Shën Naumi, Naska:  Zogu
“peng” i pazareve me serbët

Shën Naumi, Naska:  Zogu <br />“peng” i pazareve me serbët
Më 29 prill 1925 Xhafer Vila, i ngarkuari me punë në Legatën Shqiptare në Paris i drejtohet Myfit Libohovës, Ministër i Punëve të Jashtme, Tiranë, me një letër ku i dërgon edhe kopjen letrës së “konferencës Ambasadoriale” me të cilën shqiptarëve iu bë e njohur vija e kufirit të Shën Naumit. Në këtë letër shkruhet se “me këtë vendim që ka një karakter definitiv çështja e Shën Naumit më në fund shkon në favor të Shqipërisë”. Gëzimi i tij është i papërshkrueshëm. Por si ndodhi që u përmbys ky vendim. Një ditë më pas më 30 prill 1925 Gjergj Pekmezi i ngarkuari me punë në Legatën Shqiptare në Beograd i drejtohet Ahmet Zogut me një letër ku përshkruan takimin me Minstrin e Punëve të Jashtme z.Ninçiqi, takim ky i porositur nga vetë Ahmet Zogu. Në këtë ketër letër fare hapur pohohet ndihma që ka marrë Zogu nga jugosllavët. “Në vend të parë iu fala nderit nga ana e shkëlqesisë s’Uej edhe popullit tonë mbarë për ndihmë morale dhe materiale që i bani Shkëlqesis s’Uej, në një kohë të rrezikshme...”. Mesazhet që sjell Ninçiqi i kujtojnë me siguri Ahmet Zogut “pazaret e bëra me ta”. Ata nuk e kanë harruar këtë fakt. Gj.Pekmezi i shkruan Ahmet Zogut se Ministri i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë e shprehu qartë “idhnimin” e tij se “nuk e shpresonte kurrë që zotnia Juej për punën e rregullimit të fundit të kufijve, apo për çështjen e Shën Naumit e të Vermoshit keni me qëndrue aq fort kundra qëllimit të shtetit S.K.S (Serbo-kroato-Slloven-shënim yni). Pra Ministri i Punëve të Jashtme të Jugosllavisë i jep mesazhin Ahmet Zogut se “nuk duan t’i lëshojnë trojet shqiptare” dhe i ngarkuari i legatës zoti Pekmezi i premton atij me shumë kompetencë se do të “ndihmohen” serbët në këtë çështje, duke u marrë vesh mirë me Ahmet Zogun. Të gjitha këto Pekmezi ia rrëfen Zogut në një letër të hollësishme që e gjejmë të botuar në librin e historianes së njohur Kaliopi Naska. Ky është një ndër librat ku me qindra dokumente arkivore hedhin dritë dhe provokojnë njëkohësisht historianët në çështjen e rishikimit të një ngjarjeje kyçe historike figurave historike. Një libër voluminoz me rreth 700 faqe dhe format të madh, del në kuadër të rishikimit të historisë së pavarësisë me rastin e 100-vjetorit të saj. Të dhënat dhe fakte janë mahnitëse. Këtu pika vihet mbi i. Historiania e palodhur dhe skrupuloze thotë se faktet i ka lënë hapur “në dorë të lexuesit dhe të historianëve”. Ka të drejtë. Do të na mjaftojë botimi i disa prej tyre për të kuptuar sesi u arrit lëshimi i Shën Naumit Serbisë. Fakti që politikanët shqiptarë të kohës janë së bashku fajtorë me vendimmarrësit të provokon një ndjenjë jo të mirë...

Zonja Naska,çështja e Shën Naumit është çështja kyç në thelbin marrëdhënieve të diplomacisë së vendeve fqinje me Shqipërinë dhe atyre europiane. Çfarë ju detyroi të trajtoni një çështje kaq të mprehtë?

