SHBA - Presidenti i SHBA Barack Obama është dërguar në spital për të bërë një kontroll pasi është ankuar për dhimbje të fytit, por fatmirësisht pa rezultuar diçka serioze.

Lajmi bëhet i ditur nga mediat ndërkombëtare, sipas të cilave presidenti Obama prej disa javësh ndjente shqetësim në fyt çka e detyroi mjekun e tij, Ronny Jackson, që të këshillonte Presidentin për të shkuar në spitalin Ëalter Reed National Military Medical Center në Bethesda të Marylandit.

Ai mësohet se ka qëndruar rreth 30 minuta në spital, ku pas verifikimeve është bërë e ditur se dhimbjet kanë ardhur si pasojë e aciditetit të lëshuar nga stomaku. Megjthatë siç theksojnë mediat ndërkombëtare, nuk është asgjë serioze, ku tashmë Presidenti do të marrë edhe medikamentet e nevojshme.

Vetë Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Josh Earnest, ka thënë se presidenti Obama është në gjendje të mirë shëndetësore, dhe nuk ka asgjë serioze.

Gjithashtu mediat amerikane nënvizojnë se është e rrallë që Presidenti të vizitohet në një spital jashtë rezidencës presidenciale, por se kjo ka qenë një dëshirë e tij dhe aspak një çështje urgjente.

Gjendja shëndetësore e presidentëve në SHBA dhe kandidatëve presidencialë përbën një çështje me mjaft interes në shtetin amerikan, kjo pasi kandidatët për president dhe nënpresident bëjnë publike dokumente mjekësore ose letra nga mjekët e tyre për të treguar se ata janë të shëndetshëm.

Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)