WASHINGTON – Gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kryeministri Sali Berisha është pritur në një takim nga kongresmeni Eliot Engel.
Sipas njoftimit në faqen zyrtare të kryeministrisë në përgjigje të interesimit të kongresmenit Engel, kryeministri Berisha e njohu me normalizimin e situatës politike dhe theksoi se forcat politike po punojnë normalisht në parlament, përfshirë për reforma të rëndësishme si ajo elektorale, miratimi i gjykatës administrative e të tjera masa të lidhura me rekomandimet e Bashkimit Europian.

Kreu i qeverisë shqiptare vlerësoi kontributin e Engel në lidhje me promovimin e imazhit të shqiptarëve në botë, si dhe për përkrahjen ndaj Kosovës dhe njohjes ndërkombëtare të saj, Kryeministri i shprehu atij mirënjohjen më të thellë.

Në fund të takimit, kongresmeni Engel i ripohoi Kryeministrit Berisha angazhimin e tij për të vijuar e zgjeruar bashkëpunimin e shkëlqyer me qeverinë shqiptare dhe i premtoi se do të marrë pjesë në festimet e 100 vjetorit të pavarësisë.


GRUPI I MIQËSISË SHBA - SHQIPËRI
Në vijim të qëndrimit në Washington, Kryeministri Berisha zhvilloi një takim me grupin e miqësisë SHBA-Shqipëri, në Kongresin Amerikan, ku morën pjesë deputetë demokratë dhe republikanë, anëtarë të këtij grupi, Eliot Engel, Gary Ackerman, Steve Rothman, Gene Green, Robert Aderholt, Gery Peters, Dana Rohrabacher, Steve Chabot.

Pasi i uruan Kryeministrit përzemërsisht mirëseardhjen dhe urimet më të mira për vizitën e rëndësishme që po zhvillon në Ëashington, kongresmenët i shprehen Kryeministrit Berisha angazhimin e tyre të plotë për të dhënë kontributin në konsolidimin e mëtejshëm të miqësisë e bashkëpunimit të suksesshëm midis Shteteve të Bashkuara dh Shqipërisë, për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat, si dhe për të mbështetur Shqipërinë dhe përpjekjet e saj për konsolidimin e demokracisë funksionale, të bazuar mbi tregun e lirë dhe në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE. Në takim u diskutua për të vijuar këto kontakte të ngushta në këtë funksion.

Kongresmenët i konfirmuan Kryeministrit mbështetjen e plotë të tyre ndaj Shqipërisë dhe qeverisë shqiptare në rrugën e reformave.

Duke i vlerësuar si shumë të rëndësishme këto arritje, kongresmenët i uruan Kryeministrit edhe 100 vjetorin e pavarësisë dhe i shprehën dëshirën për të vizituar apo rivizituar Shqipërinë, në periudhën në vazhdim.

(aq/shqiptarja.com)