Presidenti amerikan, Donald Trump ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë të SHBA-së, e cila me shumicë votash (6-3) rrëzoi tarifat e tij doganore të gjera të vendosura përmes ligjit të emergjencave kombëtare. Trump e cilësoi vendimin si “thellësisht zhgënjyes” dhe akuzoi gjyqtarët se janë “të ndikuar nga interesa të huaja”.
Në një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Bardhë, ai njoftoi se do të vendosë menjëherë një tarifë të re doganore globale prej 10% mbi importet, duke u mbështetur në nenin 122 të Aktit të Tregtisë së vitit 1974, i cili i jep presidentit të drejtën të vendosë tarifa deri në 15% për një periudhë 150-ditore pa miratimin e Kongresit.
Vendimi i Gjykatës së Lartë ka sjellë lehtësim për shumë biznese amerikane, të cilat prej muajsh ankoheshin për kostot e larta dhe pasigurinë e shkaktuar nga tarifat. Ish-nënpresidenti Mike Pence e përshëndeti vendimin, duke thënë se “familjet dhe bizneset amerikane mund të marrin frymë lirisht”.
Megjithatë, Trump ka paralajmëruar se nuk do të tërhiqet nga politika e tarifave doganore, duke e cilësuar atë si mjet për mbrojtjen e industrisë amerikane dhe si instrument të fuqishëm në politikën e jashtme.
Komente






