Kishte dhe nga ata që nuk përmbanin dhe lotët. Dhe, siç më rastisi të shoh në një video të publikuar në gazeta sportive dhe jo sportive të botës, njëri prej tyre uli kokën dhe u shkreh kaq shumë në vaj, sa nuk vuri re se pranë tij u afrua dikush dhe zuri t’i prekte dhembshurisht flokët. Hapi sytë dhe u habit kur pa që ai ishte një miturak, jo më shumë se dhjetë vjeç. Sidoqoftë, sajoi një buzëqeshje të zoritur, por u habit edhe më shumë, kur vuri re se ai kishte e veshur fanellë të kuqe, si ata portugezët që brohoritnin në fushë. Dhe sa nuk u mbyt në rrjedhën e lotëve, kur mituraku hapi duart fort dhe e përqafoi, si t’i thoshte:
“S’ka gjë, kushedi Franca fiton botërorin 2018…”.
Kështu, sipas pamjeve që janë përhapur në video, ishte rrëmbushur në lot dhe K.Ronaldo… Plot 12 vjet të shkuara në finale e Euro 6-ës, që Portugalia zhvillonte në Lisbonë me Greqinë dhe humbiste 1-0. Edhe ai, atëherë djalosh 19-vjeçar, mbante veshur po një fanellë të kuqe, por me të vetmin ndryshim, se nuk qëndronte në shkallët e stadiumit, por brenda në fushë, sepse l ishte lojtar i përfaqësues së atdheut të tij.
Atëherë ishin vetë futbollistët portugezë që i thoshin:”S’ka gjë, do të vijë një ditë dhe ne do ta fitojmë kupën, qoftë të Europws, qoftë të botës”. Kështu u kishte thënë shokëve të tij edhe Euzebio, “perla e Mozambikut”, ky futbollist i mahnitshëm zezak, kur më 1966 Portugalia humbiste kundër RF Gjermane dhe ngushëllohej me vendin e tretë në botërorin Angli 1966.
12 vjet të shkuara e kam parë finalen Portugali-Greqi në një kafene greke këtu në Kuinci, qytet pranë Bostonit, ku vazhdoj të jetoj. Për arsyen e çuditshme, se kanalet amerikane ende nuk transmetonin ndeshje ndërkombëtare futbolli, që sipas tyre ishte… sport femëror. Atëherë portugezët ishin përgatitur për festën më të madhe të tyre sportive, por u mbështollën me heshtje të përzishme, sepse kupën e morën me vete pasardhësit e Homerit, disi me dredhitë e Uliksit, sepse at u mbrojtën, dhe pas një sulmi, koka e një helenasi, e cila u lejua të depërtonte brenda “mureve” të mbrojtjes kundërshtare, ashtu si mbrojtësit e mureve trojane që lejuan të futnin kalëdhuratën e kobshme greke, e gjeti një të çarë në portën e kundërshtare dhe e goditi pa mëshirë.
Nga ana e tyre, në ndeshjen me francezët, portugezët nuk patën nevojë të përdornin këmbënguljen e bashkatdhetarit të tyre, Ferdinado Magelani, që më 1521 donte t’i binte me anije rrotull botës, dhe, kësisoj futbollisti i tyre, Eder, pa qenë nevoja t’i binte rrotull fushës, siç bëjnë ca… topkëmbës të çoroditur, me dy tri lëvizje, lëshoi një “silur” në portën franceze dhe “ e “çau” përfundimisht rrjetën e saj.
Magelani ishte vrarë në Filipine, pa arritur ta shihte të përmbushur ëndrrën se toka ishte e rrumbullakët. Megjithatë, edhe pse të dërmuar shpirtërisht nga humbja e kapitenit të madh, shokët e tij detarë vazhduan rrugën dhe arritën me anijen e tyre të ktheheshin aty ku ishin nisur.
Kapiten Ronaldo u dëmtua dhe u shtrëngua të linte fushën pas 25 minutash. Por “anija” portugeze edhe pa të nuk u fundos, ashtu siç u mendua nga kushdo që ndoqi ndeshjen në tërë globin tonë. Madje luajtën më mirë. Dhe ndodhi ajo që nuk pritej dhe që nuk besohej, ajo që pamë…
T’i lemë për një grimë fituesin dhe të humburit e pangushëlluar të Euro 16-s, sidomos gjermanët dhe italianët dhe të ndalemi te skuadra jonë. Ajo nuk u shfaq në arenat franceze si hirushe e ndrojtur para damash dhe kavalierësh që gjatë vallëzimeve e kundrojnë me përçmim.
