Indeksi i Transformimit, një tregues i shoqëruar nga një raport dyvjeçar i Fondacionit Bertelsmann, me qendër në Gjermani shqyrton prirjet kryesore politike, sociale dhe ekonomike të 128 vendeve të përfshira në raport.
SHQIPËRIA
Në raportin e këtij viti për Shqipërinë thuhet se prirjet shqetësuese politike në periudhën e shqyrtuar - që në vitin 2009 deri në pranverë të vitit 2011 – e arritën kulmin me protesta të dhunshme që u kthyen në vdekjeprurëse para kryeministrisë, si edhe dështimin e qeverisë për të hetuar vdekjen e protestuesve. “Problemet politike dhe shoqërore të Shqipërisë zjenin prej kohësh nën sipërfaqe dhe është faji i politikanëve të vendit që nuk arritën të zgjidhin tensionet që sollën si rezultat krizën aktuale”, thuhet në raport.
Zgjedhjet e vitit 2009, thuhet në raport ishin një hap i rëndësishëm prapa drejt reformave më demokratike, pasi rezultatet sollën një radikalizim të rrezikshëm mes partive të opozitës që kërkonin një hetim të zgjedhjeve duke akuzuar për manipulime dhe shumicës qeveritare që i hodhi poshtë këto kërkesa. Tensionet u përshkallëzuan me publikimin e videos së zëvendës kryeministrit Ilir Meta. Mos hetimi i akuzave për korrupsion që përfshijnë ministra, si edhe për të realizuar ndjekjen penale të atyre pak rasteve që kanë arritur të paraqiten në prokurorin, tregon dështimin e vazhdueshëm të një shteti ligjor që edhe pa këto ishte i dobët dhe konsolidimin e një kulture mosndëshkimi, thotë raporti.
“Gjatë periudhës së studiuar, vendi ka dëshmuar një rënie të konsiderueshme në shumicën e treguesve matës të pjesëmarrjes politike, stabilitetin e institucioneve demokratike dhe integrimit politik dhe shoqëror”, thotë raporti. Në raport thuhet se vendi ka treguar gjithashtu shenja shqetësuese në rënie në ekonomi, kur rritja e prodhimit të brendshëm bruto – një nga arritjet më të rëndësishme të Shqipërisë vitet e fundit – u ngadalësua në mënyrë drastike në vitet 2009 dhe 2010. Planet e qeverisë për të rritur shpenzimet shoqëruar nga të ardhurat në rënie e kanë rritur deficitin buxhetor si edhe borxhin publik.
Në raport thuhet se vendi e nisi tranzicionin demokratik me sfida të vështira shton se aftësitë e dobëta drejtuese, përdorimi joefiçent i burimeve dhe politika përçarëse kanë minuar edhe më tej arritjet e brishta të tranzicionit demokratik. Sipas fondacionit sinjalet pozitive ndërkombëtare, si anëtarësimi në NATO dhe liberalizimi i vizave nuk kanë mundur ta zmbrapsin prirjet problematike të brendshme.
Shqipëria radhitet e 41mes 128 vendeve përsa i takon statusit të vendit në përgjithësi që mat transformimin ekonomik dhe politike, me një vlerësim prej 6.28 në një shkallë ku 1 është niveli më i ulët dhe 10 më i larti. Përsa i takon transformimit politik, radhitet e 43-a me një vlerësim 6.70, dhe ekonomik 5.86. Ndërsa në treguesin e quajtur indeksi i menaxhimit, që mat cilësinë e qeverisjes vendi radhitet i 57-i, me një vlerësim prej 5.35 pikësh.
Kosova
Përsa i takon Kosovës, në raport thuhet se tre vjet pas pavarësisë është arritur sukses i konsiderueshëm, por ende mbeten shumë sfida. “Përfaqësuesit e zgjedhur vazhdojnë ta ndajnë pushtetin me praninë ndërkombëtare, ndërsa integriteti territorial dhe siguria ruhen nga KFOR-i”, thuhet në raport.
Aty theksohet se problemi kryesor me të cilin përballet administrata është korrupsioni shumë i përhapur, ndërsa një problem tjetër është politizimi i administratës publike me klientë politikë që mbajnë pozita të ndryshme pa kualifikimin e duhur.
Duke folur për zgjedhjet e vitit 2010, raporti thekson se ato u dënmtuan shumë raste mashtrimesh dhe manipulimesh.
Sfida më e madhe për vendin është ekonomia, ku rritja nuk ka qenë e mjaftueshme për të luftuar varfërinë dhe papunësinë. Kosova mbetet vendi më i varfër në rajon.
Ekonomia informale, korrupsioni dhe shteti ligjor i dobët janë pengesat kryesore për një ekonomi tregu funksionale.
Kosova radhitet e 41-a mes 128 vendeve përsa i takon treguesit të statusit në përgjithësi me një vlerësim 6.28 pikë. Përsa i takon transformimit politik, Kosova zë vendin e 43-ë me 6.70 pikë dhe transformim ekonomik me 5.86, në vendin e 58-ë. Përsa i takon treguesit të menaxhimit, që mat cilësinë e qeverisjes, Kosova është e 57-a me 5.35 nga 10 pikët e mundshme.
(aq/VOA/shqiptrarja.com)