Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të premten se Stephen Miller, deri tani zëvendësshef i stafit të tij, do të marrë detyrën e shefit të stafit të Shtëpisë së Bardhë, duke zëvendësuar Susie Wiles - emri i së cilës u përdor edhe gjatë fushatës elektorale të Sali Berishës për të ushqyer mesazhin e afrimit me administratën amerikane.
Në një postim në rrjetin social Truth Social, Trump vlerësoi punën e Wiles, duke thënë se ajo kishte bërë një “punë të jashtëzakonshme”, ndërsa bëri të ditur se ajo do të kalojë në strukturën e quajtur “Trump Political Operation”, që merret me aktivitetet politike të tij.
Lajmi vjen pas një serie humbjesh të rëndësishme të republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit të vitit 2026, përfshirë humbjen e kontrollit të të dy dhomave të Kongresit amerikan.
Miller, i konsideruar si arkitekti i politikave të ashpra të Trump për emigracionin, ka qenë një nga aleatët më besnikë të presidentit. Ai shërbeu si këshilltar i lartë edhe gjatë mandatit të parë të Trump në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti bëri të ditur se Miller do të nisë detyrën e re të hënën.
Sipas një zyrtari amerikan, Susie Wiles ia paraqiti dorëheqjen Trumpit mbrëmjen e së enjtes. Në një deklaratë, ajo u shpreh se të qenit pjesë e ekipit të presidentit kishte qenë “nderi i jetës së saj”.
“Jam shumë krenare që kam qenë pjesë e gjithçkaje që kemi arritur së bashku, nga sigurimi i kufijve dhe ulja e taksave, te forcimi i ekonomisë dhe vendosja e interesave të Amerikës në plan të parë”, deklaroi Wiles, duke shtuar se, pavarësisht ndryshimit të rolit, përkushtimi i saj ndaj presidentit dhe misionit të tij do të mbetet i pandryshuar.
Wiles, 69 vjeçe, konsiderohet një nga figurat më me ndikim në administratën Trump dhe një prej njerëzve më të afërt me presidentin amerikan. Vetëm muajin e kaluar, kur u pyet nëse ajo mund të zëvendësohej së shpejti, Trump deklaroi se kjo kishte “zero mundësi”, duke shtuar se Wiles do të qëndronte në detyrë për një kohë të gjatë. Ajo kishte bërë publik edhe betejën e saj me kancerin, ndërsa në shtator njoftoi se sëmundja ishte në remision, gjashtë muaj pas diagnostikimit.
Emri i Susie Wiles mori vëmendje në Shqipëri gjatë fushatës për zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Berisha kishte angazhuar si këshilltar elektoral Chris LaCivitën, i cili kishte drejtuar së bashku me Wiles fushatën presidenciale të Trumpit. Berisha kishte lidhur një kontratë dyvjeçare prej 6 milionë dollarësh me firmën amerikane të lobimit Continental Strategy, në stafin e së cilës përfshihej Katie Wiles, vajza e shefes së stafit të Shtëpisë së Bardhë.
Këto lidhje profesionale dhe familjare shërbyen si sfond për mesazhin elektoral të afrimit me Uashingtonin. Episodi më i dukshëm ishte mitingu përmbyllës i PD-së në Shkodër, më 8 maj 2025, kur LaCivita dhe Berisha i uruan publikisht ditëlindjen Susie Wiles.
Berisha e prezantoi Wiles si bashkarkitekte të rikthimit të Trumpit në Shtëpinë e Bardhë dhe ftoi pjesëmarrësit të bashkoheshin me LaCivitën për t’i uruar jetë të gjatë e suksese. Urimi u bë tri ditë përpara votimit, duke e futur emrin e drejtueses së stafit presidencial amerikan në skenën e fushatës së opozitës shqiptare.
Ndërkohë, Stephen Miller ka qenë një nga figurat kryesore pas politikave më të debatueshme të Trump për emigracionin dhe dëbimet, si gjatë mandatit të parë, ashtu edhe gjatë mandatit aktual. Ai qëndroi pranë presidentit edhe pas humbjes së zgjedhjeve të vitit 2020 dhe u rikthye në Shtëpinë e Bardhë me të vitin e kaluar.
Largimi i Wiles nuk është i vetmi ndryshim në administratën amerikane pas zgjedhjeve të mesit të mandatit, të cilat kanë nxitur debate brenda Partisë Republikane për mënyrën se si duhet të reagojë ndaj pakënaqësisë së votuesve me agjendën e Trump.
Gjatë kësaj jave kanë dhënë dorëheqjen edhe disa zyrtarë të Departamentit të Drejtësisë, mes tyre John Eisenberg, drejtues i Divizionit të Sigurisë Kombëtare, si dhe Jason Reding Quiñones, i njohur për përfshirjen në hetimet lidhur me zyrtarët që kishin shqyrtuar mënyrën se si Trump kishte trajtuar dokumentet e klasifikuara.
-
Sala i ka fajet or teeeejjjjj
Përgjigju









Komente
Komento