SHBA në '61: Shqipëria "patate
e nxehtë", mbani duart larg

SHBA në '61: Shqipëria e nxehtë", mbani duart larg">
Baza ushtarake e Pashalimanit në Vlorë ishte simboli i Traktatit të Varshavës. Rreth marrëveshjeve shqiptaro-sovjete, për ngritjen e kësaj baze, por edhe bisedimet dhe përplasjet e mëvonshme për likujdimin e saj, qëndrimin që mbajti perëndimi, pas ftohjes shqiptaro-sovjete, etj dokumentet e kohës zbulojnë shumë surpriza.

Në pjesën e dytë të intervistës me Prof.Dr Ana Lalaj flasim pikërisht për këto çështje. Çfarë pretendimesh ngrinin të dy palët, shqiptarët dhe sovjetikët, për pronësinë mbi flotën luftarake detare të Vlorës? Pse Hrushovi iu largua Otrantos historikisht delikate? Pse largimi i sovjetikëve nga Vlora ishte lehtësim për Enver Hoxhën? Pse u ndoq politika amerikane “hands off” për Shqipërinë? Për shkak se ajo ishte “shkëmb graniti”, apo se ishte terren i rrëshqitshëm në Ballkanin e vështirë?

(Vijon nga numri i djeshëm)


Prof. Lalaj, dje e lamë këtë bisedë në mbledhjen e marsit 1961, ku u fol se Baza e Vlorës ishte jashtë gatishmërisë luftarake dhe se Komiteti Konsultativ i Paktit të Varshavës kërkoi që Baza të kompletohej vetëm me ekuipazh sovjetik. Në të kundërt, mjetet detare dhe specialistët sovjetikë do të largoheshin nga Shqipëria.
Baza e Vlorës është nga temat më intriguese të Luftës së Ftohtë. Shembulli i Bazës së Vlorës është përdorur dendur nga politika e kohës, ashtu siç u bë subjekt për vepra letrare e filmike. Për të vazhdon të flitet edhe sot dhe me këtë rast veçoj se, krahas dokumentacionit, kujtimet e protagonistëve të kohës, sidomos ish-ushtarakë të Bazës, na e sjellin atë gjithnjë e më afër. Po le të kthehemi tek mbledhja e Komitetit Politik Konsultativ, vendimin e të cilit qeveria shqiptare e kundërshtoi menjëherë.

Më 5 prill 1961, kryeministri shqiptar M. Shehu, bëri me dije qeveritë e shteteve anëtare të Paktit të Varshavës se Baza e Vlorës jo vetëm nuk do t’u dorëzohej ekuipazheve sovjetike, përkundrazi, ajo kërkonte që të gjitha mjetet detare dhe teknika ushtarake t’u kalonin ekuipazheve shqiptare. Atë kohë vetëm në katër nëndetëse shërbenin shqiptarë, në tetë nëndetëset e tjera dhe në bazën lundruese “Kotjelnikov” shërbimi kryhej nga ekuipazhe sovjetike. Shehu akuzoi se me këtë vendim Shqipëria lihej zbuluar përballë Flotës VI amerikane.

Në përgjigje të kësaj letre të qeverisë shqiptare është edhe një letër e gjatë e firmosur nga zëvendëskryeministri sovjetik Kosigin, më 26 prill. Në letër njoftohej se qeveria sovjetike me keqardhje ishte e detyruar të tërhiqte mjetet e saj nga Vlora dhe se i lutej qeverisë shqiptare “t’u japë udhëzime autoriteteve ushtarake që deri më 20 maj 1961 të heqin ekuipazhet shqiptare nga të gjitha anijet, nëndetëset dhe anijet ndihmuese, të cilat në kohën e vet u dërguan nga BRSS në Shqipëri për organizimin e bazës ushtarake detare në Vlorë”.

