Bisedimet për Iranin kanë hyrë në fazën e parë në Burgenstock të Zvicrës, ku delegacioni amerikan ka zhvilluar takimin e parë me ndërmjetësit pakistanezë.

Zv.presidenti amerikan JD Vance, i dërguari special i Shtëpisë së Bardhë Steve Witkoff dhe Jared Kushner pritën kryeministrin pakistanez Shehbaz Sharif dhe shefin e ushtrisë, feldmarshallin Asim Munir. Sipas grupit të gazetarëve që ndjek delegacionin amerikan, palët u përshëndetën me shtrëngim duarsh, u përqafuan dhe falënderuan njëri-tjetrin përpara nisjes së takimit.

Vance, kundërshtar i luftës me Iranin, deklaroi se në orët e fundit është shënuar përparim dhe e cilësoi procesin si një “takim historik”. Sipas tij, presidenti Donald Trump i ka ngarkuar përfaqësuesit amerikanë të hapin një faqe të re në marrëdhëniet me Iranin.

“Presidenti na ka kërkuar t’i shtrijmë dorën popullit iranian. Nëse udhëheqja e tyre është e gatshme të ndalojë promovimin e paqëndrueshmërisë dhe t’i japë fund ambicieve bërthamore, atëherë Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të transformojnë rrënjësisht marrëdhëniet me vendin e tyre”, tha Vance.

Pakistani nga ana e tij ka konfirmuar se negociatat do të fokusohen te zbatimi i Memorandumit të Mirëkuptimit mes Uashingtonit dhe Teheranit. Delegacioni pakistanez është një nga ndërmjetësit kryesorë në këtë raund bisedimesh, ku pritet të marrin pjesë edhe përfaqësuesit iranianë dhe ata të Katarit.

Delegacioni iranian përfshin kryetarin e Parlamentit Mohammad Bagher Ghalibaf, ministrin e Jashtëm Abbas Araghchi, guvernatorin e Bankës Qendrore Abdolnaser Hemmati dhe zv.ministrin e Naftës Hamid Bovard.

Në qendër të negociatave mbetet çështja e fondeve iraniane të ngrira jashtë vendit. Sipas Wall Street Journal, SHBA-ja dhe Katari po punojnë për një plan që do t'i lejonte Iranit të përdorte miliarda dollarë fonde të bllokuara për blerjen e ushqimeve, ilaçeve dhe mallrave të tjera humanitare.

Sipas planit, Teherani mund të ketë fillimisht akses në 6 miliardë dollarë të mbajtura në Katar, pjesë e rreth 100 miliardë dollarëve asete të ngrira në vende të ndryshme të botës. Kjo shumë do të ishte kësti i parë i 24 miliardë dollarëve që Irani kërkon të rikuperojë.

Megjithatë, ndërsa palët presin përparim në negociata, të dielën Trump  i kërkoi Teheranit të ndalojë Hezbollahun në Liban, duke paralajmëruar se në të kundërt SHBA do ta godasë sërish Iranin “edhe më fort” se javën e kaluar.

“Nëse e mbyllni Hormuzin, Irani nuk do të ekzistojë më si shtet”, tha Trump për Fox News, duke shtuar se SHBA mund të marrë kontrollin e ngushticës nëse nuk arrihet një marrëveshje me Teheranin.

Sipas tij, Uashingtoni mund të bëhet “garanti” i sigurisë së Hormuzit dhe të vendosë tarifa për trafikun e naftës që kalon nëpër këtë korridor strategjik.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 15:43
'Ndaleni Hezbollahun ose do t’ju godasim sërish', Trump paralajmëron Iranin: Nëse mbyllni Hormuzin, nuk do të ekzistoni më si shtet

Donald Trump ka lëshuar këtë të dielë një sëri paralajmërimesh të forta ndaj Iranit, ndërsa në Zvicër po zhvillohen bisedimet mes delegacioneve amerikane dhe iraniane.

Në një postim në Truth Social, presidenti amerikan i kërkoi Teheranit të ndalojë menjëherë veprimet e Hezbollahut në Liban.

“Irani duhet të ndalojë menjëherë aleatët e tij shumë të paguar në Liban që të shkaktojnë probleme. Nëse nuk e bëjnë, do ta godasim sërish Iranin shumë fort, ashtu si javën e kaluar, por edhe më fort”, shkroi Trump.

Më vonë, në një intervistë për Fox News, Trump tha se kishte folur gjatë natës me iranianët dhe i kishte paralajmëruar të mos mbyllnin Ngushticën e Hormuzit.

'Irani nuk do të ekzistojë më si shtet, do t'i hedh në erë' tha ai, duke shtuar se ky ishte mesazhi që u kishte përcjellë autoriteteve iraniane. Trump foli edhe për mundësinë që SHBA të marrë kontrollin e ngushticës strategjike nëse nuk arrihet një marrëveshje me Teheranin.

