/ATSH-AFP/ - Qeveria siriane pranoi të marrë pjesë në diskutimet paraprake të propozuara nga OKB-ja për përgatitjen e një konference paqeje, theksoi sot para Kombeve të Bashkuara shefi i diplomacisë siriane, Walid Mouallem.
Ai iu referua katër komiteteve të ekspertëve sugjeruar nga ndërmjetësuesi i OKB-së, Staffan de Mistura për të rifilluar bisedimet paraprake për paqe.
"Roli i këtyre komiteteve është kryesisht për të shkëmbyer ide dhe ata do të drejtojnë bisedimet paraprake, rezultatet e të cilave të pranuara do të përdoren për të përgatitur fillimin e Gjenevë tre, domethënë fillimin e një seance të tretë negociatash për paqe", theksoi ai.
Walid Mouallem rikonfirmoi se lufta kundër terrorizmit është një prioritet për të progresuar në fusha të tjera duke përfshirë edhe tranzicionin politik.
"Siria nuk mund të aplikojë masa politike demokratike në lidhje me zgjedhjet apo një Kushtetutë ndërkohë që terrorizmi godet territorin e saj", deklaroi ai.
"E vetmja mënyrë për të arritur në një zgjidhje politike është një dialog kombëtar mes sirianëve pa ndërhyrje ët huaja", nënvizoi ai.