Me fjalë të tjera, kërkohet zyrtarisht të kthehen të 12 nëndetëset dhe mjetet e tjera ndihmëse?
Po. Të dyja vendet e pretendonin pronësinë mbi mjetet. Më 8 maj qeveria shqiptare u përgjigj shkurt se në bazë të Marrëveshjeve të 12 shtatorit 1957 dhe të 3 majit 1959, midis qeverive të dy vendeve, të gjitha mjetet detare që kishin ardhur në bazën e Vlorës kishin kaluar në pronësi të shtetit shqiptar dhe se për këtë qëllim, midis dy palëve ishin hartuar dokumentet përkatëse të rregullta.

Qeveria shqiptare shprehej, megjithatë, se “për hir të miqësisë së përjetshme që lidh popullin shqiptar me popullin sovjetik”, ajo nuk do të kundërshtonte që të largohen mjetet detare, ku shërbimi kryhet nga ekuipazhe sovjetike. Ajo propozoi gjithashtu një komision të përbashkët midis dy vendeve, i cili do të caktonte modalitetet për evakuimin e forcave ushtarake detare sovjetike nga Vlora. U kërkua që Komisioni të mblidhej në Tiranë para datës 20 maj.

Ky ishte një lëshim nga qeveria shqiptare, apo jo?
Më shumë se lëshim, ishte zgjidhje taktike. Nuk ka sens që një bazë ushtarake e ngritur nga një shtet tjetër dhe për qëllime mbrojtjeje të një grupi shtetesh, të konsiderohet e tëra si pronë e shtetit shqiptar, vetëm pse ajo ishte në tokën ose ujërat e tij. Sidoqoftë qeveria shqiptare erdhi në tryezë me një propozim, që e konsideroi lëshim. Sovjetikët e pranuan komisionin, por jo pretendimet shqiptare për pronësinë. Grupi sovjetik që e kryesonte zëvendësministri i jashtëm N. Firjubin, mbërriti në Tiranë më 18 maj. Kjo do të ishte një javë e ngarkuar dhe me plot tension.

Të dyja palët iu referuan shpesh Marrëveshjeve të 12 shtatorit 1957 dhe 3 majit 1959, duke e quajtur njëra-tjetrën si shkelëse të marrëveshjeve dhe shkaktare të gjendjes së krijuar në Bazën e Vlorës. Të dyja palët bënë deklarata sidomos për pronësinë e mjeteve detare. Sipas shqiptarëve: “luftanijet dhe mjetet e tjera detare i janë dhënë falas RPSH nga ana e BS dhe janë dorëzuar me dokumente të rregullta zyrtare”.

Sipas sovjetikëve: “... anijet, armatimet dhe materialet e tjera i përkasin shtetit sovjetik, ato janë pronë e shenjtë dhe e padiskutueshme e popullit sovjetik”. Më tej, përsëri sovjetikët: “Duke shkelur marrëveshjet e vitit 1957 dhe vitit 1959, pala shqiptare jo vetëm nuk mund të pretendojë për të drejtën e pronësisë mbi nëndetëset dhe anijet, por privon edhe veten nga e drejta për t’i përdorur ato”.

Me që të dyja palët nuk lëvizën nga qëndrimet e veta, delegacioni shqiptar, më 23 maj, përsëriti ato çka përmbante letra e 8 majit, që qeveria shqiptare ia drejtonte qeverisë sovjetike, thelbi i të cilës ishte se pala shqiptare nuk do të kundërshtonte të largoheshin nga Shqipëria 8 nëndetëse dhe baza lundruese “Kotjelnikov”, bashkë me ekuipazhet sovjetike.

Më 24 maj, në mëngjes, delegacioni sovjetik bëri një deklaratë ku u tha se “pala sovjetike... është e detyruar në kohën e tanishme të japë udhëzim për largimin nga Gjiri i Vlorës vetëm të një pjese të anijeve dhe të mjeteve të tjera ushtarake detare...” Pas kësaj, diskutimet kaluan në çështje teknike, siç ishte inventari i mjeteve, i pajisjeve etj., çështje me të cilat u mor një grup i veçantë me specialistë ushtarakë. Më 25 maj ishte seanca e fundit.

