Shakaxhinjtë e integrimit

Shakaxhinjtë e integrimit

Brukseli

Shqipëria është kombi më pro-Bashkimit Evropian në Europë. Çdo anketë dhe vrojtim i strukturave të njohura thithëse të opinionit qytetar, si Gallup International, Euro Barometër, Balkan Barometër, etj. i ka nxjerrë shqiptarët si më entuziastët në kontinent, në lidhje me të ardhmen e anëtarësimit të tyre në grupimin më të madh të shteteve në botë, që quhet BE.

Partitë tona politike, në përplasjet e tyre të përditshme, duhet ta mbajnë mirë parasysh këtë. Çdo lojë partiake me të ardhmen e bisedimeve për futjen në Bashkimin Evropian është kosto dhe humbje imazhi e pikësh përballë votuesve të tyre. Për qytetarin tonë tingëllojnë të huaja mendime të tipit :”Ne nuk jemi gati për në BE dhe dhënia e mendimit kundër për çeljen e bisedimeve nga parlamentet e ndonjërit prej vendeve anëtare të këtij Bashkimi, është nota që meritojmë të marrim”.

As Bullgaria dhe Rumania nuk ishin gati dhe nuk e meritonin anëtarësimin, megjithatë hynë më 1 janar 2007 në BE. Në atë kohë, edhe grupimet politike me tendenca më anti-evropiane bullgare dhe rumune nuk artikuluan ide të tilla. I mëshuan vetëm disavantazheve të të qënit vend anëtar i BE-së. Realiteti tregoi se nuk kishin të drejtë  Për më shumë se 10 vjet, mirëqënia ekonomike, siguria shoqërore dhe dobitë e tjera të qytetarëve të këtyre vendeve nga anëtarësimi, kanë njohur vetëm rritje.

Shqiptarët i dinë mirë këto përfitime. 17 prilli, dita kur Komisioni Europian, qeveria e Bashkimit Evropian, i dha rekomandimin Parlamentit të këtij bashkimi shtetesh, Këshillit të Evropës të çelë bisedimet e anëtarësimit me Shqipërinë, ishte një ditë gëzimi dhe shprese për të gjithë ne. Perspektiva e hapur e anëtarësimit nxit investimet e huaja të drejtpërdrejta tek ne. Ajo e inkurajon më shumë që të qëndrojë dhe riskojë kapitalet e veta këtu çdo sipërmarrës të huaj që i reziston realitetit të ashpër shqiptar.

Çelja reale e bisedimeve është veç përgjegjshmëri e shtuar për qeverinë dhe qeverisjen. Ekonomia jonë do të rrisë sigurinë e politikave të saj publike monetare dhe fiskale, pikërisht nga e ardhmja e të qënit vend anëtar i Bashkimit Evropian. Më e pakta dhe më e dukshmja si përfitim, fondet e ndihmës nga BE do të rriten nga 80-85 milionë euro në vit që janë sot, me 30-35 milionë euro të tjera.

Edhe pse nuk do të ketë menjëherë rritje rrogash e pensionesh, sikurse disa në mënyrë naive edhe mund ta mendojnë, dobitë e nisjes së procesit konkret të anëtarësimit janë të gjitha aty, të dukshme. Diskutimet se sa e meritojmë apo jo ne çeljen e këtyre bisedimeve janë shterpë dhe totalisht të pakuptimta. Xhelozia ndaj qeverisë së rradhës që po përjeton këtë hap të madh integrues është po ashtu kapital, energji dhe emocion i plotë negativ, jo-shqiptar, për të cilin as kemi nevojë, as edhe duam ta shohim. Aspirata për të qenë një vend me të drejta të plota të Bashkimit Evropian është një nga dëshirat më të forta dhe sublime të çdo shqiptari. Mbi këtë aspiratë u ndërtua e gjithë skakiera politike e Shqipërisë pas përmbysjes së komunizmit.

Asnjë grupim partiak sot nuk duhet as ta mendojë që të luajë politikisht me këtë aspiratë. Është gjëja më e shëmtuar dhe antikombëtare. Nuk bëhet shaka me orientimin pro-perëndimor dhe pro-BE të vendit tonë. Vërtet nuk jemi qytetarë aktivë, që menjëherë në dukje të këtyre opinioneve anti-kombëtare të dalim në rrugë dhe të protestojmë, por bjerrja në përkrahje politike dhe vota e atyre partive që sot marrin guximin të tregohen qoftë edhe disi si fshehtas me ngjyra anti-evropiane, do të jetë e fortë.

Nuk na duhen “shakaxhinjtë” e integrimit! Boll kemi patur në historinë e dhimbshme të vendit tonë haxhiqamilë e shakaxhinj të përparimit. E ardhmja e vendit tonë në BE është tërësisht e sigurtë dhe e hapur, edhe nëse ndonjë parlament i 28 shteteve anëtare të Bashkimit Evropian mund të japë ndonjë opinion me rezerva më 28 qershor 2018, ditën kur Këshilli i Evropës do të shprehet për rekomandimin e Komisionit Evropian për çeljen e bisedimeve me ne.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj

Sali Berisha: Do heqim mesataren për pranimin në universitete! Studentët do marrin 200 euro çdo muaj