Gjatë seminarit “për etikën në gjyqësor”, të organizuar nga Ambasada Amerikane nuk janë shmangur tensionet mes palëve.“Reforma në drejtësi do jetë prioritet i qeverisë për 300 ditët e ardhshme, së shpejti do zhvillohet një konferencë kombëtare e gjyqësorit për reformën”, tha ministri Naço.

Ndërsa Cefa tha se: “Eshtë e papranueshme që përfaqësues politikë që duhet të reformojnë drejtësinë, mbajnë qëndrime që vetëm etike s’janë”. Zv/ ambasadori amerikan Henri Zhardin përmendi progres-raportin e BE që kërkon pastrimin e gjyqësorit nga të korruptuarit.

“Inspektorët duhet të hetojnë dyshimet që lindin për sjelljen e gjyqtarëve gjatë seancave gjyqësore. Është programi i parë për inspektimin. SHBA ka sjellë ekspertë shumë të mirë ndërkombëtarë të kësaj fushe dhe është e interesuar për një gjyqësor të pavarur e të lirë nga presioni politik.

Gjyqësori duhet të jetë i lirë e gjyqtarët të vetëkontrollohen për të luftuar korrupsionin e për të larguar nga radhët e tij gjyqtarët jo etikë e të korruptuar. Progres-raporti i BE kërkon pastrimin e gjyqësorit nga pjesa e gjyqtarëve, të paaftë, të korruptuar dhe të atyre që japin vendime me ndikim politik”.