Në këtë seancë Firjubini kërkoi të konsultohej me qeverinë e vet, sepse shqiptarët nuk pranuan që baza të mbetej e zhveshur, pa pajisje, pjesë ndërrimi, silurë, detonatorë etj. Po atë seancë Firjubini njoftoi se të nesërmen, më 26 maj, në orën 8.oo, në mëngjes, anijet sovjetike do të largoheshin nga Vlora.

E njëjta gjë u njoftua dhe me shkrim atë pasdite. Homologu shqiptar ia ktheu dhe ai me shkrim se Qeveria e RPSH nuk ka kundërshtim të largohen nga Gjiri i Vlorës 8 nëndetëse dhe baza lundruese “Kotjelnikov”, në të cilat shërbejnë ekuipazhe sovjetike, po ashtu nuk ka kundërshtim që ato të largohen më 26 maj 1961, ora 8.oo.

Mjetet e sipërpërmendura u larguan nga Vlora më 26 maj 1961. Me këmbënguljen e qeverisë shqiptare mjetet e tjera nuk u lejuan të largohen. Këto ishin katër nëndetëse, baza lundruese “Njemçinov”, 10 anije të vogla mbiujëse, 22 anije ndihmuese dhe një sasi armatimesh, teknike dhe materialesh të tjera. Për sa u përket ushtarakëve të fundit të mbetur, ato u larguan nga Vlora në ditët e para të qershorit.

Ndërkohë, puna në komisionin e përbashkët u ndërpre. Pas pushimit të kërkuar më 25 maj për t’u këshilluar me qeverinë, delegacioni sovjetik nuk u kthye më në komision. Në takimin që iu kërkua me ngut homologut të tij shqiptar, Halim Budo, më 27 maj, ora 22, Firjubini njoftoi se delegacioni ishte thirrur në Moskë për të raportuar. Këto bisedime nuk u hapën më.

Mjetet detare dhe pajisjet e tjera, të mbetura në Shqipëri, nuk u kthyen në BS, megjithëse sovjetikët nuk hoqën dorë nga pretendimi se ato ishin pronë e tyre. E njëjta gjë ndodhi edhe në rastin e dy anijeve të Flotës Ushtarake-detare shqiptare, të cilat prej muajsh ishin në Detin e Zi për remont, bashkë me ekuipazhet e tyre. Ekuipazhet u kthyen në Shqipëri, duke i lënë anijet në Portin e Sevastopolit, megjithëse qeveria shqiptare, po ashtu nuk hoqi dorë nga e drejta e pronësisë mbi këto mjete. Përmbledhtas, ky ishte historiku i marrëdhënieve mjaft të acaruara shqiptaro-sovjetike për Bazën e Vlorës.

A ka një arsye për gjithë sa ndodhi në Vlorë, në portën hyrëse të Bllokut të Varshavës?
Sigurisht ka, madje më shumë se një arsye, edhe pse mbetet ende të qëmtohet rreth tyre. Për sovjetikët, pse ata shkuan lehtësisht në veprime ekstreme. Për shqiptarët duhet kërkuar më tej, ndoshta, rreth motiveve të tyre të kundërshtimit. Një gjë është e qartë, rasti i Vlorës nuk mund të ishte i shkëputur nga gjithë zhvillimet e tjera, nga kompleksi i marrëdhënieve politike e shtetërore që po ndodhnin atë kohë.

Interesante është se më 1961 Hrushovi i dha fund detantës dhe në gusht, në Berlin, ishte ai që ngriti murin e famshëm dhe një vit më vonë në Karaibe provokoi krizën, që për pak rrëshqiti në luftë botërore. Pra, mbetet ende mister pse pikërisht në këto rrethana Hrushovi u tërhoq nga Mesdheu. Bie në sy po ashtu se ndërsa kundërshtimi publik i qeverisë shqiptare është energjik, Enver Hoxha ndjehet i lehtësuar për likuidimin e Bazës së Vlorës.

