Shtetet e Bashkuara po vendosin 3 mijë trupa amerikane në aeroportin e Kabulit për të ndihmuar në evakuimin e Ambasadës amerikane në Afganistan. Disa vëzhgues e krahasojnë situatën me evakuimin që SHBA u bëri qytetarëve të saj nga Vietnami më 30 prill 1975. Në kushtet e përparimit të talebanëve të cilët çdo ditë po marrin nën kontroll kryqytete provincash ndërsa forcat afgane të sigurisë dorëzohen, Departamenti amerikan i Shtetit këtë të enjte doli me një njoftim.
“Në përputhje me rrethanat dhe situatën e sigurisë, ne po zvogëlojmë edhe më tej praninë tonë në Kabul. Në javët e ardhshme presim të kemi vetëm prani thelbësore diplomatike në Afganistan.Më lejoni të jem shumë i qartë për këtë: Ambasada mbetet e hapur dhe ne planifikojmë të vazhdojmë punën tonë diplomatike në Afganistan”, tha zëdhënësi i DASH Ned Price.
Në një konferencë shtypi, zëdhënësi i Pentagonit John Kirby dha më shumë detaje, duke thënë se pjesëtarë nga tre batalione këmbësorie do të jenë të parët që do të dërgohen në rajon.
![](https://shqiptarja.com/template/img/NO_ALFA_Kuadrate shqiptarja.png)
“Ato tre batalione këmbësorie përbëhen nga afërsisht 3 mijë pjesëtarë dhe ata do t’u shtohen e trupave që ndodhen në Kabul. Për momentin atje kemi më shumë se 650 trupa. Këta 3 mijë do t’u bashkohen atyre”, tha Zëdhënës i Pentagonit John Kirby.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit tha se tërheqja e personelit diplomatik nuk përcjell mesazhin e braktisjes tek populli afgan.Por disa veteranë ushtarakë amerikanë dhe vëzhgues të tjerë thonë se kjo tërheqje e shpejtë u kujton atyre evakuimin poshtërues të amerikanëve të fundit nga tarraca e Ambasadës në Vietnamin e Jugut më 30 prill 1975, pasi Saigoni ra në duart e forcave komuniste të Vietnamit të Veriut. Para një muaji Presidenti Joe Biden hodhi poshtë krahasimin duke thënë se është koha që vetë afganët të mbrojnë vendin e tyre nga talebanët.
![](https://shqiptarja.com/template/img/antipiracynote.jpg)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)