SHBA: Shqiptarë veproni, të
enjten iniciativa e pazakontë

SHBA: Shqiptarë veproni, të<br />enjten iniciativa e pazakontë
TIRANE- Ambasada amerikane nuk e ka bërë asnjëherë më parë! Dhe ambasada amerikane e ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i kanë bërë vërtetë të gjitha në Shqipëri. Aktiviteti që është menduar të organizohet të enjten në Tiranë kapërcen gjithçka: duket sikur indiferenca jonë, ajo që ndodh, i ka bërë të dëshpërohen e të vendosin duart në kokë. Duket sikur, nga miqtë e përhershëm të rrugës së Elbasanit na vjen apeli ekstrem: ACT NOW!  Bëj të dëgjohet zëri yt!

Dhe për këtë kanë menduar dhe realizuar konkretisht një "Panair për qytetarët", të enjten nga ora 11.00 deri në 14.00. Aktiviteti nis në Teatrin Kombëtar e përfundon te Galeria Kombëtare e Arteve. Një ngjarje vërtetë e paparë dhe e pabërë nga një seli diplomatike.
E drejton Adi Krasta, gazetar e showmen që ka treguar se nuk i pëlqen të mbetet indiferent ndaj ngjarjeve të trishta në Shqipëri. Zgjedhja e tij si moderator është një mesazh më vete. Ambasada amerikane "detyron" dhe Kadarenë të japë një videomesazh për bashkëqytetarët e tij. Mister përmbajtja, por thuhet sensi i njëjtë: Bëj të dëgjohet zëri yt!

Në ftesat e shpërndara nuk ka zyrtarë të lartë. Nuk ka ministra, nuk ka qeveritarë. Në podium do të ngjiten ata shqiptarë që me forcat e tyre dhe vetëm me forcat e tyre kanë ecur përpara, si për shembull grupi i alpinistëve shqiptarë në Everest, apo këngëtarja Rona Nishliu. Ka dhe të ftuar të tjerë surprizë, por besoj të përzgjedhur me të njëjtin kriter: shqiptarë të mirë.

Ambasada amerikane ka shpërndarë dhe një spot nëpër televizionet kryesore, sinqerisht nuk e kam parë, por në ftesën e përgatitur për aktivitetin më bënë shumë përshtypje 4 temat kryesore me 12 pikat jetësore, thelbësore, njerëzore që duhet të pretendojë e ku duhet të kontribuojë çdo shqiptar: Arsimi, Mjedisi, Qeverisja, Shëndetesia.

Imagjinoj ambasadorin amerikan të jetë hedhur jo më pak se një herë përpjetë nga karrigia, sa herë sheh, dëgjon problemet tona dhe pafuqinë e veprimit që na karakterizon.

Janë 12 mënyra që na sygjerohen për t'u përfshirë në vitin 2012, (nuk është bërë më herët, as më vonë, por tani) dhe këshillat janë fare konkrete, duke na kujtuar atë që shpesh ne të gjithë harrojmë: pa përfshirje personale dhe kontribut në shoqëri, gjërat asnjëherë nuk do të ndryshojnë. Derisa shoqëria të ketë këtë formë e strukturë sot, qëndrimi jashtë këtyre formave dhe strukturave është baraz me zero.

Ja disa nga këshillat: "Në qeverisje: Bëj të dëgjohet zeri yt! Merr pjesë në mbledhjet e bashkisë dhe përcilli shqetësimet e tua përfaqësuesve bashkiakë. Voto! Ushtro të drejtën tënde të votës për të zgjedhur ata që të përfaqësojnë dhe që do të të japin llogari ty dhe komunitetit tënd. Përfshihu! Kandido për në këshillin Bashkiak, ose në një parti politike".

Çfarë bëjmë ne të gjithë për mjedisin? Jemi ndër vendet e rralla në botë që nuk riciklojmë. Nuk dimë ku shkojnë plehrat tona dhe mbushim me plehra vendet më të bukura që na rrethojnë. Ja orientimi konkret dhe për këtë: "Riciklo! Veço materialet e përdorura, si plastikë, letër, pajisje elektronike dhe kërko nga Bashkia zbatimin e një programi për menaxhimin e mbetjeve të ngurta. Ndihmo të mbash pastër Shqipërinë! Organizohu dhe vepro për të ruajtur zbukuruar mjedisin në Shqipëri. Thuaj "Jo" paketimeve plastike. Përdor çanta pëlhure për të mbajtur ushqimet".
Këshilla konkrete dhe për arsimin. Kemi shumë për të rregulluar dhe në fushën e dijes që duket sikur i kemi dhënë prioritet me liberalizimin, por në të vërtetë kemi krijuar një xhungël plot korrupsion, pa rregulla e cilësi në treg.

Po për shëndetësinë? "Paguaj sigurimin tënd shëndetësor! Mos u jep para nën dorë mjekëve dhe infermierëve dhe denonco korrupsionin në spitale dhe klinika. E pastaj një apel për t'u kujdesur për ata që kanë më shumë nevojë, për të brishtët e shoqërisë shqiptare: Ofro gatishmërinë tënde për t'u kujdesur , një pasdite në muaj, për fëmijët jetimë në Maternitetin e Tiranës. Dhuro gjak! Çdo ditë nevojiten më shumë se 13.5 mililitra gjak për të rriturit dhe fëmijët talasemikë në Shqipëri".

Aktiviteti që do të organizohet të enjten nga ambasada amerikane në Tiranë është unikal në llojin e vet, i rëndësishëm në thjeshtësinë e mesazhit që shpërndan. Janë kërkesa elementare, që duhet të na bëjnë të skuqemi e të turpërohemi me veten, por kur të tjerët na i nënvizojnë, duhet të reflektojmë. Disa prej nesh me siguri do ta gjejnë veten te disa nga pikat, por jo tek të gjitha dhe këtu duhet të ndryshojmë. Ky Panair i qytetarëve është një tentativë e sinqertë dhe një dëshirë që kërkon të na zgjojë. Ta pranojmë: jemi një shoqëri e pandërgjegjësuar dhe nga kjo mungesë ndërgjegje, disa dinakë, në kurriz të më të dobtëve. Përfitojnë.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025

Valteri zbulon ‘paktin’ Berisha-Meta për zgjedhjet 2025