Shakira dhe UNICEF,thirrje liderëve
Investoni për zhvillimin e fëmijëve

Ambasadorja e Vullnetit të Mirë të UNICEF, Shakira, inkurajoi liderët botërorë për të investuar sa më shumë në zhvillimin e fëmijërisë së hershme, në vijim të njohurive që po përfitohen nga të rejat shkencore që po japin një ndihmesë shumë të madhe në të kuptuarit e ndikimeve afatgjata që krijon deprivimi dhe stresi në zhvillimin e trurit të fëmijëve të vegjël.

"Më shumë se 100 milion fëmijë janë jashtë sistemit shkollor, dhe 159 milion djem dhe vajza nën moshën 5 vjeçare janë më të shkurtër për moshën, nga ana fizike dhe njohëse, për shkak të mungesës së përkujdesjes dhe ushqyerjes së duhur. Çdo vit që kalon, kur ne nuk bëjmë investimet e duhura në zhvillimin e fëmijërisë së hershme dhe ku nuk ndërmarrim iniciativa që trajtojnë këto çështje, me miliona fëmijë lindin në ciklin e njëjtë të varfërisë dhe të mungesës së mundësive. UNICEF dhe unë kemi bashkuar forcat dhe jemi këtu sot sepse të investosh te fëmijët në fazë të hershme është një çështje shumë urgjente dhe ne nuk duhet të humbasim më kohë," deklaron Shakira.

Truri zhvillohet më shumë gjatë fëmijërisë së hershme, pasi rreth 1,000 lidhje neuronesh ndodhin çdo sekondë. Këto lidhje të hershme sinaptike krijojnë bazat e shëndetit dhe mirëqenies së fëmijës, duke përfshirë mundësinë e të mësuarit gjatë gjithë jetës, përshtatjen ndaj ndryshimit dhe përballjen me problematikat. Gjithsesi rreth një e treta e të gjithë fëmijëve nën moshën 5 vjeçare, në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme, po rriten në mjedise dhe kushte të tilla që mund të kenë një ndikim gjatë kësaj periudhe të rritjes dhe zhvillimit të shpejtë.

Kërkimet e reja shkencore tregojnë se truri në zhvillim e sipër i fëmijëve të vegjël ndikohet aq shumë nga faktorët mjedisorë sa edhe nga ato gjenetikë. Ushqyerja e papërshtatshme, mungesa e stimulimit dhe stresi toksik mund të kenë një ndikim negativ në zhvillimin e trurit. Por gjithashtu tregon se ndërhyrjet e hershme me kosto efektive siç mund të jenë inkurajimi i ushqyerjes me gji ose të lexuarit e të luajturit me fëmijët e vegjël, si edhe programet formale të fëmijërisë së hershme, mbështesin pasjen e një zhvillimi më të shëndetshëm të trurit.

Këto gjetje kanë një ndikim të rëndësishëm për fëmijët që rriten në një varfëri ekstreme, që janë të ekspozuar ndaj dhunës në familje, ose që jetojnë në vende të prekura nga konfliktet dhe krizat e tjera. Të gjithë këto ndikime mbi zhvillimin e trurit mund të ndryshojnë edhe gjenet, gjë që mund të ketë ndikim në brezat e ardhshëm.

“Ajo që po mësojmë ne rreth gjithë këtyre elementëve që kanë ndikim mbi trurin e fëmijëve - pavarësisht nëse trupi i saj është ushqyer ashtu siç duhet, pavarësisht nëse mendja e saj është stimuluar, pavarësisht nëse ajo është e mbrojtur nga dhuna – duhet të ndryshojë mënyrën se si ne mendojmë mbi zhvillimin e fëmijërisë së hershme... dhe mënyrën se si ne reagojmë,” deklaroi Drejtori Ekzekutiv i UNICEF Anthony Lake. “Në mënyrë që t’i japim çdo fëmije shansin e duhur në jetë, ne duhet të investojmë herët, të investojmë në mënyrë të barabartë dhe të investojmë me zgjuarsi – jo vetëm në fushën e arsimit por gjithashtu në atë të shëndetësisë, ushqyerjes dhe në të mbrojtjes.”

Të dhënat tregojnë se investimet në fëmijërinë e hershme janë një nga mënyrat më efikase nga ana financiare për të arritur zhvillimin e qëndrueshëm. Raportet ndërmjet kostos dhe përfitimit tregojnë se për çdo dollar të shpenzuar për përmirësimin e fëmijërisë së hershme, kthimi mund të jetë mesatarisht 4 deri në 5 herë më i lartë sesa sasia e investuar dhe në disa raste shumë herë më e lartë.

Së bashku me Shakirën ishte dhe Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon, Drejtori Ekzekutiv i UNICEF Anthony Lake, Dr. Jack P. Shonkoff, Drejtor i Qendrës Universitare të Harvardit për Zhvillimin e Fëmijëve, si edhe liderë në fushën e biznesit gjatë një aktiviteti privat mbi zhvillimin e fëmijërisë së hershme në OKB, në New York. 

Ky aktivitet ishte në linjë me njoftimin e kësaj jave lidhur me Objektivat e reja të Zhvillimit të Qëndrueshëm, i cili do të përfshijë zyrtarisht zhvillimin e fëmijërisë së hershme si pjesë e një axhende transformuese nga viti 2015 e më tej. Zhvillimi gjatë fëmijërisë së hershme krijon një lidhje natyrale ndërmjet synimeve të reja globale, e cila do të ketë efekte të shumëfishta që do të trajtojnë varfërinë, do të përmirësojnë gjendjen shëndetësore dhe ushqyerjen, do të promovojë barazinë gjinore dhe do të ulin dhunën.

“Kthimi i këtij arsyetimi në praktikë mund të ndryshojë jetën për miliona fëmijë që jetojnë në situata të pafavorshme,” deklaroi Lake. “Njohuria që kemi është e pakundërshtueshme. Argumentimi moral është i fortë. Rasti i investimeve është bindës. Momenti i OZHQ-ve është me ne. Dhe fuqia për të vepruar është në duart tona.”

Mbi UNICEF

UNICEF promovon të drejtat dhe mirëqenien e çdo fëmije, në çdo gjë që ne bëjmë. Së bashku me partnerët tanë ne punojmë në 190 vende dhe territore për të përkthyer përkushtimet në veprime konkrete, duke përqendruar përpjekjet për të arritur fëmijët më vulnerabël dhe të përjashtuar, për të mirën e të gjithë fëmijëve, kudo që ata ndodhen.
shakira
Redaksia Online
(m.p/shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 13 Janar, 10:25

    Nisi regjistrimi, a do të marrë pjesë masivisht në zgjedhje diaspora?



×

Lajmi i fundit

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë

U konfliktua me doganierin, nis hetimi për shefin e stacionit të Policisë Kufitare Kapshticë