Një burrë nga Virxhinia akuzohet se ka bërë kërcënime ndaj zëvëndës presidentes amerikane Kamala Harris, pasi kjo e fundit u zyrtarizuar si kandidate e demokratëve për zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Frank Carrillo u padit të premten e kaluar në një gjykatë federale të Virxhinias për postimin e një sërë mesazhesh kërcënuese ndaj Harris në faqen e mediave sociale GETTR.
Harris është kandidatja demokrate për të sfiduar republikanin Donald Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit.
‘Kamala Harris duhet të digjet e gjallë, unë do ta bëj vetë nëse askush tjetër nuk e bën’, thuhet në një postim sipas dokumenteve të gjykatës. Në një mesazh tjetër, ai tha se Harris ‘do të pendohet duke u përpjekur të bëhet presidente’.
Mesazhet u postuan më 27 korrik, gjashtë ditë pasi Presidenti Joe Biden tërhoqi kandidaturën e tij dhe deklaroi mbështetjen e tij për Harris.
Mesazhet kundër Biden dhe drejtorit të FBI, Christophet Wray u postuan në të njëjtën llogari. Agjentët e FBI-së sekuestruan një pushkë dhe një pistoletë gjatë kontrollit në shtëpinë e Carrillo-s, i cili do të dalë sot në gjyq. Nuk dihet nëse ai ka një avokat.