SHBA- Ushtria amerikane do të nisë izolimin e rreth 900 ushtarëve që pritet të kthehen nga misionet shëndetësore, në përgjigje të virusit të Ebolës në Afrikën perëndimore. Ndërkaq, Australia është bërë vendi i parë në botë që ka ndaluar vizat për personat që vijnë nga vendet e prekura mes ankthit global për përhapjen e virusit, ndonëse aty nuk është shënuar asnjë rast i tillë.
 
Masat e fundit, së bashku me disa vendime nga disa shtete të SHBA-ve për të vendosur karantinën e detyrueshme të punonjësve shëndetësorë që kthehen në shtëpi pas trajtimit të pacientëve me Ebola në Afrikën Perëndimore, janë dënuar ashpër nga autoritetet shëndetësore dhe Kombet e Bashkuara, duke u cilësuar si masa ekstreme.
 
“Punonjësit shëndetësorë janë njerëz të veçantë që po sakrifikojnë veten për njerëzimin, Ata nuk duhet të jenë subjekt i kufizimeve të pabazuara në shkencë”, tha Stephane Gujarriç, zëdhënësi i sekretarit të OKB-së, Ban Ki Moon.
 
Reagimi i organizmave ndërkombëtarë erdhi pasi një infermiere e izoluar në New-Jersey tha se ishte ndier si një kriminele kur u kthye në vendin e saj të premten e kaluar.
 
Shpërthimi i virusit Ebola ka vrarë afro 5 mijë persona që nga muaji mars, shumica në Afrikën perëndimore, por 9 raste me Ebola në SHBA kanë shkaktuar alarm, duke bërë që New Yorku dhe New Jersey të injorojnë këshillat federale duke aplikuar kontrollet e tyre të rrepta.

Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)