Disa emra të njohur të politikës së djathtë shpallen dje një parti të re politike: Fryma e Re Demokratike (FRD). Krijimi i saj ishte paralajmëruar prej kohësh, programi dhe synimet e saj gjithashtu. Formalisht, FRD do të jetë një nga 120 partitë politike “konkurruese” në zgjedhjet parlamentare 2013, dhe e 52-ta parti politike e spektrit të djathtë që nga 1990. E parë kështu vetëm si numër, pakkush ndjen nevojën për parti, apo frymë të re, por e parë në thelbin e problemit të (keq)funksionimit të shtetit demokratik, gjendjes së sistemit demokratik dhe sistemit partiak, - nuk ka dyshim se Shqipëria ka nevojë jo vetëm për frymë të re, por për diçka më të madhe, - për revolucion në sjellje, veprim e përfaqësim politik. Një vend me të kaluar të gjatë komuniste, në izolim ekstrem dhe me qytetarë të edukuar për ta pranuar pushtetin, partinë dhe sundimtarin e radhës si monopole të vetme dhe të pakontestueshme të çdo vendimmarrjeje mbi shoqërinë, - sot e në të ardhmen ka nevojë jetike zgjerimin e modelit dhe hapësirës demokratike, drejt vlerave të konkurrencës së ideve, programeve dhe vizioneve politike.
Në kënetën politike të tranzicionit ku vendin e ideve konkurruese e zunë individë – bajraktarë, sundues personalë në parti dhe në shtet, modele orientale të ushtrimit abuzues të pushtetit, zyrtarë e politikanë që e panë shtetin, qytetarin, pronën dhe votën si mjete të keqpërdorurave në funksion të qëllimit personal, - ajo çfarë i mungoi dhe i mungon shoqërisë politike janë parimet demokratike, vlerat europiane, modelet perëndimore, sjelljet qytetare dhe politikat vizionare.

Në dekadën e parë të tranzicionit zgjedhjet e politika bazoheshin në ndarjet klasike ideologjike komunistë-antikomunistë, reformatorë-antireformatorë, pro e kundër, pa praninë e një të mesme tjetër, pa hapësirë për idetë dhe projektet konkurruese, pa shanse për ata që midis dy të kundërtave të skajshme ofrojnë stabilitetin demokratik, dialogun, respektin për tjetrin e mendimet e tij, forcën argumentuese, moralin politik dhe ndërgjegjen qytetare. Në dekadën e dytë vendin e politikave të tilla arkaike e orientale e zunë politikat e bazuara në interesin ekonomik, klika politike që kërkuan dhe dominuan shtetin dhe institicionet, pronën dhe votën, shoqërinë dhe interesat e saj publike.

