'Sharlatanët në ekrane shkelin shqipen’, Xhufi: Urgjencë kombëtare! Yzeiri: Kanë zaptuar mediat, të merren masa

Në emisionin “Përballje” në Report Tv u diskutua për peticionin e firmosur prej shumë akademikëve, profesorëve dhe studiuesve lidhur me shumë njerëz që dalin në emisione në media e flasin pa asnjë bazë shkencore, kryesisht për gjuhën shqipe, duke krijuar teza të ndryshme.

Profesor Pëllumb Xhufi i ftuar në studion e Report Tv, u shpreh se kemi të bëjmë me një problem kombëtar, i cili ka lindur edhe si pasojë e tolerancës së institucioneve shkencore. Xhufi thotë se këto teza për gjuhën shqipe vijnë nga njerëz të pandërgjegjshëm të cilët godasin edhe figura të shkencës si profesor Eqrem Çabej. Intelektualët ngrenë alarmin se duhen marrë masa menjëherë.

“Është një shqetësim kombëtar. Siç e keni parë listën në krye është profesor Qosja dhe të tjerë të nderuar dhe një listë e gjatë profesorësh studiuesish. Personalitete publike që janë edhe kërkues shkencorë, si presidenti Topi. Këtu është një histori që u bë 30 e ca vjet që vazhdon nga njerëz që e kanë keqkuptuar lirinë. Mendojnë se liria të jep të drejtën të thuash gjithçka. Kemi të bëjmë me një klasë të tërë që është rritur në këto vite duke ndeshur në tolerancën e institucioneve shkencore. E kam me ata kolegë ata që nuk bëjnë detyrën e tyre. Ka dhe me tituj, profesorë. Është problemi që kjo histeri që ka ngjallur përmes internetit këta njerëz të pandërgjegjshëm të paformuar të cilët na bëjnë edhe me turp, kur ndeshim edhe me ndonjë kolegë të huaj. E marrin për të vërtetë, tani ka edhe fëmijë por edhe të rritur që janë fëmijë. Mund të jenë edhe vullnet dhe ju bëhet qejfi kur iu thuhet që shqipja ka gjeneruar të gjitha gjuhët e botës. E këto janë marrina dhe biseda e këtyre njerëzve fillon politikisht që kemi qenë të ndrydhur deri tani me regjimin e Hoxhës. Shprehen politikisht dhe pastaj thonë neve kemi fituar lirinë dhe mund të themi gjithçka dhe fillojnë  me shpjegimin qesharak dhe godasin pastaj ata që i kemi ikona të shkencës si profesor Çabej, profesor Domi dhe godasin me arrogancë të veçantë studiues të gjuhës shqipe”, tha Xhufi.

Ndërsa pedagogu Ilir Yzeiri një tjetër firmëtar i peticionit tha se ky fenomen i këtyre “sharlatanëve” ka lindur pas viteve 90’ dhe ata kanë kurajo të godasin institucionin e studimeve shqiptare. Yzeiri propozon që gjitha standarde të mbrohet me ligj dhe kështu sipas tij i jepet një rol më i madh AMA-s e cila mund të vendosë edhe gjoba në rastet kur shkelet gjuha shqipe.

Yzeiri thotë se edhe televizioni publik duhet të ketë rol edukues për audiencat, si psh me emisione të caktuara për shqiptimin e gjuhës shqipe.

“Jemi ndër të paktët që e kemi përballur në media këtë fenomen drejtpërdrejt. E kemi denoncuar dhe i kemi treguar këta sharlatanë dhe gjithë hapësirën që kanë në media. Nuk ka filluar tani, ka filluar pas viteve 90’. U godit gjithçka e asaj periudhe dhe goditjen më të egër e mori gjuha shqipe. Këtë mrekulli që u arrit pavarësisht regjimit. Gjuha standarde që unifikon një komb nuk ka lidhje me situatat politike. Morën kurajo të gjithë sharlatanët dhe të godasin institucionin e studimeve shqiptare. Miku im Aristotel Spiro më tha se ky fenomen është i hapur edhe në Greqi, por vetëm me një ndryshim që atje asnjë media nuk i qas. Ka një media të specializuar për këta. Në Greqi e kanë zgjidhur, mediat vetë nuk i fton”, u shpreh Yzeiri.

Botuesja Arlinda Dudaj shtoi se jemi një moment të vështirë dhe sipas saj AMA duhet të jetë shumë e kujdesshme pasi kështu në këtë mënyrë përhapen lajme të rreme, prandaj nevojën kuadro ligjorë.

