Ndërsa Berisha vijon luftën e tij për të marrë drejtimin e PD, si dhe synon të futet në zgjedhjet e 6 marsit SHBA i dërguari special i SHBA për Ballkanin Perëndimor, Grabriel Eskobar thekson se një person i shpallur non grata për korrupsion nuk mund të jetë fytyra e PD.

Madje Eskobar shkon më tej duke thënë se asnjë person non grata nuk mund të drejtojë asnjë parti tjetër. Të jetë ky një mesazh për Ilir Metën i cili ka deklaruar se do të rimarrë drejtimin e LSI-së, pasi t'i mbarojë mandati i Presidentit (nëse nuk shkarkohet deri atëherë)? Kohët e fundit presidenti Ilir Meta është përfshirë në sulme të ashpra kundër SHBA.

"Presidenti Biden e ka bërë të qartë. Sekretari Blinken e ka bërë të qartë. Shtetet e Bashkuara do t’ju kërkojnë llogari të gjithë atyre njerëzve për angazhim në vepra të mëdha të korrupsionit ose në përpjekje për minimin e demokracisë anembanë botës dhe në mënyrë specifike në Ballkanin Perëndimor. Nuk është normale dhe nuk është e pranueshme që një person, i sanksionuar për vepra të mëdha të korrupsionit të jetë fytyra e ndonjë partie. Dhe në këtë aspekt, e kemi bërë të qartë që nëse Partia Demokratike ose ndonjë parti tjetër udhëhiqet apo përfaqësohet nga ndonjë person, i sanksionuar nga Sekretari i Shtetit për vepra të mëdha të korrupsionit, atëherë nuk mund të pritni marrëdhënie normale", ka thënë ai në një intervistë për reporteri.net.

SHBA është treguar e qartë me qëndrimin kundër Sali Berishës, të shpallur 'non grata' për minim të demokracisë dhe korrupsion. Më herët ka qenë po Escobar i cili ka theksuar se do të ketë pasoja nëse PD zgjedh në krye dikë që është i shpallur 'non grata' nga SHBA.

Situata në PD është në kulmin e tensionimeve, teksa demokratët duket se po shkojnë drejt një përçarje të parikuperueshme. Duke pretenduar të dy drejtimin e PD, Lulzim Basha dhe Sali Berisha kanë deklaruar se do të marrin pjesë në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit. Basha është regjistruar në zgjedhje, ku i dorëzoi KQZ edhe vërtetimin e Gjykatës që tregonte se ishte ai kryetari i PD. Mbështetësit e Berishës nga ana tjetër do të votojnë të dielën kandidatët potencialë dhe më i votuari prej tyre do të zgjidhet kandidati zyrtar i Komisionit Të rithemelimit. Këta të fundit shpresojnë që PD zyrtare të pranojë verdiktin e anëtarësisë për emrin që do të përballet me socialistët.