Gjenevë u zhvillua sot samiti më i rëndësishëm diplomatik që nga nisja e luftës në Ukrainë, ku përfaqësuesit e SHBA-së, Rusisë, Ukrainës dhe BE-së diskutuan për fatin e planit amerikan me 28 pika për paqen.

Delegacioni ukrainas i udhëhequr nga Andriy Yermak zhvilloi takim me të dërguarin e SHBA-së Steve Witkoff dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se nesër delegatët në Gjenevë do të vazhdojnë të punojnë drejt një plani paqeje, ndërsa u shpreh optimist se do të arrihet një marrëveshje.

Nga ana tjetër, BE ka propozuar planin e saj për paqen në Ukrainë në takimet që u zhvilluan në Gjenevë. Kundërpropozimi i paqes ndaj Shteteve të Bashkuara i diskutuar sot në Gjenevë nga përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së dhe Ukrainës është përmbledhur në 24 pika.

Dokumenti i Trump për përfundimin e luftës përmbante 28 pika, të cilat kërkonin konkretisht lëshimin e rajoneve të Donetskut dhe Luhanskut nga Kievi dhe kthimin e Rusisë në G8. Konkretisht, dokumenti tregon se "të dyja palët në konflikt angazhohen për një ndërprerje të plotë dhe të pakushtëzuar të armiqësive në ajër, në tokë dhe në det".

Evropa gjithashtu u angazhua në takimin e Gjenevës, me udhëheqëit e Francës, Gjermanisë dhe Britanisë së Madhe të cilët dërguan këshilltarët e tyre të sigurisë. Bashkimi evropian përfaqësua nga shefi i kabinetit të presidentes së Komisionit Europian Ursula Von der Leyen, dhe bashkëpunëtorin kryesor të Presidentit të Këshillit evropian, Antonio Costa.

Ky i fundit, ka ftuar të 27 udhëheqësit e BE-së në një takim të posaçëm mbi Ukrainën, që do të mbahet të hënën në kuadër të samitit të Bashkimit Evropian-Bashkimit Afrikan. 

Presidenti i SHBA Donald Trump tha se lufta duhet që të përfundojë. "Lufta duhet të përfundojë në një mënyrë ose në një tjetër", u tha ai gazetarëve. Por ai u përgjigj "jo" kur u pyet nëse kjo ishte oferta e tij e fundit për Kievin, duke sugjeruar se ndoshta ka ende hapësirë dhe kohë për marrëveshjen.

Komenti i tij vjen ndërsa Ukraina dhe aleatët evropianë të Uashingtonit pohojnë se plani i paqes mund të shërbejë si bazë për bisedime, por kërkon "punë të mëtejshme".

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:55
Kievi: Të paktën 3 të vrarë në sulmin me dron rus në Kharkiv

1762242606_ukraine.ëebp

Kharkiv, në verilindje të Ukrainës, u sulmua nga dronët këtë mbrëmje, duke rezultuar në vdekjen e tre personave dhe plagosjen e dhjetë të tjerëve", sipas Oleg Synegubov, kreut të Administratës Shtetërore Rajonale të Kharkiv, dhe Igor Terekhov, Kryetarit të Bashkisë së Kharkiv, në mediat sociale. 

Të njëjtat burime raportuan se ndërtesat u goditën dhe një "zjarr shpërtheu në lagjen Shevchenkivskyi".

Ora 22:20
Zelensky: Ne kurrë nuk do të jemi pengesë për paqen

1763301155_volodymyrzelensky.ëebp

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky diskutoi punën që po zhvillohet aktualisht në Zvicër, duke theksuar se të gjithë po ofrojnë mbështetje dhe po japin këshilla.

Në një postim në X, ai më pas shtoi se ishte mirënjohës ndaj të gjithë atyre që po na ofrojnë këtë ndihmë Ukrainës. 

'Ukraina nuk ka dashur kurrë luftë dhe ne nuk do të jemi kurrë pengesë për paqen. Diplomacia është rigjallëruar dhe kjo është pozitive. Ne presim që rezultati të çojë në hapat e duhur. Dhe përparësia kryesore është paqja e besueshme, siguria e garantuar, respekti për popullin tonë dhe respekti për të gjithë ata që dhanë jetën e tyre duke mbrojtur Ukrainën nga agresioni rus. Miliona ukrainas mbështesin qartë qëndrimin e shtetit tonë. Është i prekshëm. Ekziston mbështetje e fortë për pavarësinë dhe sovranitetin tonë ukrainas. Qytetarët duhet të përfitojnë nga të gjitha vendimet politike", tha ai.

Ora 21:21
Bisedimet në Gjenevë për Ukrainën, Rubio: Do vijojnë nesër, jam optimist se do të arrijmë diçka

1763929458_aa.JPG

Bisedimet në Gjenevë për Ukrainën janë mbyllur. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, ka thënë se nesër, delegatët në Gjenevë do të vazhdojnë të punojnë drejt një plani paqeje.