Këtë ai e shprehu hapur në një mbledhje të Byrosë Politike, më 1 prill 1961, një ditë pasi u informua për vendimin e Komitetit Politik Konsultativ. Si një udhëheqës i formatit stalinist, ai e kishte shumë të qartë se në rrethanat e krijuara, Baza e Vlorës, si bazë e Paktit të Varshavës, mund të kthehej në një armë, siç shprehej ai, “për rrëzimin e udhëheqjes së PPSh” dhe “për pushtimin e Shqipërisë”. Duket se në vështrimin e tij, Baza ishte kthyer nga një mjet sigurie më shumë, në një rrezik më shumë. Prandaj pa të ai do të ndjehej më i çliruar dhe, më e rëndësishmja, politikisht ai do të luante bindshëm kartën e neutralitetit.

Në mbledhjen e radhës të Komitetit Politik Konsultativ të PV, më 3 gusht 1961, një incident me delegacionin shqiptar të kryesuar nga Ramiz Alia, të cilit iu kërkua të largohej nga mbledhja, me pretekstin e nivelit të përfaqësimit, shënoi përjashtimin de facto të Shqipërisë nga Pakti i Varshavës. Që nga ajo kohë e deri në vitin 1968, Shqipëria nuk ishte as brenda e as jashtë këtij pakti.

Ka shumë legjenda se ngjarjet e Vlorës rikthyen interesat e Perëndimit për Shqipërinë...
Mendoj se kjo ishte objektivisht e pritshme. Mjaft të mendojmë se nuk është pak që Mesdheu të lehtësohej nga prania përballë njëra-tjetrës e dy flotave luftarake kundërshtare. Dokumentet me këtë temë janë kryesisht orientime të diplomacisë amerikane, raporte-info, por edhe qëndrime zyrtare të shtetit amerikan por dhe të shteteve fqinje si Italia, Greqia e Jugosllavia. Gjithë kjo lëndë është ende e patrajtuar, kësisoj e panjohur për opinionin shqiptar.

Po përmend vetëm katër dokumente. Dokumenti i parë është një letër e Sekretarit të Departamentit të Shtetit Din Rask (Dean Rusk), për ambasadorin amerikan në Greqi dhe për dijeni disa ambasadorëve në Evropë, më 17 nëntor 1961, në të cilën nënvizohet interesi aktiv i Shteteve të Bashkuara për Shqipërinë, si dhe rekomandohet kujdes për të mos u marrë asnjë hap nga vendet e Perëndimit, që mund të çonte në bashkimin përsëri të Pekinit me Moskën dhe që Shqipëria të tërhiqej nga sfida.

Dokumenti i dytë janë dy letra përgjigjeje, njëra më 19 dhe tjetra më 21 nëntor 1961, që ambasadori amerikan në Beograd George Kennan i shkruan D. Raskut, ndër të tjera, se Jugosllavia ishte ekstremisht e ndjeshme për çdo veprim me dhunë ndaj Shqipërisë, veçanërisht nga vendet e NATO-s, por dhe nga BS. Kujtojmë se Kennan është nga diplomatët amerikanë më në zë të të gjitha kohrave.

Më 22 shkurt 1946, ai ende nuk ishte ambasador, kur nga Moska dërgoi një raport, që u bë programi i administratës së Trumanit, por dhe i politikës amerikane në vazhdim. Në vitet 1961-63, George Kennan ishte ambasador i SHBA në Beograd dhe i ndoqi nga afër zhvillimet në Shqipëri. Më saktë se askush ai parashikoi se “situata shqiptare është gjithmonë subjekt i ndryshimeve të papritura dhe të paparashikuara”. Prandaj “ne nuk duhet të marrim vendime afatgjata, të cilat do të përjashtonin mundësinë e një përgjigjeje fleksibël dhe të menjëhershme”.

Dokumenti i tretë është me burim nga gazeta “Los Angeles Times”, 1 shkurt 1962, e cila sjell raportin që ambasadori Kennan ka paraqitur në Komisionin për Marrëdhëniet Ndërkombëtare në Senatin e Shteteve të Bashkuara. Që në krye veçohet se Kennan i rekomandon SHBA të adoptojnë një politikë “Hands off” (të duarve larg, ose mosndërhyrjes) nga grindja e hidhur e Shqipërisë komuniste me BS.

