Ne tashmë kemi marrë një sërë masash që kanë një ndikim dobësues mbi ekonominë ruse, ndërkohë që po marrim në konsideratë të gjitha mjetet që kemi në dispozicion, deklaroi zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Eric Schultz për sanksionet e tjera të mundshme të SHBA-së kundër Rusisë. "Ne jemi të shqetësuar për mbështetjen e vazhdueshme nga ana e Rusisë për separatistët në Ukrainën Lindore", theksoi ai. "Kjo është arsyeja për masat që kemi marrë, është arsyeja pse presidenti Putin ndihet gjithnjë e më shumë i izoluar. Dhe kjo është arsyeja pse ne besojmë se opinioni publik, madje edhe në Rusi, po fillon të krijojë pikëpyetje mbi mënyrën e drejtimit të shtetit rus nga ana e Putinit. Kjo është arsyeja pse po krijohet edhe një konsensus ndërkombëtar për këtë", përfundoi Schultz./ATSH/