“Realisht jemi në një moment shumë të vështirë. Nuk jemi vetëm ne. Kanë gëluar njerëz që të thonë çfarëdolloj gjëje pa asnjë filtër. Por ajo gjë që mund të arrihet të paktën tek mediat të merren masa. Dhe një nga këto është dhe që AMA të jetë shumë e kujdesshme për të ndaluar. Nuk është censurë. Jo! Nëse mendimi yt nuk ka të bëjë me shkencën, ti nuk je i zanatit, nuk ke të drejtë të ma thuash mua në televizor. Por mendoj  që edhe me arsimi në tekstet shkollore janë pjesë e problemit të madh dhe duhet vepruar me të gjitha mënyrat. Secili në atë të voglën e vetë mund të bëjë diçka për të ndaluar ato që quhen “fake news”. Është shumë e vështirë t’i shpëtosh. Jo vetëm lajme të rreme por edhe ata që flasin për shkencë, albanologjinë dhe të ndërmerret edhe diçka ligjore”, shtoi Dudaj.

Të tre firmëtarët e peticionit drejtuar AMA-s, njëzëri kërkuan të merren masa ligjore, që në mënyrë që të mos ketë dezinformim për çështje shkencore të tilla, si dhe gjuha shqip standarde të mbrohet me ligj. Gjithashtu ata janë kërkues ndaj institucioneve publike në vend, që gjuha shqipe të flitet dhe të shkruhet saktë.  

Ky peticion i firmosur nga një grup intelektualësh iu drejtua Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA) për të ndërmarrë nisma edhe ligjore që këta njerëz të mos dalin më haptazi në emisione televizive pasi sipas tyre dezinformojnë publikun me teza joshkencore.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:10
Gjuha shqipe/ Botuesja ngre alarmin: Rrjetet sociale po dëmtojnë fëmijët, gjithçka e mësojnë anglisht!

 

Botuesja Arlinda Dudaj në emisionin “Përballje” në Report TV ngriti shqetësimin se rrjetet sociale po dëmtojnë fëmijët lidhur me mësimin e gjuhës shqipe. Dudaj vë theksin tek edukimi dhe kulturimi që në fëmijëri edhe nga prindërit, të cilëve Dudaj iu bën thirrje t’iu lexojnë fëmijëve përralla në gjuhën shqipe. Sipas saj, fëmijët shpesh dëgjojnë përmes TikTokut apo rrjeteve të tjera sociale fjalë anglisht, të cilat nuk i kuptojnë dhe më të thjeshtë kanë artikulimin e fjalëve anglisht sesa shqip.

“Mendoj që një nga konkluzione që arritëm është pikërisht që duhet punuar jo të arrihet në universitet sepse zgjedhin edhe degë të ndryshme për arsye personale. Edukimi dhe kulturimi që në vitet e para të jetës, nis që nga prinid që i lexon përralla dhe tek kujdesi që duhet bërë shumë se çfarë fëmijët mbajnë nëpër duar. Diçka që ka dëmtuar janë edhe rrjetet sociale. Nuk kam asgjë me anglishten, por nuk arrij t’i kuptoj fëmijët që iu, mësohet anglishtja. Përdorin fraza të gatshme edhe në anglisht e flasin në mënyrë mekanike  siç e  shikojnë në TikTok. Edukimi që në fazat e para të rritjes edhe shkolla për të pasur mundësinë edhe për tekstet”, tha Dudaj.

Ora 15:07
Yzeiri: Këta sharlatanë thonë se gjuha shqipe është sllave, ja ku e kanë problemin

 

Pedagogu Ilir Yzeiri një prej firmëtarëve të peticionit ku kërkohet marrja e masave për personat që flasin në media për gjuhën shqipe pa asnjë bazë shkencore, deklaroi në emisionin “Përballje” se problemi më i madh që kanë këta persona është se duke përmendur huazimet që ka shqipja, e nxjerrin atë si pjesë të gjuhëve sllave.

“Problemi që kanë këta lloj sharlatanësh janë huazimet, duke qenë se kanë qenë një objekt studimi për gjuhëtarët, këta thonë meqë kemi dhënë dhe kemi marrë me sllavët dhe grekët e vjetër, këta na  e nxjerrin shqipen sikur është sllave. Anglishtja dhe frëngjishtja kanë dhënë e marrë me njëra tjetrën, aq sa francezët thonë se anglishtja është frëngjishte e folur keq. Konspiracionistët dhe njerëzit me zgjatime mendore jo normale janë të pranishëm por çdo shoqëri matet me hierarkinë e vlerave”- u shpreh Yzeiri ndër të tjera.

Ora 14:58
Akademikët ngrenë alarmin: Dokumentet zyrtare shkruhen me gabime drejtshkrimore

Promovimi i dijeve amatoreske, përmes ekraneve e mediave në tërësi, ka alarmuar studiues, intelektualë nga më të rëndësishmit në vend, të cilët përmes një peticioni kërkojnë marrjen e masave për personat që flasin në media pa asnjë bazë shkencore, kryesisht për gjuhën shqipe, duke krijuar teza të ndryshme.