Dokumenti i katërt është një studim që përmban rekomandimet zyrtare të Departamentit të Shtetit, të Këshillit të Sigurimit Kombëtar dhe të Komisionit të Planifikimit të Politikave, më 26 janar 1962, ku, midis të tjerave, kërkohet të vijojnë konsultat me qeveritë greke, italiane dhe jugosllave për situatën në Shqipërinë fqinje dhe se Shtetet e Bashkuara nënvizojnë qëndrimin e “duarve larg” nga Shqipëria. I njëjti material, përmes Misionit amerikan në Organizatën Rajonale Evropiane në Paris, i përcillet edhe strukturave drejtuese të NATO-s, “për shkak se edhe ajo është e interesuar për këtë subjekt”.

Në këto dhe materiale të tjera të kësaj kohe nënvizohet interesi i Ëashingtonit për ta afruar Shqipërinë me Perëndimin, por edhe rreziku si një zonë eksplozive në Ballkan dhe më gjerë. Moska duhet ta ketë parashikuar këtë. Prandaj ajo nuk e bëri hapin e përjashtimit të Shqipërisë de jure nga Traktati i Varshavës, pikërisht që të mund të përdorte të drejtën e ndërhyrjes në rast të një agresioni.

Edhe pse Hrushovi i ndenji larg kësaj pike delikate për rajonin, në vetëdijen e shqiptarëve Pakti i Varshavës nuk sillte kurrfarë sigurie. Përkundrazi, pushtimi i Çekosllovakisë, më 1968, ktheu ankthin. Prandaj opinioni, brenda dhe jashtë vendit, e mirëpriti denoncimin që qeveria shqiptare i bëri edhe juridikisht Traktatit të Varshavës dhe largimin prej tij. Këtu merr fund marrëdhënia e Shqipërisë me Paktin e Varshavës, për të filluar një marrëdhënie tjetër në një kohë tjetër.

NATO dhe Pakti i Varshavës, çfarë i bashkon dhe çfarë i ndan?
Kjo është temë e gjerë. Ajo çka mund të them është se të dy blloqet ushtarakë u krijuan për të kompaktësuar blloqet politikë. Sa qe gjallë, për Stalinin duket se një aleancë ushtarake më shumë ishte pengesë, për me tepër kur divizionet sovjetike ishin ende të pranishme në shumicën e vendeve të Lindjes. Pas vdekjes së tij, u pa se Lindja rrezikoi shthurjen, prandaj dhe u bë Pakti. Fasada ishte aleanca përballë Perëndimit.

Si casus u gjet përfshirja e Gjermanisë Perëndimore në NATO, kur arsyeja e vërtetë ishte frika e shpërbërjes. Rasti i parë ishte ndërhyrja në Hungari, më 1956. Edhe pse ndërhyrja ishte sovjetike, vendet anëtare lejuan kalimin e trupave sovjetikë. Ndërhyrja në Çekosllovaki, më 1968, provoi se Pakti i Varshavës ishte kthyer në instrument të hegjemonisë sovjetike. Kjo nuk ishte e provuar për Perëndimin, kur në disa luftëra të gjata e të vështira, Shtetet e Bashkuara u përfshinë, pa implikuar NATO-n.

Sapo ra sistemi komunist, bashkë me të u mbyll edhe historia e Paktit të Varshavës. Veprimet formale u bënë në një mbledhje të Komitetit Politik Konsultativ në Pragë, më 1 korrik 1991. Por, paralelisht në kohë, edhe NATO-s do t’i duhej të shqyrtonte rolin e vet në rrethanat e reja. Aq më tepër kur kishte zëra se “me kolapsin e BS, NATO humbi jo vetëm armikun e saj, por edhe arsyen për të ekzistuar”. Për më se tri dekada e gjysmë dy blloqe ushtarake u vunë përballë njëri-tjetrit, provuan dhe tensione, por në të gjitha rastet i shmangën mrekullisht konfrontimet.