Më mirë se kushdo këtë e provuan zviceranët, francezët që ishin dhe të zotët e kësaj balloje të madhe evropiane, dhe mbi të gjithë rumunët, që u shtrënguan të përuleshin pas ”vallëzimit” me të.
Ah, sikur!... Sa herë është bërë, bëhet dhe do të bëhet kjo pyetje pas çdo ndeshjeje!..E kemi bërë dhe ne pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër, ku në fushë “përleleshin” 16 shqiptarë nga të cilët 5 në radhët zvicerane, (Valon Behrami, Granit Xhaka, Xherdan Shaqiri, Blerim Xhemaili dhe Admir Mehmeti) dhe dy vëllezër, Taulant Xhaka i Shqipërisë vihej përballë të vëllait, Granitit, “zviceran”, rast i rallë dhe shumë origjinal në dyluftimet sportive mbarëbotërore.
Sikur Berisha të kishte dalë më shpejt nga porta dhe kështu ta kishte degdisur topin me grusht “tutje e tëhu”, siç thotë populli. Kështu nuk do të shënohej ai i “mallkuar” gol që solli humbjen tonë të pamerituar me shqiptarët e “zviceranizuar”. Ah, sikur Cana që u rrëzua në kufijtë e zonës së rreptësisë, të mos e kishte prekur topin enkas me dorë dhe kështu duke marrë kartonin e dytë të verdhë, të detyrohej të linte fushën e betejës dhe në të njëjtën kohë ta linte për 54 minuta skuadrën “jetime’ me një lojtar”!...
Ah, sikur Gashi që zëvendësoi Sadikun, i ndodhur vetëm përballë portierit kundërshtar të cilit “po i dridheshin leqet e këmbëve”, ta dërgonte topin në rrjetë?... Do ta kishim kështu hak barazimin, sepse edhe me 10 kundër 11 kundërshtareve të rreptë, të tërë, madje edhe Berisha me Hysajn, Mavrajn, Agollin, Abrashin, Kukelin, T. Xhakën, Roshin, Lenjanin dhe Sadikun u duartrokitën nga auditori qindramilionësh në botë.
Ah, sikur në minutat e fundit të takimit me francezët të ishim treguar më shumë “syçelët” dhe të mos pësonim dy gola!…Se çuditërisht nuk po shkëputemi nga kjo traditë ogurzezë.
Të mos shkojmë më larg, por ne takimin me Portugalinë, në Elbasan, të cilën e kishim mundur 1-0 aty në shtëpinë e vet, shi në minutat shtesë i hapëm rrugë Ronaldos që me kokë, (ah, sa e kanë pësuar nga koka e tij), të shënonte golin e fitores në ndeshjen e kthimit të përcjellësve të Euro 16-ës. Po në minutat shtesë, po në Elbasan dhe madje në të njëjtën portë, serbët na morën dy herë portën, kur rezultati ishte gjithashtu i barabartë 0-0.
E vërteta është që falangat e francezëve Zhiru, Martial, Paje, Koman,, pastaj Pogba, Grizman, Zhinjak, që u futën në pjesën e dytë për të përforcuar sulmim, gjetën një digë të lartë dhe të pakapërcyeshme të Berishës sonë në portë, të Hysajt, Ajetit, Mavrajt, Agollit, madje, dhe Abrashit, Kukelit dhe Memushajt. Por, kur Pogbaja lëshoi një predhë që po të kishte përfunduar brenda hapësirës së portës, me shpejtësinë që kishte, nuk do t’i kishte bërë ballë asnjë portier në botë, atëherë përse trajneri ynë italiano-shqiptari i sprovuar që ka meritë të padiskutueshme në përgatitjen e skuadrës sonë, nuk përforcoi këtë digë edhe me lojtarë të sulmit dhe kështu të gjithë ta ngrinin atë dhe më shumë?
Mund të mos ishte e hijshme nga ana ”speiktakolare”, por sa e sa skuadra e kanë bërë dhe e bëjnë ketë, aq më tepër, kur bëhej fjalë për një pikë të artë, e katërta, që do të na shpinte në fazën e dytë.
