SHBA: Pas zgjedhjeve për Kongresin, vëmendja kthehet tek gara presidenciale e vitit 2024

SHBA: Pas zgjedhjeve për Kongresin, vëmendja kthehet tek gara presidenciale e vitit 2024

Ndërtesa e Kongresit amerikan

Me përfundimin e zgjedhjeve për Kongresin, vëmendja është zhvendosur tek gara presidenciale e vitit 2024. Materiali në vijim i korrespondentes së Zërit të Amerikës, Michelle Quinn sjell zhvillimet kryesore të javës nga Uashingtoni.

Javën e kaluar, ish-presidenti Donald Trump njoftoi se po i hynte garës për president, për të tretën herë.

Disa ditë më vonë, prokurori i përgjithshëm emëroi një prokuror të posaçëm për të hetuar nëse zoti Trump ka patur rol në sulmin e dhunshëm ndaj Kongresit më 6 janar të vitit 2021 dhe nëse kishte marrë dokumente sekrete nga Shtëpia e Bardhë, dy javë pas largimit nga detyra.

“Jam këtu sot për të njoftuar emërimin e një prokurori të posaçëm në lidhje me dy hetime penale që kanë marrë vëmendje të konsiderueshme publike”, tha zoti Garland kur njoftoi se ka emëruar prokuror të posaçëm për hetimet ndaj zotit Trump.

Njoftimet vijnë pas rezultateve të zgjedhjeve të mesmandatit në SHBA. Demokratët befasuan shumë njerëz duke mbajtur shumicën në Senat. Republikanët fituan kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve, por me më pak se sa ishte parashikuar.

Megjithatë, një Kongres i ndarë do të thotë se presidenti Biden do ta ketë më të vështirë të miratojë ligje gjatë dy viteve të fundit të mandatit.

“Jam krenar të njoftoj se epoka e qeverisjes njëpartiake e demokratëve në Uashington ka përfunduar” tha ligjvënësi republikan Kevin McCarthy.

Disa republikanë vunë në dukje se kandidatët e mbështetur nga zoti Trump nuk dolën aq mirë sa pritej në zgjedhje, megjithë shqetësimet për rritjen e inflacionit e një rënie të përkrahjes për presidentin Biden nën 40%. Disa republikanë janë shprehur kundër Donald Trumpin si kandidat për president të partisë së tyre.

“Ka mundësi që ne ta humbasim Shtëpinë e Bardhë me zotin Trump. Nëse do kemi një kandidat tjetër që nuk quhet Trump, besoj se ne do fitojmë garën presidenciale”, tha për “ABC News”, ish kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Paul Ryan.

Gjatë fundjavës, pasi 15 milionë njerëz votuan në një sondazh në rrjetin social, “Twitter”, shefi i kësaj platforme, Elon Musk zhbllokoi profilin e zotit Trump. “Twitter” e kishte bllokuar ish presidentin Trump në vitin 2021 pas sulmit në Kapitol.

Megjithatë zoti Trump tha se nuk do rikthehet në “Twitter” dhe se do të vazhdojë komunikimin me publikun përmes platformës së tij, “Truth Social”./VOA

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Mendoni se duhet të ngrihet komisioni hetimor për çështjen McGonigal?



×

Lajmi i fundit

Ëmbëlsirë me arra dhe portokall, si të përgatisni një super kek të shijshëm

Ëmbëlsirë me arra dhe portokall, si të përgatisni një super kek të shijshëm