Studiuesve të Luftës së Ftohtë u mbetet ende të eksplorojnë për këtë gjysmëshekull ankthesh, por dhe ekuilibresh mjaft funksionues. Ashtu siç mbetet për t’u studiuar e shpjeguar si NATO me mjete politike ia arriti në 42 vjet të ndalë ekspansionin sovjetik, por edhe pse ajo e pati të pamundur që, me të njëjtat mjete, të ndalte atë çka e pasoi shembjen e perandorisë komuniste, pikërisht shpërthimin e një vargu “luftërash etnike”.

Megjithëse debati për mbajtjen ose shkrirjen e NATO-s u tejkalua shpejt, prapëseprapë dilemat më të mëdha të NATO-s pas Luftës së Ftohtë duket se kanë qenë ato të zgjerimit. Kur pas shtatë vjetësh u ftuan në Aleancë tri vendet e para të Lindjes, Polonia, Hungaria dhe Republika Çeke, atëherë u tha se Senati amerikan, më shumë se për tre anëtarë të rinj, kishte votuar për një proces. Kështu mori rrugë projekti për integrimin progresiv në NATO të shteteve postkomuniste të Evropës Lindore.

Me këtë rast iu dha përgjigje edhe një shqetësimi tjetër të shfaqur për rrezikun e dy grupe kufijsh në Evropë: kufij që mbrohen me garanci sigurimi dhe të tjerë, të cilëve këto garanci u refuzohen, çka do të ishte “tunduese për agresorë potencialë dhe demoralizuese për viktima potenciale”. Në këtë mënyrë, NATO ndërmori ndryshime thelbësore në strategjinë e vet, duke e zhvilluar idenë e sigurisë kolektive, që do të thotë se ajo merr përsipër jo vetëm të mbrojë nga një kërcënim i mundshëm territorin e çdo vendi anëtar, por të mbrojë edhe interesat e përbashkëta të sigurisë jashtë këtyre territoreve.

Në këtë mision përfshihet dhe roli i saj si “peacemaking” dhe “peacekeeping”, dmth misioni i ndërtimit dhe i ruajtjes së paqes në vendet e kërcënuara, apo të sapodala nga konflikti i armatosur. Prova e parë e ndërhyrjes ishte Bosnja. Dhe, pas saj, rasti i Kosovës është ndoshta demonstrimi më serioz i rivendosjes së prestigjit dhe besueshmërisë. Të dyja jashtë zonës.

Më 4 prill 2009, Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit për në NATO. Mendoj se mbetet për t’u shqyrtuar dhe shpjeguar orientimi masiv i shqiptarëve drejt Aleancës që në çastet e para të rënies së komunizmit. Ashtu siç do t’ia vlente më tutje që një ditë të studiohet edhe kjo fazë përgatitore, që prej vitit 1992, kur Shqipëria iu bashkua Këshillit të Bashkëpunimit të Atlantikut të Veriut e deri më sot.

Mendoj gjithashtu se vullneti i shfaqur i klasës politike shqiptare për integrim në strukturat euroatlantike, me gjithë vështirësitë e tranzicionit dhe thyerjet në çaste të caktuara, sidoqoftë ka shkuar paralel me përkujdesjen që institucionet e vendit dhe qeverisja në përgjithësi të tentojnë standardet e demokracisë.

Në pikëpamje strategjike, ky vend historikisht delikat për ekuilibret në Ballkan e më gjerë; ky vend, për të cilin rekomandohej politika “Hands off”, tani është pjesë e një strategjie të mirëfilltë sigurie për rajonin. Ndërsa nga ana e saj, Shqipëria sot është një vend që jo vetëm konsumon, por edhe prodhon siguri.

Shkrimi u botua sot në gazetën Shqiptarja.com (print) 28.04.2013

Redaksi Online
(b.m/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    28 Nëntor, 09:20

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?



×

Lajmi i fundit

Nxirrnin gurë dekorativë nga mali i Tomorrit, 3 të arrestuar dhe 5 në kërkim

Nxirrnin gurë dekorativë nga mali i Tomorrit, 3 të arrestuar dhe 5 në kërkim