Zëvendëssekretari amerikan i Shtetit, Uilliam Bërns, i ka thënë kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, se Shtetet e Bashkuara i gëzohen bashkëpunimit me Qeverinë e re, të bindura se e ardhmja e saj do të jetë në Bashkimin Evropian, transmeton RTK.

Në bisedën telefonike, sipas RTK bazuar në mediat serbe, Bërns i ka thënë Daçiqit se SHBA-ja pret përparimin e Serbisë në rrugën e integrimeve evropiane, vazhdimin e reformave dhe rezultate të dukshme dhe të qëndrueshme në dialog me Prishtinën

Daçiq, në anën tjetër, ka shprehur bindjen se ndërtimi i bashkëpunimit të mirë me SHBA-në është prioritet i Qeverisë së Serbisë.

Ai ka deklaruar se Serbia dëshiron të vazhdojë rrugën evropiane, e cila, siç është shprehur, nënkupton harmonizimin e legjislaturës serbe me atë të BE-së, ashtu si edhe dialogun me Prishtinën dhe zbatimin e marrëveshjeve të arritura nga qeveria paraprake.

“Serbia do që të jetë faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon”, ka thënë Daçiq, duke nënvizuar se vendi i tij është i gatshëm të ndërtojë bashkëpunim më të fortë me SHBA-në në fushën e ekonomisë, të mbrojtjes, në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe terrorizmit.

Parlamenti i Serbisë ka zgjedhur qeverinë e re me në krye socialistin Ivica Daçiq më 27 korrik.
/rg/shqiptarja.com/