Plymouth, Massachusetts - Një shqiptar u kap nga policia në Wesley Avenue, Hyde Park në Massachusetts, SHBA pasi kishte mbjellë më shumë se 600 rrënjë kanabis në pjesën e përparme të shtëpisë së tij.

Roland Toska, 32 vjeç, pa vendbanim fiks, u arrestua i dyshuar për kultivim të kanabisit në 21 Nëntor të vitit të kaluar, por çështja gjyqësore ndaj tij u ndërpre dhe tani ai kërkon të kthehet në Shqipëri.

Arrestimi i Toskës u bë pas një kontrolli të policisë, të lajmëruar nga banorët e zonës. Banorët thanë se kishin kontaktuar policinë në mënyrë të përsëritur, duke u ankuar se u vinte erë marijuanë.

Ata i bënë të ditur policisë gjithashtu se, dy burra nga Europa Lindore kishin jetuar në adresën ku bastisi policia.

Brenda pronës së shtëpisë, policët gjetën më shumë se 600 rrënjë kanabis të përmasave të ndryshme dhe një vend të posaçëm për rritjen e tyre me ajër të ventiluar, qindra çanta me dhe dhe ndriçim të fuqishëm.

Toska u gjet në papafingon e fqinjit ngjitur me derën e shtëpisë së tij, duke u kacavirrur këmba- doraz përmes një vrime në dhomën e papafingos në pronën e tij, ku ishin vendosur rreth 100 bimë kanabis.

Alistair Verheijen, për “Crown Prosecution Service”, i tha Gjykatës në Plymouth se nuk ishte e arsyeshme që shqiptari të ndiqej më tej penalisht, kështu që çështja ishte ndërprerë.
Avokati mbrojtës i Toskës tha se tani klienti i tij dëshiron të kthehet në Shqipëri.
 
Redaksia Online
(b.g/shqiptarja.com)