijakut, që të jetë shembull për Pjerin Ndreun në procesin e legalizimit, Rama nuk la pa përmendur të kaluarën e Ndreut si polic. Kjo mesa duket solli irritimin e Ndreut që tha se ndihet krenar për atë që ka qenë.

Rama: Kam një fjalë për ty, Elton: ishe kampioni i rindërtimit. E bëre Shijakun avangardën në rindërtim duhet të bëhesh kampion i legalizimeve. Dakord? Sepse kur i thosha Pjerinit merr shembullin nga Shijaku për rindërtimin thoshte është punë e vogël. Shembullin tënd t’ja tregoj Pjerin Ndreut dhe ti them ja si bëhen legalizimet se nuk do rrimë vetëm duke të lavdëru ty policia.

Ndreu: Njolla e policit më ka ndjekur. E kam për nder.

Rama: Të mos ishe polic nuk do ishte kryetar bashkie. Ja e sheh, bën polemik. Ai merak do dali me shpirtin.

Ndreu: Kur doni me sha njeri thoni je ba si polic.

Rama: Pse përhap lajme të rrem. Nuk e them, këtë shaka e bëre si polic.

Ndreu: Mund ta bëjmë më mirë procesin e legalizimit. Kemi rol honorifik.

Rama: Nuk je i qartë dhe nuk je sepse dole këtu se të doli emri si polic, nuk je i përgatit. Është bashkia që do udhëheqi procesin. Kadastra merr emrat e bashkisë dhe bën regjistrimin. Çfarë nuk pasqyrohet shkoni tek ministri. Nëse lëmë vetëm në një dorë, do kemi probleme.

Ndreu: Prapë kam mendim ndryshe.

Rama: Me këtë konkluzion të policisë, ju falënderoj dhe punë të mbarë.

Ora 11:53
Ndotja te Liqeni i Komanit, Rama: I hedhin plehrat rrugëve sikur kanë turp t’i hedhin në kosh! S’mund të vazhdojë më kjo histori

 

Kryeministri Rama ka ngritur edhe problematikën e ndotjes në Liqenin e Komanit, e trajtuar edhe nga Report Tv. Rama tha se pastrohet çdo dy javë dhe do çojnë për pastrim edhe ushtrinë.

Ndërsa kritika pati edhe për qytetarët që hedhin plehrat rrugëve. Kryeministri njoftoi se do investohet edhe në rrugën e Komanit.

Liqeni i Komanit pastrohet çdo dy javë. Do çojmë edhe ushtrinë për ta pastruar. Po kjo histori që banorët hidh dhe ushtria pastro s’mund të vazhdojë. Veriu po njeh bum turistik. Do investojmë dhe rrugën e Komanit. Po liqeni i mbushur çdo dy javë me plehra që i hedhin rrugëve sikur kanë turp ti hedhin aty ku duhet hedhur, nuk e di.

Ora 11:44
Rama u ‘tërheq veshin’ kryebashkiakëve: Prioritet pastërtia, Ndreu merr vlerësime! Vitin tjetër ndërhyjmë në hapësirën publike të plazheve

 

Kryeministri Edi Rama në takimin me kryebashkiakët ka vendosur fokusin tek pastërtia. Rama kërkoi më shumë vëmendje nga Bashkitë sa i takon pastërtisë, ndërsa vlerësoi Lezhën.

Po ashtu, Rama tha se vitin tjetër do ketë ndërhyrje dhe do rishikohet hapësira publike në plazhe, ku pritet që të ketë më shumë hapësira publike për pushuesit.

Plazhet publike janë aty, plazhi publik i Sarandës dihet botërisht që është mu në vijën e gjithë qytetit. Pjesa tjetër ka dhe ajo të drejtat e veta. Vitin e ardhshëm do bëjmë ndërhyrje s ai përket hapësirave publike në plazhe.

