SHBA do t'i dërgojë Ukrainës mina kundër këmbësorisë

SHBA do t'i dërgojë Ukrainës mina kundër këmbësorisë

Foto ilustruese

Shtetet e Bashkuara së shpejti do t'i sigurojnë Ukrainës mina kundër këmbësorisë, konfirmoi një zyrtar amerikan të martën vonë, në një lëvizje që pasoi përdorimin e parë nga Ukraina të raketave balistike amerikane me rreze të gjatë veprimi në një sulm kundër Rusisë.

Zyrtari tha se Shtetet e Bashkuara kërkuan angazhime nga Ukraina se si do t'i përdorë minat, me pritjet se ato do të vendosen vetëm në territorin e Ukrainës në zonat ku nuk jetojnë civilë ukrainas.

Zyrtari gjithashtu vuri në dukje funksionimin e minave, për të cilat tha se kërkojnë një bateri dhe nuk do të shpërthejnë pasi bateria të jetë shpenzuar pas një periudhe prej disa orësh deri në disa javë.

Forcat ukrainase goditën depot e municioneve në rajonin Bryansk të Rusisë para agimit të së martës, duke përdorur raketat me rreze të gjatë veprimi, që zyrtarët ukrainas kërkonin prej kohësh për të goditur zonat që Rusia ka përdorur për të nisur valë të përditshme sulmesh me raketa dhe dronë kundër qyteteve ukrainase.

Të dyja palët paraqitën të dhëna të ndryshme mbi rezultatet e sulmit, i cili u krye dy ditë pasi u raportua se presidenti Joe Biden ndryshoi politikën amerikane duke miratuar përdorimin e raketave me rreze më të gjatë veprimi, ndërsa agresioni rus në Ukrainë shënoi 1000 ditë.

Dy zyrtarë amerikanë i konfirmuan Zërit të Amerikës të martën se politika që ndalon përdorimin nga ukrainasit të armëve amerikane me rreze të gjatë veprimi për të goditur objektivat ushtarake thellë brenda Rusisë "ka ndryshuar".

Ministria ruse e Mbrojtjes tha në një deklaratë se "forcat e armatosura të Ukrainës goditën mbrëmë një objekt në rajonin Bryansk" me gjashtë raketa të Sistemit Raketor Taktik të Ushtrisë, të prodhuar nga SHBA, ose ATACMS, por, sipas kësaj ministrie, forcat ruse rrëzuan pesë prej tyre dhe dëmtuan të gjashtën. Në deklaratë thuhet se rënia e pjesëve të raketave shkaktuan një zjarr në objektin ushtarak, por nuk pati viktima.

Shtabi i përgjithshëm ushtarak i Ukrainës tha në një postim në Facebook se forcat ukrainase shkaktuan dëme në "depot e municioneve të ushtrisë pushtuese ruse” në Bryansk, rreth 100 kilometra nga kufiri i Ukrainës.

Sulmi shkaktoi “12 shpërthime dytësore dhe shpërthime në zonën e objektivit”, thuhet në deklaratë, por pa u saktësuar se ishin përdorur raketat ATACMS. Por, një zyrtar ukrainas, duke folur me kushtin që të mos i përmendet emri, konfirmoi përdorimin e sistemit amerikan të armëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, kishte kërkuar prej kohësh lejen amerikane për përdorimin e tij për të nisur sulme në objektet ushtarake thellë brenda Rusisë. Megjithatë, deri të dielën, Presidenti Biden kishte rezistuar nga frika e përshkallëzimit të konfliktit dhe përfshirjes së aleancës ushtarake të NATO-s të udhëhequr nga SHBA, katër prej vendeve anëtare të së cilës kufizohen me Rusinë.

Presidenti Biden thuhet se e ndryshoi qëndrimin e tij pasi Koreja e Veriut dërgoi rreth 10,000 trupa në Rusi për të luftuar përkrah forcave të Moskës në rajonin Kursk të Rusisë, që Ukraina e pushtoi në gusht dhe ende e mban nën kontroll.

Presidenti Biden e lë detyrën pas dy muajsh dhe nuk është e qartë se çfarë qëndrimi mund të mbajë presidenti i sapozgjedhur Donald Trump. Zoti Trump ka qenë i rezervuar rreth mbështetjes së vazhdueshme ushtarake amerikane për Ukrainën, duke pretenduar se ai do t'i jepte fund luftës madje edhe para se ta merrte detyrën. Megjithatë, zoti Trump nuk ka ofruar ndonjë plan publik se si do ta bënte këtë.

Me Ukrainën që tani ka mundësinë për të hedhur raketa me rreze të gjatë veprimi në Rusi, Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të martën një doktrinë të rishikuar bërthamore, duke deklaruar se një sulm konvencional ndaj Rusisë nga çdo komb i mbështetur nga një fuqi bërthamore konsiderohet një sulm i përbashkët dhe mund të nxisë një përgjigje bërthamore.

Duke komentuar nëse doktrina e re u publikua qëllimisht pas vendimit të Presidentit Biden, zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov tha se dokumenti u publikua “në kohën e duhur”. Ai shtoi se Presidenti Putin udhëzoi qeverinë ta ndryshonte doktrinën në fillim të këtij viti, në mënyrë që të jetë “në përputhje me situatën aktuale”.

Në përgjigje, një zëdhënës i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë tha se Shtetet e Bashkuara nuk ishin të befasuara nga njoftimi i Rusisë se po përditëson doktrinën e saj bërthamore, pasi ajo kishte sinjalizuar synimin e saj për ta bërë këtë për disa javë. Zëdhënësi tha se Shtetet e Bashkuara nuk shohin arsye për të ndryshuar qëndrimin e tyre.

“Kjo është e njëjta retorikë e papërgjegjshme nga Rusia, të cilën e kemi dëgjuar gjatë dy viteve të fundit”, tha ai./VOA

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë

Krishtlindjet/ Shqiptarët për Report Tv: Gëzuar, mbarësi e harmoni për të gjithë