SHBA-ja kërkoi sot mbështetje për luftën kundër grupit të Shtetit Islamik në internet, ndërkohë që aleatët e saj të koalicionit kanë premtuar se do të bëjnë më shumë për të frenuar propagandën xhihadiste të shfaqur nëpërmjet rrjeteve sociale.

Koordinatori amerikan i koalicionit ndërkombëtar, gjenerali në pension, John Allen, e cilësoi këtë propagandë si luftë të tmerrshme e destinuar për rekrutimin dhe shkatërrimin e të pafajshmëve, gjatë një takimi në Kuvajt, qëllimi i të cilit ishte diskutimi mbi mënyrat përsa i përket ndërprerjes së komunikimit të Shtetit Islamik dhe për t'i bërë ballë aktivitetit të tij në internet.

Para të dërguarve të Bahreinit, Britanisë së Madhe, Egjiptit, Francës, Irakut, Jordanisë, Libanit, Omanit, Katarit, Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, John Allen theksoi se Shteti Islamik do të mundej vetëm atëherë kur legjitimiteti i mesazhit të tij për të rinjtë do të refuzohej.

Ai nënvizoi gjithashtu se kërcënimi i shfaqur nga Shteti Islamik kërkon një afrim global dhe të koordinuar në nivele ndërkombëtare, rajonale dhe lokale duke kombinuar veprimin ushtarak, aplikimin e ligjit, shërbimin sekret dhe mjetet ekonomike dhe diplomatike.

Nënsekretari amerikan i Shtetit për çështjet publike, Rick Stengel, i cili drejton delegacionin evendit të tij, theksoi se objektivi i takimit të Kuvajtit ishte krijimi i një koalicioni informativ që do të jetë paralel me koalicionin ushtarak kundër Shtetit Islamik.

ATSH