Dy prej firmëtarëve të këtij peticioni, Ilir Yzeiri dhe Pëllumb Xhufi të ftuar në emisionin ‘Përballje’ në Report TV ngritën shqetësimin se edhe institucionet publike nxjerrin shkresa me gabime drejtshkrimore, si mos përdorimi i shkronjave ë dhe ç, apo ngatërrimi i shkronjave ç me q.

“Çfarë pret ti kur dokumentet zyrtare shkruhen pa ë, pa ç. Ne kemi një gjuhë standarde, është modeli ku identifikohemi. Çfarë do të ndodhte me përkthimet nëse s’do kishim këtë gjuhë?! Po kërkohen metoda që gjuha të futet në software, gjuha standarde duhet mbrojtur me ligj. Nëse shteti do tregohej i vëmendshëm që të vendoste gjobat, AMA do kishte të drejtë të ndiqte ato media që shkelin dhe t’i gjobiste. RTSH mund të ndërmarrë aksione të tilla që të ndërtojë emisione me shqiptim ku të promovohet gjuha shqipe”, tha Yzeiri.

Pëllumb Xhufi thotë se çdo ent shtetëror duhet të ketë njohës të gjuhës shqipe me diplomë.

“Kemi një kryeministër që flet gjuhë perfekte, çdo person publik e ka për detyrë edukative që të flasë gjuhë të pastër shqipe. Këtë kujdes që tregon kryeministri që në 2013 kur ka ardhur, duke dhënë idenë por edhe duke e shpallur si pjesë të programit vendosjen e specialistëve të gjuhës shqipe për të shmangur atë që tha Iliri, që dalin shkresa dembele, që ngatërrojnë ç me q, që nuk vendosin ë. Është një premtim që duhet t’a realizojë. Çdo ent shtetëror duhet të ketë njohës të gjuhës shqipe me diplomë”, tha Xhufi.

SI.E./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Kasem Gahinjit: 20/02/2024 08:08

    Problemi eshte akoma me i thelle,Jo vetem ne ekran.Deformimi i shqipes lidhjet ngushte me deformumin e historise.Historia shkence nuk eshte histori prostitute,qe kthehet si i do politika e Shen Lekut,Paraja .Kjo te jep te kuptosh per nje veprimtari te organizuara antikombetar.Shkaku:-Jo toleranca,por veprimtaria e organizuara.Te ndalohen ne ekran,dakord.Po tekstet mesimire ne shkolla ,i keni pare ,zoti Xhufi?Para Ca vitesh,para fatina te krahasoj dy tekste,nje nga nje profesor i UT,ish profesor imi dhe tjetra nga nje profesor rruge.Si nata pe diten,ne permbajtje,ne gjerat thelbesore .Historia nuk eshte perralle "na ishte Njehere",si ai teksti alternativa i profesorit te rruges.Ne shkolle mesohet historia dhe gjuha zyrtare.Ndaj tekstet duhet te miratohen ne institucione shkencore.Ndaj them:-eshte ,Jo tolerances institucione,por veprimtaria antishkencore antikombetare. Te pareti qe duhet ti therrisni mendjes jeni Ju,historianet dhe gjuhetaret.Qellimi?Ne Ballkan nuk Kane ekzistuar shqiptaret dhe te paret e tyre.Ne Ballkan Ka patur vetem greke.Te tjeret Jane te ardhur Ca nga Pomerania,Ca nga kaukazi,Ca nga krimea,Ca nga afrika?Shyqyr qe nuk dalim Ruse apo kineze.

    Përgjigju
  • Shkodra: 20/02/2024 01:58

    Mos u merrni me ato amatoret qe vlersojne shqipen por merruni me enciklopedin maqedonase , greke e serbe qe nuk duan te njohin shqipen hiq. Jemi rrethuar me ortodokx qe nuk njohin preardhjen e shqiptarve. Por mesa shuh ju paguheni nga kto qarqe dhe doni te mbyllni gojen . Populli ju din vleren ju te mencurve

    Përgjigju
  • Shqip: 19/02/2024 19:07

    Po dhe gjuha letrare nuk eshte shqipe e paster e folur. Gjuha shqipe eshte ajo e Naimit , Abdylit apo Fishtes

    Përgjigju
  • GOLI: 19/02/2024 15:43

    ME URGJENC DUHET VEPRUAR NDAJ TRADHETARVE TE GJUHES SE SHENJTE SHQIPE...DUHET PASTRUAR MEDIUMET,ZYRAT PREJ KREKOSESVE TE TILLE.......

    Përgjigju
    • Doktori: 20/02/2024 09:27

      Në Shqipëri historikisht (pas 1912-tës) padija e sharlatanizmi ka triumfuar mbi dijen e të vërtetat. Fatkeqësi.

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika  si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore

Alban Daci: Vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë dhe politika  si fenomen mosbesimi ndaj proceseve zgjedhore