Red Bull është në telashe! Kompania e pijeve energjike “Red Bull” do t’u paguajë 13 milionë dollarë dëmshpërblim në total për çdo person që ka blerë këtë pije energjike nga 1 Janari i 2002-shit deri në 3 tetor të 2014-ës.

Gjithçka nisi pas çështjes gjyqësore që fitoi një qytetar amerikan, kundër kolosit të Salzburgut. Sipas këtij të fundit, slogani prej dy dekadash “Red bull ju jep krahë”, është krejtësisht i rremë dhe mashtrues. Në reklamat e saj, Redbull pohon se kjo pije energjike mund të përmirësojë përqendrimin dhe shpejtësinë e reagimit, ndërsa në padi pohohet se këto pretendime nuk mbështeten shkencërisht.

Ndërsa, kompania Red Bull është mbrojtur duke thënë se fushata e  marketingut ka qenë gjithmonë e vërtetë dhe e saktë duke mohuar çdo keqbërje apo gënjeshtër.
 
Nëse kërkesa e një grupi njerëzish do të miratohet nga Gjykata e Qarkut jugor të New-Yorkut, gjatë një seance që do të mbahet në mars të 2015-ës, Red Bull do të duhet të paguajë 6 milionë e 500 mijë dollarë brenda një jave.
 
Gjithashtu, kjo kompani duhet të kompensojë klientët e zhgënjyer në shumën prej 10 dollarësh ose blerje produktesh të tij në vlerën e 15 dollarëve. Kjo do t’i kushtonte shumë gjigantit austriak i cili ka furnizuar miliona persona, të cilët kanë blerë të paktën 1 kanaçe gjatë 12 viteve të fundit. Të gjithë ata që do të duan të përfitojnë duhet të plotësojnë një formular ose të telefonojnë në numrin që Red Bull ka vënë në dispozicion, ndërkohë që, sipas tyre, ju nuk keni nevojë as të dëshmoni se keni blerë një të tillë.