SHBA- Fëmijët e emigrantëve, kryesisht meksikanë, që futen në SHBA në mënyrë të paligjshme, nuk po mbahen në kampe apo institucione të tjera rehabilitimi, por në hotele, nën kujdestarinë e një kompanie private sigurimi. Por një investigim i prestigjiozes Neë York Times administrata Trump po përdor hotelet në të gjithë vendin për të mbajtur fëmijë dhe familjet emigrante përpara se t’i dëbojë nga vendi.
NYT akuzon se administrata Trump ka përdorur zinxhirë të mëdhenj hotelesh për të strehuar fëmijët dhe familjet e ndaluara në kufi, duke krijuar shumë pikëpyetje për mënyrën e ndalimit dhe dëbimeve të emigrantëve të paligjshëm.
Politika e re në vend që të ulte numrin e emigrantëve të paligjshëm gjatë kësaj kohe, duket se ka bërë që kalimet kufitare të rriten, pjesërisht sepse eliminon disa nga pasojat ligjore për përpjekje të përsëritura në vendkalime të paligjshme.
Nga ana tjetër ekspertë shprehen se kjo politikë ka krijuar një rrezik tejet të madh për fëmijët minorenë, të cilët vendosen në hotele nën mbikëqyrjen e punonjësve të cilët nuk kanë licencë për t’u kujdesur për fëmijët.
Hotelet nuk janë të përfshira në sistemin zyrtar të paraburgimit dhe nuk i nënshtrohen politikave të dizajnuara për të parandaluar abuzimin. Prindërit dhe avokatët nuk kanë asnjë mënyrë për të gjetur fëmijët ose për të monitoruar mirëqenien e tyre ndërsa ata janë në paraburgim./ Përgatiti Suada Mehmetaj