“Të inkurajuar e të nxitur nga numri i madh i mbështetësve nga Veriu në Jug, ne një grup përfaqësuesish të Partisë Socialiste, të shoqërisë civile, intelektualë dhe akademikë, të rinj e të reja, së bashku me z. Fatos Nano vendosëm që të krijojmë një grup kordinimi të Lëvizjes sonë të Re”, thuhet në një njoftim për shtyp.
Ky vendim vjen “menjëherë pas thirrjes që Fatos Nano u bëri socialistëve dhe popullit të majtë, shumë socialistë e opozitarë të ndershëm nga çdo cep i Shqipërisë, të zgjedhur lokalë e qendrorë, përfaqësues të strukturave të PS i janë përgjigjur kësaj thirrjeje dhe i kanë shprehur zotit Fatos Nano mbështetjen dhe solidaritetin e tyre të plotë e të pakursyer”.
“Qëllimi i Lëvizjes Nano për Fitoren e Socialistëve – thuhet në njoftimin për shtyp - është përbashkimi i të gjithë popullit të majtë, i të gjithë popullit opozitar, për të fituar së bashku zgjedhjet në vitin 2013”.
“Njëkohësisht kjo Lëvizje do të mbështesë të gjithë sensibilitetin e socialistëve të ndershëm në të gjithë Shqipërinë për ti dalë për zot fateve të Partisë Socialiste duke larguar Edi Ramën nga pozicioni që ai ka uzurpuar si Kryetar i pamerituar dhe humbës i palodhur. Ta largojmë humbësin përsëritës dhe kronik Edi Rama që të fitojmë kundër Sali Berishës në vitin 2013”, reciton deklarata e Lëvizjes së sapo krijuar.
Sipas njoftimit, “Lëvizja Nano për Fitoren e Socialistëve synon të bashkojë çdo socialist, çdo të majtë, por edhe të gjithë opozitarët me këtë Qeverisje dështake e të padrejtë, në mënyrë që së bashku të fitojmë zgjedhjet e vitit 2013”.
“Socialistët, populli i majtë, opozitarët e sinqertë dhe të ndershëm me këtë Qeverisje, duhet të bëhen të gjithë bashkë. Bashkë e mundim Sali Berishën. Bashkë i fitojmë zgjedhjet në vitin 2013. Bashkë e bëjmë Shqipërinë fituese. Bashkë e bëjmë Shqipërinë Europiane”, përfundon njoftimi për shtyp i Lëvizjes së Fatos Nanos.
(im/shqiptarja.com)