SHBA është e përkushtuar në ofrimin e përkrahjes dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk garanton se një përkushtim të tillë do ta kenë në të ardhmen në qoftë se Prishtina dhe Beogradi nuk lëvizin përpara në një afat të shkurtër.
Deklarata është bërë nga ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, duke shtuar se durimi i SHBA e ka një kufi. “Durimi ynë gjithmonë ka kufij. Njëra nga gjërat për të cilat iu kemi treguar dy qeverive, në Prishtinë dhe Beograd është se Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara në ofrimin e përkrahjes për procesin. Presidenti Trump, siç është e njohur, i ka shkruar presidentit Thaçi dhe presidentit Vuçiq, për të nënvizuar se Qeveria Amerikane është plotësisht e përkushtuar në këtë proces”, tha Kosnett.
Ai ka tërhequr vërejtjen se në qoftë se dy qeveritë e Kosovës dhe Serbisë nuk lëvizin në një afat të shkurtër dhe thonë “mirë, do të jemi të gatshëm për disa vite”, atëherë nuk mund të garantojë që Uashingtoni në të ardhmen do të jetë njësoj i përkushtuar për këtë çështje, siç është tani.
“Ajo që kemi thënë ne, ajo që ka thënë Qeveria Amerikane, është ajo se ne mendojmë që viti 2019 është viti kur Kosova dhe Serbia duhet të arrijnë marrëveshjen gjithëpërfshirëse. E, që të arrihet deri te marrëveshja në vitin 2019 duhet që të gjithë të kthehen në tavolinën e bisedimeve dhe të shikojmë që kjo zhvillohet sa më shpejt që të jetë e mundur. Nuk dëshiroj që procesin ta ndërlidhi me çfarëdo datash të fiksuara”, tha Kosnett.
Komente









