TIRANE-Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbështesin fuqimisht SPAK-un për të vendosur para ligjit zyrtarët e korruptuar dhe kriminelët. Ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim ka shpërndarë postimin e ambasadorit të BE-së, Luigi Soreca që takoi kreun e SPAK-ut, Arben Kraja, ndërsa shkruan se kjo strukturë duhet të ketë sukses. "SHBA mbështet fuqimisht sundimin e ligjit në Shqipëri. SPAK duhet të ketë sukses" thotë Kim. SHBA-ja ka qenë mbështetësja kryesore e miratimit dhe zbatimit të reformës në drejtësi në Shqipëri.
Ambasadori Soreca takoi paraditen e sotme Krajën në zyrën e tij, ndërsa takimin e cilësoi shumë produktiv. "Ne diskutuam për sfidat e SPAK si institucion i ri" tha Soreca. Diplomati shkruan gjithashtu se gjatë takimit "Kemi shkëmbyer mendime për rishpërndarjen e kompetencave me Prokurorinë e Përgjithshme dhe zyrat lokale, dhe zbatimin e ligjit të ri për masat parandaluese” shkruan Soreca. Pas ngritjes së Prokurorisë së Posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, tashmë pritet që të zgjidhet edhe drejtuesi i Byrosë Kombëtare të Hetimit, që do të jetë krahu i djathtë i SPAK-ut.