Udhëheqësit e Shteteve të Bashkuara dhe Kina kanë arritur një marrëveshje mbi një plan për emetimin e gazit serrë. Gjatë bisedimeve në Pekin të dy udhëheqësit kanë mbështetur një plan për të ulur në maksimum emetimin e gazit në atmosferë deri në vitin 2030.

Kina thotë se do të synojë zvogëlimin dioksidit të karbonit në atmosferë në një masë të madhe deri në vitin 2030, ndërsa SHBA tha se do të përpiqet të reduktojë emetimin e tij me ¼ deri në vitin 2025 me qëllim parandalimin e efekteve katastrofike në botë. Ndonëse lindën shumë pyetje mbi zbatimin dhe implementimin e këtij plani, njoftimi i ri iu hedh drejtpërdrejt peshën kryesore dy ekonomive më të mëdha të botës.

Vëzhguesit thonë se marrëveshja do të inkurajojë edhe vendet e tjera të nënshkruajnë një pakt të ri global gjatë një takimi të OKB-së në Paris vitin e ardhshëm. I pranishëm në samit, presidenti kinez Xi Jiping bëri thirrje për një qëndrim më bashkëpunues mes dy pushteteve për çështjet e Azisë. 

“Oqeani Paqësor është mjaftueshmërisht i gjerë për të sjellë zhvillimin e dy shteteve, Kinës dhe SHBA-ve të cilat duhet të punojnë së bashku për të kontribuar për sigurinë në Azi. Dy shtetet duhet të bashkëpunojnë dhe të plotësojnë njëri-tjetrin dhe jo ta kundërshtojnë.” Shtetet e Bashkuara dhe Kina kanë lidhje të forta ekonomike dhe tregtare, por kanë qenë në mosmarrëveshje thuajse mbi çdo gjë për shkak të pretendimeve territoriale të Kinës në lindje dhe Azinë Juglindore, për çështjet tregtare dhe të drejtave të njeriut.

Obama u ndal edhe tek situata e trazuar në provincën e Hong Kong-ut e cila udhëhiqet nga Kina, duke inkurajuar zgjedhje të lira në përputhje me vullnetin e popullit, çka solli edhe një reagim të homologut kinez Xi Jiping, i cili u përgjigj se ajo çfarë po ndodh atje është një çështje e brendshme që ka të bëjë vetëm me Kinën.

Redaksia Online 
(Shqiptarja.com)