Kreu i PD-së, Sali Berisha e krahasoi protestën e sotme të thirrur prej tij me atë të 20 shkurtit të vitit 1991, por duket se ky krahasim është shumë larg.

Në pamjet origjinale të protestës së 20 shkurtit të vitit 1991, të ruajtura në Arkivin Qendror Shtetëror të Filmit, duket një masivitet shumë më i madh njerëzish, që nuk ka asnjë lidhje me protestën e sotme të Berishës.

Po ashtu nga pamjet duket se edhe energjia e pjesëmarrësve në protestë nuk është e njëjtë, pasi në protestën e sotme të Berishës kanë marrë pjesë vetëm një grusht militantësh, të cilët duket se nuk kanë asnjë lidhje me ‘nervin’ real të protestuesve të pakënaqur me qeverisjen.

Kujtojmë se në 20 shkurt të vitit 1991, në orën 14:10 pas përplasjesh me forcat e policisë dhe trupat speciale të Ministrisë së Brendshme, mijëra qytetarë arritën të rrëzonin monumentin e diktatorit Enver Hoxha në Sheshin Skënderbej, një zhvillim që do të shënjonte më pas edhe rrugëtimin politik të Shqipërisë.

Ndërsa ditën e sotme, në protestën e thirrur nga Berisha, kishte vetëm disa ithtarë që duket se kryenin akte dhune me porosi nga kupola drejtuese e PD-së, pa arritur asgjë konkrete në të mirë të vendit.