-Faleminderit për interesin rreth këtij libri. Unë jam përpjekur që si studiues e periudhës së Pavarësisë të nxjerr të gjitha të vërtetat historike në shesh. Gjatë gjithë karrierës sime jam munduar që në veprat e mia studimore të bëjë detyrën e historianit; të mbështetem tek fakti, tek argumenti dhe ta jap historinë ashtu siç është, pa ngjyrime të ndryshme. Gjithë gama e studimeve të mia rrok periudhën nga Rilindja Kombëtare deri në vitin 1924. E pashë që duhej patjetër dhe një studim që të përmbyllte problemin dhe çështjen e kufijve. Kjo është pika delikate e vendimeve të vitit 1913 me vendimet që mori konferenca e ambasadorëve dhe kjo më dha një shtysë. Së dyti, u nisa dhe nga fakti që shpesh herë ka debate të pacaktuara, që japin argumentime sipërfaqësore dhe me tepër nisen nga argumentet politike sesa historike. Pikërisht kjo ishte një nga këto shtysa që më bëri të ndërmarrë edhe këtë studim që është një trajtesë dokumentare që i japin vërtetësi problemit kaq të debatuar në historian kombëtare. Kjo histori është krijuar nga vetë diplomacia shqiptare pa përjashtuar dhe diplomacitë e huaja për çështjen e Shën Naumit-deri në kalimin e Shën Naumit në shtetin serbo-kroat.

Duket që për sa u përket studimeve çështja e Shën Naumit mbetet tabu për një shtrirje të plotë studimore. Pse?

-Nuk mund të themi se është tabu. Ka arkiva dhe studiues kanë shkelur mbi to dhe kanë bërë studime si profesor Arben Puto, Paskal Milo, Aurel Plasari, Stafa, që kanë bërë kërkime dhe kanë ndryshuar konceptin mbi këtë çështje. Si fenomen ka dalë i trajtuar.

E kisha fjalën për tabu, kur zbardhja e kësaj çështjeje prek imazhin e figurave të idealizuara historike në kuadër të rishikimit të historisë?

-Këto dokumente prekin vërtetë imazhin e figurave historike, prekin dhe diplomatë shtetesh dhe kryetar republike siç ishte Ahmet Zogu në vitin 1925, prekin figurat historike sado të njohura janë, sepse janë vetë këto figura që bëjnë politikat dhe detyrimisht fitet nëpërmjet individit në histori dhe do të procedohet me sinqeritet sa të dalë në shesh e vërteta. Kjo bëhet me një studim pa pasione dhe të mbështetur në të vërtetat historike.

Po figura e Ahmet Zogu sa mund të cenohet nga faktet dhe dokumentet e reja që sillen në librin tuaj?
-Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për figurën e Ahmet Zogut, por edhe figurave të tjera historike që janë ngritur për ta mbrojtur çështjen. Madje edhe Ahmet Zogu u përpoq ta mbronte këtë çështje, por pazaret që kishte bërë me jugosllavët para se të ishte Kryetar i Republikës e penguan. Përpjekja e tij nuk do të funksiononte se ai do t’u përgjigjej detyrimeve që kishte ndaj jugosllaveve. Megjithatë botimin tim e lë në dorë të gjithë lexuesve, të shohin të gjykojnë të lexojnë. Kjo është pasuri e madhe dokumentare që është vënë në shërbim të publikut të gjerë.

PERPJEKJET E PATRIOTEVE QE SHEN NAUMI T'I MBETEJ SHQIPERISE
Kaliopi Naska, autorja e librit “Shën Naumi dhe Diplomacia e kohës” me botimin e tij ka synuar që t’i sjellë lexuesit të gjerë dokumentet që ndriçojnë historinë e caktimit të kufijve politikë të shtetit shqiptarë, kryesisht në Shën Naum, i cili përbën një objekt më vete në historinë e caktimit të kufijve të tij. Dokumentet e botuara përfshijnë të gjithë historinë politike dhe diplomatike të lënies së sovranitetit të Shqipërisë, duke sjellë në vështrim problemin e ecurisë së kësaj çështjeje mjaft të debatuar. Në librin “Shën Naumi dhe Diplomacia e kohës botohen 249 dokumente, 80 për qind e të cilave botohen për herë të parë. Dokumentet janë vjelë kryesisht nga arkivat shqiptare si Arkivi qendror i shtetit dhe arkivat e huaja, konkretisht nga arkivi i Ministrisë së Jashtme të Francës. Për plotësimin e shpjegimeve të dhëna në analizat e bëra, autorja pohon se “janë kryer hulumtime edhe në Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, atë të Francës dhe të Gjykatës së Hagës. Sjellja e tyre në një libër historik përbën një vlerë të madhe njohëse në caktimin e kufijve shqiptarë dhe të historisë diplomatike të Fuqive të Mëdha në raport me çështjen shqiptare dhe qëndrimeve ndaj çështjes së Shën Naumit.