Tjetra është pastrimi, është më mirë se vjet. Duhet qëndruar mbi kokë,. Janë bërë bajat duke sjellë si shembull policinë e Lezhës në bashki, por është fakt s’ke ca i bën. Është pasqyrë pastërtia. Është bërë progres gjithandej, por duhet kuptuar që nuk është te plazhet çështje, është edhe brenda vendit.

Ora 11:40
Rama batuta për vlonjatët: U kanë dalë trutë! Do bien në gropë me ngritjen e çmimeve

 

Kryeministri Rama pati kritika në fjalën e tij përpara kryetarëve të bashkive në vend, lidhur me rritjen e çmimeve nga operatorët e hotelerive bareve dhe restoranteve kryesisht në Vlorë. Rama nuk la pa bërë batuta me vlonjatët, që sipas tij do bien në gropë nëse vazhdojnë me këto çmime. 

'Italianët deri në qershor kanë qenë 486 mijë. Ka rritje të fortë të turistëve turq. Pastaj polakët 74%, mbi 100 mijë deri në qershor. Aeroporti i Tiranës në pamundësi për të dhënë lejen për avione të charter pasi nuk ka vend në 24 orë. Duhet lajmëruar 3 ditë para. Gjë që natyrisht do të adresohet pasi ka nisur punë për zgjerimin e punës. Këto është e nevojshme të merren një konsideratë.

Qeveria nuk vendos çmimet dhe nuk vendosin dot çmimet as të hoteleve as të restoranteve dhe nuk i kontrollojnë. Por ama në Vlorë, Ermal, në Sarandë Olt, ku janë edhe dy pikat e një rritjeje absurde të çmimeve është e rëndësishme të flitet me operatorët e hoteleve dhe t’iu thuhet që kjo është jo vetëm e padrejtë, mbase në kushtet e kapitalizmit nuk e perceptojnë, por është strategjikisht vetëvrasje për ata vetë. Duhet komunikohet dhe të flitet që rrija e palogjikshme e çmimeve vjen me një kosto të lartë vitin tjetër. Se po të ishte kaq kollaj do e kishte bërë bota këtë sport. E kanë bërë dhe kanë marrë mësime të hidhura, por vonë. E rëndësishme të komunikohet që çmimet të jenë të arsyeshme.

Është dhe çështjeje dije. Meqë na thanë vjet që Shqipëria është e lirë ne po ja hedhim në erë tavane te arsyes është ide e çmendur. Shikoni Durrësin, Shëngjinin, Velipojën, stabël. Dhe natyrisht vlonjatët janë molla e këtij sherri. Dihet ajo punë. Meqë është bërë kaq e kërkuar dhe kaq konkurruese, gropa në gjoksin e vlonjatëve është hapur dhe do bien vetë ata që ngrenë çmimet. Është e padrejtë dhe e turpshme për të krijuar një klimë absurde, ku sapo kemi hyrë në Champions League në Mesdhe, e ka bërë Bullgaria këtë sport dhe e ka paguar me vite të tëra nuk kthehet.

Më mirë syri se sa nami. Vlonjatëve u ka dalë dhe syri edhe nami edhe trutë nga vendi. Edhe nuk dinë se ç’bëjnë. Mirë që ta kuptojnë. Mbase me këtë gjuhë se mbase më tolerojnë mu a më shumë këto fjalë. Nuk ia kërkojmë të zbresin me këmbë në tokë por të paktën të zbresin në kat të dytë.'

Ora 11:35
Rama me kryebashkiakët: Sulm i organizuar kundër turizmit, profile false përdoren për këtë goditje

 

Kryeministri Edi Rama në një takim me kryebashkiakët tha se një sulm i organizuar është marrë nga disa anë për të goditur turizmin shqiptar. Rama tha se sistemet e sigurisë kombëtare janë aktivizuar dhe kanë identifikuar profile false që po përdoren për këtë sulm.

