Shëndeti mendor,
ligji i ri me probleme

Shëndeti mendor, <br />ligji i ri me probleme
Rreth 33 % e shqiptarëve janë prekur së paku njëherë nga depresioni, sëmundja, që sipas OBSH-së, në vitin 2030 do të jenë e para në listën e sëmundshmërisë në të gjithë botën. Në një vit vetëm në Tiranë kërkojnë ndihmë tek specialisti rreth 12 mijë persona, ndërkohë që sipas Autoritete Shëndetësor Rajonal të kryeqytetit, nga këto vetëm për 9 muajt e parë të 2012 kanë kërkuar ndihmë rreth 3 mijë fëmijë. Ndër shkaqet kryesore të rritjes së depresionit, sipas OBSH-së, është papunësia dhe varfëria.

Ndërkohë që sipas specialistëve të shëndetit mendor edhe ligji i ri, i cili sapo është miratuar nuk e zgjidh plotësisht mënyrën se si do të u ofrohet shërbimi atyre që kanë probleme me shëndetin mendor. Sipas ekspertëve, dy pikat e dobëta të ligjit të ri, është fakti se ai lë në harresë kategori të veçanta personash, siç janë gratë e dhunuara apo familjet e ngujuara ndërsa thuajse anashkalon krejtësisht ata që vuajnë nga çrregullime mendore por që kanë kryer një vepër penale.

Ligji i ri
Ligji i ri "Për shendetin mendor" u miratua në Kuvendin e Shqipërisë në datë 12 prill 2012. Ai shënon një hap të rëndësishëm përpara në fushën e legjislacionit specifik për mbrojtjen e shëndetit mendor të shtetasve dhe, në një rrafsh me të gjerë, në fushën e legjislacionit për liritë dhe të drejtat e njeriut. Në këtë ligj kanë gjetur zgjidhje disa nga mangësitë e ligjit të vjetër. Megjithë përmirësimet e dukshme ligji i sapo hyrë në fuqi lë për të dëshiruar për mënyrën se si ai do të përshtatet e zbatohet në Shqipëri. Ligji i ri ndërkaq ka lënë në harresë kategori të veçanta personash që janë subjekte të dhunës fizike, psikologjike dhe traumave që derivojnë, si p.sh. ajo ndaj gruas apo familjeve të ngujuara për shkaqe kanunore…

Një problem i rëndësishëm dhe i prekshëm ishte ai i monitorimit dhe përmirësimit të kushteve për personat me çrregullime mendore që kanë kryer vepër penale (personat që vuajnë dënimin me burg). Është pritur një trajtim me serioz dhe më profesional për këtë kategori personash, të cilët janë me vulnerabile ndaj problemeve të shëndetit mendor. Ligji i ri pothuajse e anashkalon këtë kategori, duke e përmendur thjesht në terma të përgjithshëm, pa specifikuar probleme apo trajtime të veçanta. Megjithë përpjekjet e OJF-ve të ndryshme si edhe rakomandimeve të Këshillit të Europës kjo kategori nuk është përmendur sa duhet në ligj. Aktet nënligjore dhe tranzitore i janë lënë në dorë- normalisht- Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë.

Ende pa u miratuar ligji këto ministri morën një iniciativë të rëndësishme. Ish-Ministri i Shëndetësisë, zoti Petrit Vasili dhe Ministri i Drejtësisë, zoti Eduard Halimi nënshkruan memorandumin për krijimin e institutit shëndetësor për trajtimin e të burgosurve me çrregullime mendore. Kjo marrëveshje erdhi si reagim ndaj raportit te KiE mbi situatën alarmante në istitutet e paraburgimit dhe të burgimit në Shqipëri. Të dy ministrat nënvizuan rëndësinë e saj ne kuadrin e masave për garantimin dhe mbrotjen e të drejtave njeriut e në veçanti të së drejtës së trajtimit njerëzor dhe përkujdesjes mjekësore për çdo të burgosur. Ministrat shprehen ndërkaq angazhimin e ministrive përkatëse për paraqitjen e një projektvendimi në qeveri në mënyrë që ngritja e institutit të futet në rrugën e realizimit brenda një kohe optimale. Memorandumi parashikon fillimisht ngritjen e grupit ndërministror që do të merret me përcaktimin e vendit ku do të ngrihet instituti si dhe me përllogaritjen e faturës financiare. Kjo marrëveshje shënonte hapin e parë zyrtar për zgjidhjen e problemit të të burgosurve me probleme mendore si dhe për promovimin në këtë rrafsh të drejtave të njeriut në Shqipëri. Megjithatë informacionet për punën e këtij gupi ndërministror janë të pakta dhe të turbullta deri tani. Natyrisht, mungesa e mbështetjes financiare kufizon të gjitha iniciativat në këtë rrafsh.

MONITORIMI

Një hap përpara në ligjin e ri është bërë në aspektin e monitorimit. Struktura monitoruese janë Komiteti Kombëtar i Shëndetit Mendor, i cili është organ këshillimor i Ministrit të Shëndetësisë si dhe Avokati i Popullit. Vendosja e Avokatit të Popullit në rolin kryesor të monitorimit të jashtëm të shërbimeve të shëndeti mendor funksionon "de jure" që nga Janari i vitit 2008, si Mekanizëm Kombëtar për Prandalimin e Torturës, Trajtimit Çnjerëzor dhe Poshtërues.

Ky funksion i është atribuar Avokatit të Popullit nga një rezolutë e veçantë e Kuvendit të Shqipërisë, si detyrim ndëkombëtar, që buron nga protokolli opsional i Konventës Kundër Torturës (OPCAT) i OKB-së, i cili është ratifikuar nga Kuvendi i Shqipërisë dhe është bërë pjesë e legjislacionit të brendshëm me ligjin nr.9094, të datës 3 korrik 2003. Duhet thënë që kësaj strukture të rëndësishme i është dëgjuar zëri vetëm me zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit, gjë që jep shpresë se do të jetë akoma më eficiente tani që është përfshirë edhe në ligjin e ri për Shëndetin Mendor. Një problem mbetet roli i organizatave jofitimprurëse në këtë rrafsh. Mënyrat dhe kushtet në ts cilat ato do veprojnë për të asistuar personat apo kategoritë në nevojë nuk janë specifikuar qartësisht. Roli i shoqërisë civile është sanksionuar edhe në konventat ndërkombëtare në të cilën Shqipëria ka aderuar dhe si rrjedhoje ka obligime t'i zbatojë.
Ministritë përkatëse dhe Këshilli i Ministrave kanë në dispozicion, aktualisht, një afat disamujor për të përgatitur aktet nënligjore dhe tranzitore.

Shkrimi u publikua sot në Suplementin Shëndeti, në gazetën Shqiptarja.com(print), 20 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Përplasja e bandave në Elbasan, C4 që do kishte shkaktuar masakër në treg! Çfarë rrëfeu shënjestra: Isha postieri, shënjestra…

Përplasja e bandave në Elbasan, C4 që do kishte shkaktuar masakër në treg! Çfarë rrëfeu shënjestra: Isha postieri, shënjestra…