SHBA - Koha e gjatë e vakancës së ambasadorëve në disa shtete dhe numri i lartë i tyre për Sekretarin amerikan të shtetit, John Kerry komprometon sigurinë kombëtare të SHBA. Sipas Kerry është shqetësuese mungesa e ambasadorëve të SHBA në vende në konflikt dhe të lira, por edhe vende me rëndësi strategjike, ku përmendet  edhe Shqipëria.

“Vetëm në Lindjen e Mesme, konflikti tragjik dhe ekstremizmi në rritje në Siri kërcënojnë një rajon ku ne kemi interesa të gjera ekonomike. Senati konfirmoi ambasadorët në Egjipt dhe Irak muajin e kaluar, por mbetet shumë për t'u bërë. Senati duhet të miratojë shpejt ambasadorë në Algjeri, Kuvajt dhe Katar, vetëm tre nga vendet ku ne i kemi të ngutshme interesat e sigurisë”- thotë Kerry.

Sipas Kerry, SHBA-të kanë mungesë të ambasadorëve edhe në vendet strategjike Europiane si Hungaria, Turqia, Republika Çeke, Moldavia dhe Shqipëria. “Pa autoritetin e një ambasadori ne nuk mund të merremi plotësisht me zyrtarët e nivelit më të lartë në këto vende”, ka thënë ai.

Deklarata e Sekretarit amerikan të Shtetit,  John Kerry i drejtohet senatorëve pasi kanë bllokuar emërimet e ambasadorëve të SHBA në vende të ndryshme.

Dhjetëra kandidatura të propozuara nga Presidenti Obama për poste të ndryshme publike janë bllokuar në Senat nga Republikanët, mes tyre është edhe ajo e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Shqipëri, Donald Lu, i cili pritet të zëvendësojë Arvizu.
 
Redaksia Online
(a.h/shqiptarja.com)