Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, i cili po zhvillon një vizitë në Uashington, ka takuar Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA, Eric Holder, të cilit i ka prezantuar punën e kryer nga institucionet shqiptare për goditjen e personave që merren me rekrutimit të shtetasve shqiptarë dhe ballkanikë për përfshirjen në konflikte të armatosura jashtë Europës.
Gjatë takimit të zhvilluar në zyrën Holder në Uashington D.C, është diskutuar mbi çështje që përbëjnë interes hetimor për dy vendet, kryesisht për forcimin e bashkëpunimit ndërshtetëror për luftën kundër kriminalitetit ndërkombëtar.
Nga ana e tij, Prokurori i Përgjithshëm i SHBA, Eric Holder, ka shprehur vlerësimin për rezultatet konkrete të autoriteteve shqiptare në goditjen e personave që merren me financimin dhe rekrutimin e shtetasve të ndryshëm për konflikte të armatosura në Lindjen e Mesme.
Gjithashtu, Llalla e ka njohur homologun e tij mbi rezultatet konkrete të Prokurorisë dhe shtetit shqiptar në përgjithësi në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit vendas. Për Kryeprokurorin Llalla, ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj prokurorisë shqiptare ka qenë dhe vijon të ketë një rol kyç në forcimin e pavarësisë dhe në rritjen cilësore të hetimeve.
Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër trafikut të personave. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur vlerësimin për angazhimin e Prokurorisë Shqiptare në goditjen gjatë vitit 2014 të një rrjeti personash që u siguronin shtetasve të ndryshëm shqiptarë kalim të paligjshëm të kufirit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Duke vënë theksin se Amerika është shtet i mundësive, por duke respektuar rregullat, autoritetet amerikane e vlerësojnë pozitivisht angazhimin e prokurorisë shqiptare në hetimin dhe goditjen e grupeve që synojnë të thyejnë ligjet e vendit për emigracionin.
Pas takimit në zyrën e Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA, i cili zgjati rreth 60 minuta, Prokurori i Përgjithshëm i Shqipërisë, Llalla po vijon takime me zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, të Byrosë Federale të Investigimit (FBI), Divizionin e Sigurisë Kombëtare në Departamentin e Drejtësisë dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit, përfshirë edhe një takim të veçantë me Këshilltarin e Lartë për Antiterrorizmin në Departamentin Amerikan të Shtetit, ambasadorin Robert Bradtke, i cili pak ditë më parë zhvilloi takime me zyrtarët e lartë shqiptarë në Tiranë.
Këto takime të nivelit të lartë të Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë, janë pjesë e një axhende të posaçme, të koordinuara me Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, në kuadër të pjesëmarrjes së Llalles në konferencën për "Korrupsionin dhe Mitmarrjen Ndërkombëtare", qe ka nisur në Uashington ditën e hënë dhe vijon për disa ditë. Në këtë konferencë, zyrtarë të lartë nga vende të ndryshme të botës diskutojnë për forcimin e mekanizmave dhe bashkëpunimin ndërkombëtar kundër korrupsionit. /ATSH/