Palët u ndeshën periodikisht në një garë politike të pamoralshme, pa bilanc vlerash dhe program të shkruar, pa kontratë qytetare dhe vizion përtej politikës së ditës, të bazuar në sulme verbale dhe oratori populiste dhe me produkt, zëvendësimin e një grupi të korruptuar politik me një grup tjetër po aq të korruptuar. Ky model politik është i kundërt me atë që aspiruan brezat e rinj të viteve 90 dhe me atë që kanë nevojë të jetojnë brezi 20-23 vjeçar që ka lindur në vitet ‘90. Shqipëria e vitit 2012, meriton një sjellje politike tjetër, një model të ri politik që tejkalon llojet e partive private dhe axhendat personale të kryetarëve të përhershëm të partive, një elitë politike që nuk i sheh qytetarët si turma pa zë e ndjenja, që e nuk trajton politikën si burim fitimi, që nuk e tregton votën dhe sovranitetin qytetar, që beson tek energjitë pozitive dhe krijuese të këtij vendi jashtë kulturës së baltosjes, denigrimit dhe ikjes nga nevojat reale të vendit. E djathta e sotme në qeveri, në një koalicion konglomerat me parti të majta dhe grupe spekulative ekonomike, nuk ka më forcë dhe as frymëzim, nuk ka ide dhe as vizion të qartë për nevojat e vendit, nuk ka aftësi për ndryshim dhe as lidership moral.
Ajo është peng i numrave, peng i aleatëve abuzues, peng i disa individëve politikë dhe interesave ekonomike të familjarëve të tyre, peng i rritjes së autoritarizmit partiak dhe mungesës së rotacionit të elitave. Ky është një realitet që nxit e mbështet çdo prurje të re politike, me kushtin që ajo të mendojë e veprojë ndryshe nga modeli i dështuar politik i tranzicionit, të dalë tej retorikave populiste dhe inateve personale për të sjellë besimin e shpresën për një politikë qytetare, liberale dhe të përgjegjshme. A mund ta ketë këtë rol FRD? Mundësitë i ka, hapësira është, nevoja e madhe mbetet, - gjithçka tjetër varet prej individëve që tentojnë të marrin përsipër këtë përgjegjësi. A është në interes të vendit dhe të së djathtës një parti e re politike? Natyrisht që po. A përbën ajo kërcënim për të djathtën? Natyrisht që jo. E djathta reale nuk ka përfaqësim kështu që çdo nismë e re vetëm sa plotëson spektrin politik dhe cënon interesat e grupeve politiko-ekonomike, të cilat duke akuzuar me slloganet e të djathtës kanë krijuar një model – amalgam pa identitet politik. A ka vend të lirë përfaqësimi në sistemin partiak? Natyrisht që po. Në zgjedhje votojnë rregullit 45-52% e zgjedhësve, ndërkohë që në çdo sondazh rezulton se rreth 15-20% e tyre refuzojnë votimin për shkak të mungesës së ofertave të besueshme politike. Së fundi, dalja në skenë e një force politike po nxjerr edhe njëherë në pah traditën denigruese të politikës së tranzicionit, - një sindrom e produkt i mentaliteteve të kohëve komuniste.
Në një vend demokratik raste të tilla janë raste reflektimi dhe maturimi politik, kurse tej ne mazhoranca në qeveri ka angazhuar një numër zyrtarësh–sharës, që baltosin e sulmojnë deri në ekstrem këdo që mendon ndryshe, apo që guxon të përdorë lirinë demokratike për të konkurruar më vete. Kjo turmë sharësish, pa identitet politik, pa ide e vizione politike, të gatshëm të veprojnë si togat e pushkatimit dikur, - pra të qëllojnë këdo që guxon të dalë nga rreshti, mbetet sa provinciale në sjellje aq edhe një kërcënim për një shoqëri demokratike. Ata që bëjnë trimin kundër kritikëve të radhës, bëjnë qengjin dhe skllavin kur bëhet fjalë për demokracinë e brendshme në partinë ku militojnë. Ata kanë frikë të kërkojnë votime e zgjedhje në parti, kanë frikë të mendojnë ndryshe nga lideri, siç kanë frikë nga çdo grupim tjetër qytetar, i cili, në rastin më minimal, do të cenojë me votim pushtetin e tyre akuzues të frikës, servilizimit dhe shërbimeve pa kushte. A mund ta ndryshojnë këtë gjendje skllavërie mendimi forca e re politike, grupet e reja politike, zgjedhjet e reja politike? A mund të jetë Shqipëria e dekadës së re një vend ku jetohet, një shoqëri ku ka vlerë fjala dhe aftësia, një shtet i çliruar nga kultet e individit dhe i bazuar në institucione të pavarura kushtetuese? A mund të shpresojmë për një shoqëri qytetare në vend të modelit të sotëm militant e bashkëjetues me të keqen? Shanset janë, hapësirat janë, pritjet janë.

Mbetet vetëm për t’u testuar sa prurjet e reja politike kanë kapacitete, mendësi e aftësi praktike për të sakrifikuar pushtet në emër të parimeve e vlerave të larta qytetare, se cila është diferenca reale midis brezave të rinj politikë dhe atyre të cilët, ne, me idealizëm e naivitet i ngritëm mbi supet tona kur ishim të rinj, për të na u imponuar më pas padrejtësisht, - si sundimtarët tanë, fatkeqësia jonë, zhgënjimi ynë i radhës. Tani koha është për akte të reja, sjellje të reja, politika të reja, fytyra të reja, - të gjitha së bashku jo për ndryshim sasior, apo maskë imazhi, por për ndryshim të cilësisë së politikës dhe të demokracisë, - një sfidë madhore për të sotmen dhe të ardhmen e shoqërisë shqiptare.

(aq/shqiptarja.com)