Dokument
Mehmed Konica, ministër Fuqiplotë i Legatës shqiptare në Londër i drejtohet Iliaz Vrionit, Ministër i Punëve të Jashtme, Tiranë

Londër, 9 prill, 1924
Nr.546/280

Zoti Ministër,
I ngarkuari me punët e Legatës sonë në Paris ju ka, natyrisht, lajmëruar mbi bisedimet e komisionit Legjist, i cili mbajti një mbledhje ne javën e shkuar me qëllim t’i jepet fund çështjes së Shën Naumit e Vermoshit. Pas lajmeve zyrtare që mora nga Guverna e këtushme puna qëndron kështu: në mbledhjen e fundme të Komisionit legjist përfaqësonjësi inlgiz nguli këmbë për nderimin e Konferencës së Ambasadorëve të vitit 1922, i cili e le Shqipërinë në dy vendet e sipërshënuar dhe e quajti çështjen e mbyllur. Përfaqësonjësi i Francës përkundrazi insititoi të anulohet vendimi i 1922-ës dhe të hapet çështja përsëri. Përfaqësonjësi italian mbajti një atitude qëndrim) neutralë, në mos drejtpërdrejtë kundër nesh. Përfaqësonjësi jiponez voton kurdoherë me shumicën. Çështja pra mbeti e varur. Javën që vjen komisioni do të mbajë dhe një tjetër mbledhje. Në qoftë se edhe në këtë mbledhje nuk pranohet pikëpamja e përfaqsonjësit ingliz, Guverna Britanike do të shtrojë çështjen përpara ligës së kombeve ose gjykatores ndërkombëtare të Hagës. Ka më shumë posibilitet ta shtrojë çështje para ligës se përpara gjykatores së Hagës. Pranoni ju lutem i nderuar ministër nderimet e mia të larta.

Dokument
Mehmed Konica, ministër Fuqiplotë i Legatës shqiptare në Londër, i drejtohet Iliaz Vrionit, Ministër i Punëve të Jashtme, Tiranë
Londër, 9 Prill, 1924

Nr.547/281-Bis

Zoti Ministër,
Dje vajta në Foreign Ofiçe ku poqa Nicolson. Disa minuta më parë kishte vajtur atje Ministri i Jugosllavisë dhe i kishte thënë Z-it Nicilson që Guverna Shqiptare ka koncentruar ushtri afër liqenit të Ohrisë dhe që ka ndër mend të okupojë Shën Naumin dhe për këtë arsye Guverna e tij mbylli kufirin në qark të liqenit. Edhe unë kisha edhe unë kisha vajtur në Foreign Office për atë punë. Si u tregova telegramin e zotërisë suaj nr. 533, me datë 7 të k.m.
I thashë zotërisë Z-it Nicolson që koncentrimi i ushtrisë shqiptare është një nga intrigat e zakonshme të serbëvet dhe mbyllja e kufirit ka për qëllim të trembë Guvernën tonë, të tmerrojë shqiptarët që gjenden në qarkun e Shën Naumit dhe të influencojë Konferencën e Ambasadorëve kundër nesh. Vrasja e dy amerikanëve nuk më duket të jetë e huaj në sjelljet Serbisë. Këto sjellje bëhen të paduruara nga fqinjët e saj dhe në mos ndërhyftë Guverna Britanike seriozisht që t’u jap funt njëherë e mirë, do të kemi prapë një luftë të përgjithshme. Vuajtjet e popullit ingliz që janë pema e e luftës së shkuar do tw shtohen dhjetë herë më tepër pas një lufteje të re. Sa për Shqipërinë ajo s’ka se ç’humbet se është edhe shkretuar.
Z.Nicolson më tha se Guverna Britanike do të ndërhyjë që të hapet kufiri me anë të përfaqësonjësit të saj nw Konferencë të Ambasadorëve, ku do të bisedohet protesta që ka bërë Jugosllavia kundër koncentrimit të ushtrisë shqiptare në kufi, por duhet që Guverna jonë t’i japë Z-it Eyres sigurime kategorike, që nuk kemi ndërmend të okupojmë Shën Naumin! E lamë fjalën që t’ju telegrafojë që të jepni sigurimet e duhura pasi të fjaloset z.Nicolson dhe njëherë me Kryeministrin mbi këtë punë dhe të më telefonojë se po. Më tha se do të më telefononte sonte. Por që t’ju telefonojë do t’ju telegrafojë pa vonim. Stërnipërit tanë do të këndojnë me habitje dhe me kryelartësi në analet diplomatike, që më 1924, si në kohë të Piros batalionet shqiptare të egërsuara fluturuan në kufi, me qëllim që të zaptojnë Shën Naumin, po fuqit’ e mëdha nërhyjtin dhe i qetësuan Shqiponjat, etj. Kështu shkruhet historia.