“Nëse Irani nuk arrin një marrëveshje, ne do të vendosim tarifa kalimi në Ngushticën e Hormuzit. Mund ta marrim kontrollin e saj nëse është e nevojshme”, deklaroi presidenti amerikan.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara mund të bëhen “rojtarët” e Hormuzit dhe të përfitojnë 20% të naftës që kalon përmes kësaj rruge detare.

Ora 15:37
'Takim historik', Vance nga Zvicra: Trump na ka ngarkuar të hapim një faqe të re me Iranin

“Ne kemi bërë përparime në orët e fundit”. Kështu u shpreh zv.presidenti amerikan JD Vance nga Zvicra, ku po zhvillohen bisedimet mes SHBA-së dhe Iranit.

Vance tha se presidenti Donald Trump i ka ngarkuar përfaqësuesit amerikanë të “hapin një faqe të re”, duke nisur sipas tij një epokë të re në marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe popullit iranian.

Sipas zv.presidentit amerikan, Irani ka qenë deri tani një faktor paqëndrueshmërie në rajon, por ky “takim historik” krijon mundësinë për një fazë të re në Lindjen e Mesme.

“Ky është takimi i parë në një nivel kaq të lartë mes drejtuesve tanë. Presidenti na ka kërkuar t’i shtrijmë dorën popullit iranian dhe t’i tregojmë se nëse udhëheqja e tyre është e gatshme të ndalojë promovimin e paqëndrueshmërisë dhe t’i japë fund ambicieve bërthamore, atëherë Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të transformojnë rrënjësisht marrëdhëniet me vendin e tyre”, deklaroi Vance.

Ai theksoi se ky mbetet objektivi i delegacionit amerikan në negociata.

Vance pranoi gjithashtu se bisedimet teknike mund të mos zgjidhin çdo mosmarrëveshje mes palëve, por shtoi se ato do të mundësojnë që për herë të parë palët të ulen në tryezë dhe të diskutojnë drejtpërdrejt.

Ora 13:54
Nisin bisedimet për Iranin në Zvicër, Vance, Witkoff dhe Kushner takohen me ndërmjetësit pakistanezë

Foto: Zv/presidenti amerikan JD Vance dhe kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif

Kanë nisur në resortin Burgenstock pranë Lucernës bisedimet e para të lidhura me negociatat për Iranin. Delegacioni amerikan i kryesuar nga zv.presidenti JD Vance, së bashku me të dërguarit specialë Steve Witkoff dhe Jared Kushner, ka pritur ndërmjetësit pakistanezë të drejtuar nga kryeministri Shehbaz Sharif dhe shefi i ushtrisë, feldmarshalli Asim Munir.

Sipas grupit të gazetarëve që shoqëron Vance, palët janë përshëndetur me shtrëngim duarsh, janë përqafuar dhe kanë falënderuar njëri-tjetrin përpara nisjes së takimit.

Ora 09:32
Delegacioni pakistanez mbërrin në Zvicër për bisedimet SHBA-Iran

Foto: Kryeministri Shehbaz Sharif

Delegacioni i Pakistanit ka mbërritur në Burgenstock të Zvicrës për të marrë pjesë në bisedimet mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara.

Delegacioni drejtohet nga shefi i ushtrisë pakistaneze Asim Munir, dhe kryeministri Shehbaz Sharif. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Jashtme e Pakistanit.

Në një deklaratë të publikuar në rrjetin social X, ministria bëri të ditur se në bisedime pritet të marrë pjesë edhe Katari.

“Pakistani do të vazhdojë të mbështesë dhe promovojë zbatimin e marrëveshjeve të arritura mes Republikës Islamike të Iranit dhe Shteteve të Bashkuara”, thuhet në deklaratë.

Ora 09:29
Në prag të negociatave, Irani njofton mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, SHBA: Trafiku detar vazhdon

Teherani njoftoi sot mbylljen e Ngushticës së Hormuzit për trafikun detar. Sipas komandës ushtarake iraniane, vendimi erdhi pas asaj që Irani e cilëson si shkelje të marrëveshjes me SHBA-në për shkak të sulmeve izraelite në Liban.

Ndërkohë, Izraeli ka bërë të ditur se ka pezulluar sulmet qe kanë shkaktuar 16 viktima.

Nga ana tjetër, Uashingtoni kundërshton lajmet se Ngushtica e Hormuzit është mbyllur realisht. Sipas autoriteteve amerikane, pavarësisht njoftimit të Teheranit, trafiku detar në këtë korridor strategjik vazhdon.

Ora 09:24
Zv/presidenti amerikan JD Vance mbërrin në Zvicër për bisedimet me Iranin

Zv.presidenti i SHBA-së, JD Vance, ka mbërritur në Zvicër për nisjen zyrtare të negociatave me drejtuesit iranianë. Bisedimet synojnë kufizimin e programit bërthamor të Teheranit dhe forcimin e marrëveshjes së përkohshme që synon t’i japë fund luftës në Iran.