SHBA/ Trump dhe Harris përplasje për debatin e ardhshëm presidencial: Me mikrofona të hapur, apo jo?

Dy kandidatët për president, Nënpresidentja demokrate Kamala Harris dhe rivali i saj republikan, ish-Presidenti Donald Trump – nuk janë takuar dhe as kanë folur ndonjëherë me njëri-tjetrin, por ata po përplasen në lidhje me kushtet e përballjes së tyre të parë që po planifikohet për në 10 shtator.

Kur dy ekipet elektorale patën rënë dakord për debatin televiziv kombëtar prej 90-minutash në kanalin ABC News në qytetin lindor Filadelfia, ishte me të njëjtat kushte sipas të cilave ish-Presidenti Trump debatoi me Presidentin Joe Biden në fund të qershorit, me mikrofonat e mbyllur gjatë kohës kur fliste kandidati tjetër.

Tashmë, Nënpresidentja Harris po kërkon që të lihen mikrofonat ndezur gjatë gjithë debatit. Është një lëvizje që mund të çojë në shkëmbime më të gjalla dhe të drejtpërdrejta midis dy kandidatëve – ose në aq shumë shkëmbime sa që miliona shikues që priten ta ndjekin mund të kenë vështirësi të dëgjojnë pikëpamjet konkurruese të kandidatëve.

Brian Fallon, zëdhënës i fushatës së zonjës Harris, pohoi se "ndihmësat e Trump-it preferojnë mikrofonin e fikur, sepse ata nuk mendojnë se kandidati i tyre mund të tregohet presidencial për 90 minuta i vetëm". Ai tha se Nënpresidentja Harris "është e gatshme të merret me gënjeshtrat e vazhdueshme të Trump-it dhe ndërprerjet në kohë reale. Trump-i duhet të ndalojë së fshehuri pas butonit të heshtjes”.

Ish-Presidenti Trump duket se sinjalizoi se kjo nuk do të bënte ndonjë ndryshim të madh për të, duke u thënë gazetarëve të hënën: "Ramë dakord për të njëjtat rregulla. Nuk e di, nuk ka rëndësi për mua... Marrëveshja ishte se do të ishte njësoj si herën e kaluar. Në atë rast ishin të fikur”.

"E vërteta është se ata po përpiqen të dalin nga marrëveshja”, akuzoi ish-Presidenti Trump ekipin elektoral të Nënpresidentes Harris. Vetë zoti Trump sugjeroi në një postim të dielën në mbrëmje në platformën e tij "Truth Social", se ndoshta nuk do të paraqitet në debatin në kanalin ABC. Ish-Presidenti Trump shprehu pakënaqësinë e tij në lidhje me emisionin e lajmeve të së dielës së këtij rrjeti me një "të ashtuquajtur Panel të urrejtësve të Trump-it" dhe pyeti në mënyrë retorike: "Përse do ta bëja debatin kundër Kamala Harris-it në atë rrjet?" Ai u bëri thirrje mbështetësve që të presin për zhvillimet e mëtejshme.

Debati i 27 qershorit, mes ish-Presidentit Trump dhe Presidentit Biden luajti një rol kyç në fushatën presidenciale të këtij viti. Paraqitja e dobët e 81-vjeçarit Biden, me humbje të rrjedhës së mendimit dhe duke mos arritur ta sfidojë drejtpërdrejt ish-Presidentin Trump, shtyu aleatët demokratë në Kongres t’i kërkojnë atij t'i jepte fund fushatës për rizgjedhje. Ai u tërhoq nga kandidimi më 21 korrik dhe i dha mbështetjen Nënpresidentes Harris, ndërsa zyrtarët kryesorë demokratë përqafuan me shpejtësi kandidaturën e saj.

Zonja Harris dhe zoti Trump nuk janë takuar asnjëherë personalisht dhe nuk kanë biseduar ndonjëherë me telefon, edhe pse rregullisht bëjnë shkëmbime politike. Kur zoti Trump ishte president, zonja Harris ishte në sallë gjatë fjalimeve të tij për gjendjen e vendit të mbajtura në Dhomën e Përfaqësuesve, por e ulur në distancë nga podiumi ku mbajti fjalimin ish-Presidenti Trump.

Mikrofonat janë çaktivizuar për të dy kandidatët e partive kryesore në shumicën e debateve të mëparshme presidenciale.

Nëse miratohet kërkesa e zonjës Harris dhe mikrofonët nuk fiken gjatë gjithë debatit, perspektiva për shkëmbime të civilizuara midis dy kandidatëve ka të ngjarë të ketë më pak shanse.

Në vitin 2020, kur zoti Trump dhe zoti Biden debatuan për herë të parë, mikrofonët u mbajtën të hapur dhe kandidatët shpesh ndërprenë njëri-tjetrin dhe komentuan ndërsa fliste rivali. Analistët politikë e quajtën aktivitetin të dështuar dhe një nga debatet më të këqija presidenciale.

Debati i dytë i vitit 2020 me mikrofona të fikur u vlerësua gjerësisht si më thelbësor se përballja e mëparshme.

M.Q./E.H/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim

Kur kthimi në Shqipëri për të investuar, përfundon në zhgënjim