Pranoni ju lutem Zoti Ministër Nderimet e mia të larta.
(nënshkruar) Mehmet Konitza

(AMPJ.f.151.v.1924.D.64.fl.19)

II
Xhafer Vila, i ngarkuari me punë në Legatën Shqiptare në Paris i drejtohet Myfit Libohovës, Ministër i Punëve të Jashtme, Tiranë

Paris, 29 Prill 1925
Nr. 702
Atribuimi i Shën Naumit Shqipërisë

Aneks nr.1
Zoti Ministër,
Bashkangjitur kam nderin t’u njoftojë kopin e letrës së konferencës Ambasadoriale me të cilën na behet e njohur Vija e kufirit të sektorit të Shën Naumit. Me këtë vendim që ka një karakter definitiv çështja e Shën Naumit më në fund në favor të Shqipërisë. Me këtë rast ndjej gëzim të pakufishëm se paravështrimet e kësaj legate nuk mu përgënjeshtruan me fakte.
Pritni ju lutem i zoti Ministër, nderimet e mija më të lartëra.

Nënshkruar Xhafer Vila
(AMPJ.F151.V.1925.D.107.fl.146.)


Vendim i këshillit të Ministrave*

Tiranë, 8 shkurt 1925
Meqenëse po vazhdojnë kështu fjalimet mbi çështjet e Vermoshit e të Shën Naumit me të dërguarin e posaçëm të qeverisë jugosllave Këshilli Ministruer në bisedën e tij të sotshme mbi një anë vendosi që të dërgohet një komision në Vermosh e një anë tjetrë në Shën naum. Për të studiue gjendej hollësisht se çfarë ratifikimesh mund të bëhen në vijën e kufinit të atyre Viseve. E mëb anë tjetër vendosi që t’autorizohet Minstria e Punëve të Jashtme për të marrë vendimin e përfaqësuesit t’onë të Parisit e atij të Komisionit të Kufive, sesi qëndron çështja a është në favorin tonë apo të Jugosllavisë, që të mund mandej këshilli të drejtojë veprimet e veta mbi këtë cashtje.
Kryesekretar i Këshillit Ministruer .
(Aqsh.fq 149.V.1925.D.I-728.fl.1)

*Më 21 janar 1925 Kuvendi Kushtetues zgjidhi çështjen e formës së regjimit duke shpallur republikën. Më 31 janar 1925 Ahmet Zogu u Shpall President dhe u quajt kryetar i Republikës. Më 1 shkurt deri më 23 shator 1925 u krijua kabineti i ri qeveritar. Myfit Libohova mbante postin e Ministrit të jashtëm dhe të Financës (Kaliopi Naska)

FAIK KONICA I DREJTOHET KESHILLIT TE MINISTRAVE TIRANE

Boston 13 shkurt 1925
Një miting i madh shqiptarësh nga Bostoni dhe nga vise të tjera të Amerikës pas shumë bisedimesh votoj këto stop Koncensionin e vajgurit të Kompanisë anglo-persian pa pyetur një parlament të regullshmë dhe pa marrë në sy oferta të mira nga kompania të tjera. Ky meting e quan të pakanunueshme dhe nulle stop idenë e faljes së Shën Naumit nga Serbia kur gjykatorja e Hagës ia kish dhënë Shën Naumin Shqipërisë, ky meting e dënon si një mendim tradhtie stop. Për të shkelurit të lirisë së shtypit dhe të fjalës ky meting proteston em forcë stop shqiptarët të mbledhur sot këtu si përfaqësonjës të opinionit publik të lirë çfaqin shpresën se Guverna do të ndreq gabimet e saj dhe do të nis paskëtaj një politikë kombëtare dhe të ndershme stop.

Faik Konica
Chairman

(Gre.M/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga

Dedikim për vajzën që do të vijë në jetë, Bardhi: Emrin do ta zbuloj te kënga