I dërguari special i SHBA, për rajonin e Ballkanit, Gabriel Escobar, tha sot se do të ketë pasoja nëse PD zgjedh në krye dikë që është i shpallur 'non grata' nga SHBA. Për ish-kryeministri Berisha Escobar u shpreh se nuk takohet me të pasi ai është i shpallur 'non grata', ndërsa pyetjes se përse ai u fut në listën e zezë nga DASH, deklaroi se nëse keni pikëpyetje, nisni hetimet.

“Ku janë prokurorët, hetuesit dhe autoritetet në vendin tuaj? Ne e bëjmë sipas ligjeve tona, por dhe ju keni disa në vendin tuaj. Nëse doni ta dini, hetoni. Nuk takohemi me të, do të ketë pasojë nëse PD zgjedh dikë të shpallur 'non grata'.”-tha Escobar, në një intervistë për gazetarin Sokol Balla. 

Ndërkohë që ambasada amerikane e ka quajtur tubim politik Kuvendin e nesërm të Sali Berishës, dhe përmes një njoftimi ka paralajmëruar të gjithë qytetarët e SHBA-ve që të kenë kujdës. Ambasada thotë se në të tilla aktivitete shpesh situatat mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.

Vizita e Escobar në Tiranë, ishte vetëm dy ditë para Kuvendit të thirrur nga Sali Berisha, i cili është i shpallur ‘non  grata’ nga SHBA për korrupsion dhe minim të demokracisë. Vetëm dy ditë më parë, ambasada e SHBA-së, tha se vizita e tij është për të konfirmuar gjithashtu vendosmërinë e Shteteve të Bashkuara për të luftuar korrupsionin, pandëshkueshmërinë dhe përpjekjet për të minuar demokracinë në Ballkanin Perëndimor.

I dërguari special i SHBA për rajonin e Ballkanit, Escobar, ka takuar dje kreun e PD, Lulzim Basha, ministren e Jashtme Olta Xhaçka dhe në fund kryeministrin Edi Rama, ndërsa nuk pati në agjendë një takim të planifikuar me Presidentin Ilir Meta. Kjo vizitë e Escobar në Tiranë është një tjetër 'grusht' i madh amerikan në fytyrën e ish-kryeministrit Sali Berisha, për përpjekjet e tij për të rimarrë PD-në.

Situata në PD është mjaft e ndarë, me dy Kuvende Kombëtare, një i thirrur më 11 dhjetor nga Sali Berisha dhe një tjetër më 18 dhjetor i thirrur nga kreu i PD, Lulzim Basha. Pak ditë më parë, Basha tha se kushdo që shkel vendimin e Kryesisë së Partisë, përfshirë këtu edhe Sali Berishën, fatin e ka të caktuar nga Statuti i Partisë. Me këtë ai ka nënkuptuar se kushdo që paraqitet në Kuvendin e thirrur nga Sali Berisha do të këtë pasoja.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 14:40
Kuvendi i Berishës, ambasada paralajmëron qytetarët amerikanë: Kini kujdes, tubim politik nesër! Në aktivitete të tilla mund të ketë përshkallëzime

Mëngjesin e ditës së nesërme në stadiumin 'Air Albania' do të nisë Kuvendi i PD-së, i thirrur nga Sali Berisha. Ambasada amerikane përmes një njoftimi ka paralajmëruar të gjithë qytetarët e SHBA-ve që të kenë kujdës.

Ambasada thotë se në të tilla aktivitete shpesh situatat mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme.

"Një tubim politik është paralajmëruar të zhvillohet në orën 10:00 të datës 11 dhjetor në stadiumin 'Air Albania' në Tiranë. Ky tubim mund të migrojë në vende të tjera në Tiranë. Madhësia dhe kohëzgjatja e saktë e mbledhjes së pritshme nuk dihen. Qytetarët amerikanë këshillohen të shmangin çdo tubim të madh në qytet. Ndërsa shumë ngjarje të mëdha publike mund të zhvillohen në mënyrë paqësore, disa situata mund të ndryshojnë shpejt dhe në mënyrë të paparashikueshme. Monitoroni mediat lokale për informacionet më të fundit dhe ndiqni udhëzimet e autoriteteve lokale të zbatimit të ligjit.

Veprimet për të ndërmarrë: Shmangni tubimet e mëdha dhe çdo zonë ku demonstratat janë të pashmangshme ose në vazhdim; Jini të vetëdijshëm për rrethinën tuaj' Monitoroni mediat lokale për përditësime", thuhet në njoftimin e ambasadës.