Tendenca e flukseve turistike për të shtuar përtej detit dhe eksploruar deri në zona dhe pika që as nuk imagjinoheshin të kishin turistë, është e rëndësishme që sot të jeni të vetëdijshëm që ka sulm të organizuar për të dëmtuar turizmin shqiptar. Kam folur me krerët e bashkive bregdetare që janë të habitur nga shumë video, lajme e komente të rreme, të manipuluara, të bëra me qëllim që duan të thonë se këtu s’ka ardhur njeri. Faktet janë në terren, nuk është ky preokupimi kryesor që të merremi me ata që janë pjesë e këtij sulmi që vjen nga disa anë. Sistemet tona të sigurisë kanë ndezur dritën e kuqe, të sigurisë kibernetike. Shumë profile false që përdoren për këtë sulm. Kjo është njëra ana e medaljes që vlen për diçka tjetër, vlen për të kuptuar që ajo që vjet ishte një çelje e lules së turizmit shqiptar në sytë e botës erdhi me sfida të reja. Sfida komplekse që kanë të bëjnë me të gjithë elementët.

Komisoni Europian i Udhëtimeve nxori një klasifikim dhe Shqipëria është në vendin e parë me 86% rritje të fluksit të turizmit, pastaj vjen Serbia me 48%, Mali i ZI, Turqia.

Pjesë e këtij sulmi është një përpjekje shumë e ulët për të thënë që shqiptarët e Kosovës e kanë braktisur Shqipërinë. Nga janari në qershor janë 1.7 mln hyrje të qytetarëve të Kosovës, ose 25% më shumë se vjet.

Ora 11:27
Legalizimet, Rama me krerët e bashkive: Duhet bërë gjithçka që procesi të përshpejtohet për banesat e qytetarëve

 

Kryeministri Rama në fjalën e tij me kryetarët e bashkive theksoi nevojën për përshpejtimit të procesit të legalizimit. Në këtë proces do të bashkëpunohet mes Kadastrës dhe bashkive. Rama nënvizoi se është bërë progres, por jo i kënaqshëm.

'Nevojën për fillimin e punës bazuar tek vendimi i qeverisë që u mor si rezultat i një diskutimi të nisur edhe së bashku në takimi në Shkodër të nxitur nga disa deputetë të PS, i pari ndër ta Erion Braçe dhe të domosdoshëm, ndërkohë që me pjesën e regjistrimeve të pronave në Kadastër të kemi ecuri pozitive me legalizimet nuk thuhet e njëjta gjë. Është vendosur që bashkitë të përfshihen në proces. Ka një rëndësi dhe një dobi sipas nesh të posaçme për faktin që jo vetëm do shtohet forca për të mbështetur dhe zgjidhur problemin e legalizimit por edhe do shërbejë për monitorimin e punës në Kadastër që në sektorin e legalizimeve lë për të dëshiruar.

Në këtë kontekst, janë bashkitë që do vendosin prioritetet dhe do përcaktojnë ritmin e planit të punës. Do udhëhiqet prej jush me një staf të dedikuar që ju do krijoni deri në shtator kur ky proces do fillojë si rezultat i ndihmës që AKSHI po i jep ASHK për një platformë pune digjitale. Nëpërmjet këtij sistemi edhe për të krijuar një mekanizëm transparence mes palëve. Nga një anë bashkitë të mos jenë në pamundësi të ndihmojnë qytetarët për legalizimin, zyrtar e Kadastrës të mos kenë monopolin e zgjidhjes së problemeve për të cilën abuzojnë, edhe nga krimbi i kërkesës për ryshfet. Pavarësisht progresit, faktikisht procesi ka pasur progres, por të pakënaqshëm po të shohësh procesin me regjistrimin e pronës.

Përtej faktit që ligji e parashikon përfundimi në 2028. Në radhë të parë për banesat të qytetarëve duhet të bëjmë gjithçka që procesi të përshpejtohet dhe të vendoset një rend i qartë i kohës. E padrejtë që disa presin prej vitesh dhe disa të tjerë e marrin legalizimin edhe pse janë aplikues të mëvonshëm. Duhet të vendosni radhë dhe të bëhet ajo që është e para, legalizimi i banesave.'