KOMBET E BASHKUARA (SHBA), 1 tetor /ATSH-AFP/ - Greqia do të bëjë gjithçka mundet për të pritur në mënyrë të denjë imigrantët, theksoi sot para OKB-së, kryeministri grek, Aleksis Cipras duke kritikuar ato që kërkojnë të ndërtojnë mure akoma më të larta për të frenuar fluksin e imigrantëve.
Në fjalimin e parë para asamblesë së përgjithshme të OKB-së, ai theksoi se më shumë se 300 000 persona, të ardhur kryesisht nga Siria, Iraku apo Afganistani, kanë kaluar tranzit nga Greqia drejt veriut të Evropës që prej muajit janar.
"Në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe organizatat ndërkombëtare, ne po bëjmë gjithçka mundemi për të menaxhuar këtë fluks në mënyrë njerëzore dhe efikase", konfirmoi ai.
"Populli gerek ka dhënë gjithashtu prova solidariteti duke furnizuar me ushqim dhe strehim refugjatët", shtoi ai.
"Ne nuk duhet të harrojmë se shumë nga të parët tanë kanë qenë refugjatë dhe imigrantë", nënvizoi kryeministri grek duke shtuar se nuk duhet të lejojmë racizmin dhe ksenofobinë të shkatërrojnë vlerat tona të përbashkëta./