Ministri Blendi Gonxhja ka inspektuar plazhet e Jalës dhe Dhërmiut në prag të nisjes së sezonit turistik veror, duke theksuar se në terren ka ende punë dhe sistemime që duhet të përfundojnë përpara fluksit të pushuesve.

Gjatë inspektimeve, Gonxhja u fokusua te gjendja e hapësirave publike, pastërtia, standardet higjieno-sanitare dhe organizimi i aktiviteteve përgjatë vijës bregdetare.

Sipas tij, subjektet private dhe entet vendore duhet të përshpejtojnë angazhimin për të garantuar një sezon të rregullt dhe me standarde.

“Ka ende punë e sistemime për t’u kryer nga subjektet dhe entet vendore që të jemi gati për sezonin e plazhit dhe për një ambient sa më të rregullt estetikisht, por edhe të pastër e në standard higjene”, u shpreh ministri.

Në vëmendje të institucioneve do të jenë stacionet e plazhit, mjetet lundruese, pontilet dhe molet, si edhe strukturat akomoduese e subjektet e shërbimit që operojnë në zonat turistike.

Gonxhja paralajmëroi se kontrollet do të përfshijnë edhe menaxhimin e plazheve publike dhe atyre private, si dhe respektimin e rregullave nga vrojtuesit dhe profesionistët e licencuar.

Sipas ministrit, aktualisht po përmbyllet procesi i aplikimeve për stacionet e plazhit, ndërsa po përpunohen kontratat e reja të miratuara për vitin 2026 dhe vitet në vijim.