Shahini flet pas largimit nga detyra, tregon pengjet: Jam zhgënjyer, na diskriminuan për shkak të dialektit

Shahini flet pas largimit nga detyra, tregon pengjet: Jam zhgënjyer, na diskriminuan për shkak të dialektit

Edi Rama dhe Besa Shahini

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini u zëvendësua nga deputetja e PS-së Evis Kushi. Kryeministri Rama shprehu keqardhjen për largimin e Shahinit, e cila tha se nuk mund të vazhdonte edhe një mandat tjetër larg familjes së saj.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Shahini shkruan se është krenare për punën që ka bërë dhe reformat në arsim.

Gjithashtu Shahini nuk ka mbetur pa bërë edhe një koment për opozitën, për të cilën tha se është zhgënjer nga diskriminimi për shkak të dialektit kosovar. Ndërsa ka shprehur se ka qenë e paimagjinueshme për të që opozita do të ngrihej nga dita e parë të sulmojë prejardhjen dhe dialektin e tyre.

Postimi i plotë:

Angazhimi im në Shqipëri filloi para tri viteve, kur përmes një telefonate, kryeministri më ftoi të takoj ekipin e tij për bashkëpunim të mundshëm me qeverinë shqiptare. Une isha aktiviste në Kosovë dhe kur advokoja për çështje të arsimit, merrja Shqipërinë si shembull që duhej ndjekur, për shkak se reformat që ishin ndërmarrë nga qeveria socialiste kishin dhënë rezultate të matshme pozitive.

Ndihem me fat që pata nderin të shërbej drejt përmirësimit të mëtejshëm të sistemit arsimor, në Shqipërinë që kam dashur shumë duke e parë nga jashtë, dhe e dua akoma më fort tani që e njoh çdo cep të saj. Nga Dibra në Durrës, nga Puka në Sarandë, kam takuar dhe dëgjuar mijëra mësues dhe nxënës, për të kuptuar se si sistemi arsimor mund të bëhet akoma më gjithëpërfshirës, më i barabartë e me cilësor, si dhe të ofroj përvojë më të mirë arsimore për të gjithë. Por, kam kuptuar edhe se si rreh zemra e madhe e Shqipërisë, një vend që nuk gjunjëzohet, por përballon, forcohet me çdo sfidë dhe vazhdon përpara. Asnjëherë më qartë e më mirë nuk është parë kjo se sa pas tërmetit dhe gjatë fillimit të pandemisë, kur njerëzit u bën bashkë dhe qëndruan.

Jam krenare me punën që kemi bërë me "Paktin për Universitetin", projekti kryesor që është zbatuar ndonjëherë në arsimin e lartë, i cili ngërthen në vetvete investimet në infrastrukturë, ndërhyrjet në cilësi të arsimit, si dhe pjesën financiare me bursat dhe përgjysmimin e tarifave, efektet e të cilave u ndjenë nga mbi 90 mijë studentë.

Sivjet, kemi siguruar edhe qasjen në platformën antiplagjiaturë për të gjitha universitetet publike. Fatkeqësisht, kjo platformë nuk është përdorur akoma sa duhet. Ekziston një mospërputhje mes nevojës për të ruajtur autonominë akademike në universitete dhe mënyrën se si universitetet e kanë përdorur këtë autonomi, shpesh në kundërshtim me përpjekjet për rritje të cilësisë së arsimit. Duhet të gjendet mënyra për të detyruar universitetet që të sigurojnë integritet akademik. Ky është një premtim që ia kemi dhënë studentëve dhe forma e vetme për të bërë kapërcimin në përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Kritikët më kanë cilësuar si ministre teknike, por të gjithë e dinë shumë mirë se angazhimi im ka qenë politik. Kam treguar përgjegjshmëri të lartë politike kur kam njoftuar kryeministrin në korrik se unë nuk mund të vazhdoj edhe për një mandat tjetër larg familjes, rrjedhimisht nuk duhet të mbaj një post kaq të lartë politik para betejës së madhe së PS për mandatin tjetër, të cilin duhet patjetër ta marrë nëse e duam Shqipërinë të eci përpara.

Gjithashtu, bashkimi kombëtar nuk është çështje teknike, ndaj angazhimi për të, siç jam angazhuar unë, është angazhim politik. Kurajo që ka treguar kryeministri dhe Partia Socialiste, për të përfshirë aktivistë politikë nga Kosova në qeverisjen në Shqipëri, tregon përkushtimin për një bashkëpunim të thelluar kombëtar shqiptar.

Jam zhgënjyer me të gjithë ata që kanë punuar kundër këtij projekti të madh. Ka qenë e paimagjinueshme për mua që opozita do të ngrihej nga dita e parë të sulmojë prejardhjen dhe dialektin tonë. Të thuhet se shqiptarët që flasin dialektin Kosovar (apo verior) janë më pak inteligjent apo me pak të mençur, është epitomi i racizmit. Natyrisht, s'mund të quhet racizëm se jemi i njëjti komb, por që janë përdorur taktika të njëjta, kjo nuk mund të mohohet.

Beteja politike ditore mes partive nuk guxon të dëmtojë marrëdhëniet mes shqiptarëve. Për këtë arsye, unë nuk do të ndaloj kurrë së punuari drejt afrimit të kombit tonë. Është dhurata më e mirë që mund t'ia lëmë gjeneratave që vijnë.

Unë, do të angazhohem gjithashtu edhe për të majtën: një të majtë të re dhe demokratike, përkundër të majtës së vjetër dhe populiste. Një të majtë që ngërthen më thellë diskursin feminist se sa vetëm në përfaqësim të grave në qeverisje, që Partia Socialiste e ka bërë shumë mirë, por që nuk mjafton për ta luftuar patriarkalizmin.

Do ta mbështes ministren e re Evis Kushi edhe përtej dorëzimit të punës, që të sigurojmë vazhdimësi të projekteve kryesore, si dhe do të jem gjithmonë në dispozicion për çfarëdo lloj kontributi që mund të ofroj për qeverinë shqiptare.


Lajmi kryesor:

Ministrja e Arsimit zëvendësohet me deputeten Evis Kushi! Rama: Keqardhje për largimin tënd/ Shahini: Jam zhgënjyer, na diskriminuan për shkak të dialektit


  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari

Kurbin/ Humb kontrollin e mjetit dhe del nga rruga, ndërron jetë 65- vjeçari