Grupi ndërinstitucional për sezonin turistik 2026 u mblodh këtë të hënë për të bashkërenduar masat që synojnë mbarëvajtjen e sezonit veror në të gjithë vendin.
Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, tha se gjatë takimit u diskutuan çështjet kryesore që lidhen me sigurinë në plazhe, respektimin e distancave të mjeteve lundruese, pastërtinë dhe kujdesin ndaj mjedisit në zonat turistike, kontrollin e zhurmave, sigurinë ushqimore, funksionimin e qendrave shëndetësore sezonale, si dhe menaxhimin e qarkullimit dhe të numrit të lartë të vizitorëve në pikat kufitare dhe zonat bregdetare.
Gonxhja theksoi se Shqipëria po përjeton një tjetër vit me shifra rekord në turizëm, me rritje të vazhdueshme të vizitorëve dhe interes gjithnjë e më të madh për vendet turistike të vendit.
“U mblodhëm sot në zbatim të urdhrit të Kryeministrit për Task Forcën Ndërinstitucionale për sezonin veror, për të trajtuar në një mënyrë shumë më të koordinuar të gjitha problematikat, planet e punës dhe të gjitha masat që duhet të marrim, në mënyrë që të kemi një mbarëvajtje sa më të mirë të sezonit, por të kemi edhe një eficiencë më të lartë të të gjitha trupave, të të gjitha institucioneve në terren dhe të gjitha kapaciteteve tona logjistike, por edhe njerëzore, në mënyrë që ne të jemi sa më pranë komuniteteve, sa më pranë zonave ku mund të kemi problematika dhe të jemi sa më të shpejtë në zgjidhjen e tyre dhe adresimin e tyre.
Shqetësimet kryesore që u trajtuan në këtë takim lidhen natyrisht me ato prioritete të problematikave që kryesisht gjatë sezonit veror shfaqen dhe më shumë. Që lidhen natyrisht me çështjet e sigurisë: sigurisë në det e sigurisë në komunitet vrojtuesit e plazheve siguria për sa i takon trafikut, mobilitetit, lëvizshmërisë – pra, aksesueshmërisë së këtyre zonave që janë destinacione kryesore ku kemi flukset më të larta të turizmit.
Kemi problemin e zhurmave, pra ndotjen akustike, që është një shqetësim i vazhdueshëm jo vetëm pranë zonave të plazheve, por edhe në zonat rezidenciale. Ka probleme që lidhen me pastrimin,që lidhen me trajtimin e mbetjeve në përgjithësi dhe me sinjalistikën. Qëllimi kryesor i Task Forcës është që të kemi një mekanizëm monitorimi, raportimi dhe kontrolli të të gjitha masave që sipas gjthë institucioneve merren në kohë reale sipas të gjitha fushave dhe sektorëve.
Këto masa do t'i raportohen qeverisë, si dhe të gjitha bashkive e institucioneve të tjera, në mënyrë që të ndiqen hap pas hapi të gjitha emergjencat dhe problematikat, që të mund të kemi një zgjidhje më të shpejtë dhe një reagim më të fortë. Natyrisht, për shumicën e atyre rasteve apo fenomeneve të cilat na shqetësojnë vit pas viti të kemi tolerancë zero.
Nuk diskutohet që duhet të kemi një përmirësim të të gjitha standardeve, shërbimeve sa i takon atyre institucioneve dhe sa i takon atyre në nivel vendor ashtu edhe në nivel qendror, që të jenë në koordinim me njëra-tjetrën, pranë qytetarëve dhe në gatishmëri 24 orë në 7 ditë të javës , në sinkron të gjithë së bashku si një trup i vetëm, në mënyrë që siguria ushqimore, urgjencat shëndetësore, por edhe emergjencat civile nëse do të kemi, të mund të garantohen dhe të kemi një sezon veror sa më të suksesshëm" tha Gonxhja
Grupi ndërinstitucional do të vijojë ndjekjen dhe bashkërendimin e punës së strukturave përgjegjëse gjatë gjithë sezonit veror, me synimin për të garantuar një sezon turistik të sigurt, mikpritës dhe të suksesshëm në të gjitha zonat turistike të vendit.
Komente