Përfundimi- francezët me anë të Grimanit që me 6 trokëllimat e golave të tij u bë shenjëtari më i mirë i këtij Europiani, dhe pastaj të Pajesë në “akordet” e fundit të kësaj beteje, depozituan dy gola në portën e Berishës…
Por, do të thotë dikush, se edhe sikur portieri Taturusanu, po të mos kishte braktisur aventurisht portën, Sadiku nuk do të mund të shënonte atë gol që na dha fitoren kundër rumunëve, ashtu si pas golit po me kokë të Pal Mirashi në Bukuresht, fituam po 1-0 pati dhënë fitoren kundër tyre, në të largëtin vit 1949. Edhe kjo pyetje qëndron, me të vetmin ndryshim se tanët luajtën më mirë se ata dhe e kishin hak ketë fitore.
Përfundimi tjetër- sidoqë pas Francës dhe Zvicrës zumë vendin e tretë në grupin tonë dhe lamë pas Rumaninë, nuk arritëm të depërtonim në fazën e dytë, ku ndeshjet zhvillohen me sistem mënjanimi, pra: humbe, kthehu në shtëpi, sepse vërtet kishim po aq pikë sa Portugalia, Irlanda e Veriut, dhe Turqia, secila nga 3, (Sllovakia dhe Irlanda kishin nga 4), por si turqit kishim golaverazh negativ -2.
Sidoqoftë, debutimi ynë për herë të parë në një kuvend të tillë si Euro 2016 mund të quhet I mbarë, dukuri që u vu në dukje dhe nga opinion sportiv europian.
Para se t’i mbyll këto meditime, po kthehem edhe një herë te Portuglia. Vetëm falë tri rezultateve “të paqmë ” në grupin vet, me Islandën 1-1, Austrinë 0-0, dhe me Hungarinë me rezultatin… begator 3-3., portugezët “hodhën lumin” e ndeshjeve grupore. Dhe, sikur në këtë ndeshje me danubianët një top që goditi shtyllën të kishte tundur rrjetën e tyre, (ja ku na doli dhe njëherë pasthirrma” Ah, sikur!..”), Ronaldo me shokë do t’i kishin ndjekur ndeshjet në vazhdim nga televizorët e shtëpive të tyre.
Si të mos mjaftonte kjo, por edhe në 1/16 e finaleve atyre “u kaloi kungulli mbi ujë”: Fitore 1-0 në minutën e 119-të kundër Kroacisë, një nga skuadrat më hirplote të Euro 2016-ës, kur një minutë më parë topi godiste shtyllën e tyre; 5-3 me Poloninë pas goditjeve të lotarisë së 11-metërshave. Fitore e parë në gjysmëfinale kundër Uellsit në kohë të rregullt. Dhe më së fundi po një fitore e tillë kundër Francës në finale..
Sidoqoftë sipas një sentence të vjetër: “Fituesi nuk gjykohet”.
Dhe kjo sentencë i shkon për shtat edhe Portugalisë, ngadhënjimtare, madje, siç e pamë, në pjesën më të madhe të finales kundër francezëve, pa “perëndinë” e tyre, Ronaldon.
Megjithatë, ishte një kampionat modest për të mos thënë i varfër nga niveli, po ta krahasojmë me evropianë të fundit, ku, sidoqoftë në kupën qiellore të tij vezulluan plot dritë Uellsi dhe veçanërisht Islanda, me 330 mijë banorë, aq sa 1/3 e Tiranës, me gjasë rreth 1 milion banorë, nga të cilët rreth 30 mijë, pra 1/10, shoqëruan skuadrën e tyre që bëri bujë pasi gjunjëzoi s Anglinë, vendi ku ka lindur kjo lojë, rekord i denjë për librin”Gines”.
Skuadra e tyre sikur solli në stadiumet e nxehta franceze shushurimën flladitëse të akujve që shkrihen nga një diell i kursyer polar i këtij ishulli të magjishëm, ku jo vetëm futbolli, por edhe sporte të tjera, ndonëse luhen në një stinë të shkurtër verore, gëlojnë në fusha edhe kur janë të mbuluara me dëborë.
Në fund u arrit dhe një fitore e përbashkët: fitorja ndaj terrorizmit dhe terroristëve, sidomos pas akteve të tyre të përçudnuara në Belgjikë dhe Francë, aq sa u duk, se Euro 2016 do të zhvillohej pa shikues pra, me stadium të boshatitura, të shkretuara, të shurdhra. Ky ishte një ngadhënjim i madh i sportit dhe i qytetërimit bashkëkohor ndaj fondamentalizmit mesjetar islam.