'Procesi për të negociuar atë plan ka qenë në vazhdim gjatë tre javëve të fundit, por është përshpejtuar ndjeshëm në 96 orët e fundit, shton ai.

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha se ishte "shumë optimist" pas një dite diskutimesh me zyrtarë ukrainas dhe evropianë në Gjenevë mbi një propozim për t'i dhënë fund luftës në Ukrainë.

"Mendoj se kemi bërë përparim të jashtëzakonshëm. Ne kemi bërë vërtet përparim, kështu që jam shumë optimist se do të arrijmë atje në një afat kohor të arsyeshëm, shumë shpejt", tha ai. 

Ora 21:10
Media: Evropianët bien dakord ta ftojnë Rusinë në G8 nëse plani miratohet

1761334755_aa.JPG

Aleatët evropianë të Kievit thuhet se kanë rënë dakord ta ftojnë përsëri Rusinë në G8 nëse plani i paqes miratohet nga Shtetet e Bashkuara, Rusia dhe Ukraina, dhe G7 jep dritën jeshile.

Disa media ndërkombëtare, përfshirë Tass dhe Sky Neës, e raportuan këtë. Rusia u përjashtua nga G8 pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014.

Ora 20:17
Vazhdojnë negociatat në Gjenevë për Ukrainën, Rubio: Po bëjmë disa ndryshime në plan pas bisedimeve me Kievin

1752052739_marcorubio.JPG

Negociatat midis delegacioneve të pranishme në Gjenevë për të diskutuar planin e paqes për Ukrainën do të vazhdojnë në orët në vijim. Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, e deklaroi këtë, duke shpjeguar se ekipi i Uashingtonit po bën "disa rregullime" në plan.

"Ekipet tona tani janë në dhomat e tyre duke punuar mbi disa nga sugjerimet që na janë ofruar, kështu që po punojmë, duke bërë disa rregullime me shpresën për të ngushtuar më tej dallimet dhe për t'iu afruar diçkaje që si Ukraina ashtu edhe, natyrisht, Shtetet e Bashkuara e mbështesin plotësisht', tha ai. 

Ora 18:49
Samiti në Gjenevë/ 24 pikat e plan-propozimit të BE për paqen në Ukrainë

1754399883_bashkimievropian.jpg

BE ka propozuar planin e saj si një kornizë marrëveshjeje për paqen në Ukrainë në takimet që po zhvillohen në Gjenevë. Kundërpropozimi i paqes (ndaj Shteteve të Bashkuara) i diskutuar sot në Gjenevë nga përfaqësuesit e BE-së, SHBA-së dhe Ukrainës është përmbledhur në 24 pika.

Propozimi me 24 pika për paqe i BE-së:

Ndërprerja e luftimeve
    1.    Përfundimi i luftës dhe marrëveshje për të garantuar që ajo të mos përsëritet, duke vendosur një bazë të përhershme për paqe dhe siguri afatgjatë.
    2.    Të dyja palët në konflikt angazhohen për një armëpushim të plotë dhe të pakushtëzuar në ajër, tokë dhe det.
    3.    Të dyja palët nisin menjëherë negociatat për zbatimin teknik të monitorimit të armëpushimit, me pjesëmarrjen e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve evropiane.
    4.    Futet monitorimi ndërkombëtar i armëpushimit i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, nga partnerët e Ukrainës. Monitorimi do të jetë kryesisht në distancë, duke përdorur satelitë, dronë dhe mjete të tjera teknologjike, me një komponent fleksibël në terren për të hetuar shkeljet e dyshuara.
    5.    Do të krijohet një mekanizëm përmes të cilit palët mund të paraqesin raportime të shkeljeve të armëpushimit, të hetojnë shkeljet dhe të diskutojnë masa korrigjuese.

Çështjet humanitare dhe masat e ndërtimit të besimit
    6.    Rusia do të riatdhesojë pa kushte të gjithë fëmijët ukrainas të deportuar dhe të zhvendosur në mënyrë të paligjshme. Procesi do të mbështetet nga partnerët ndërkombëtarë.
    7.    Palët në konflikt shkëmbejnë të gjithë të burgosurit e luftës (sipas parimit “të gjithë për të gjithë”). Rusia liron të gjithë të ndaluarit civilë.
    8.    Pasi të garantohet mbajtja e armëpushimit, palët marrin masa për ndihmë humanitare, përfshirë vizitat e familjarëve përgjatë vijës së kontaktit.

Sovraniteti dhe garancitë e sigurisë
    9.    Sovraniteti i Ukrainës respektohet dhe rikonfirmohet. Ukraina nuk detyrohet të mbetet neutrale.
    10.    Ukraina merr garanci të forta sigurie, detyruese juridikisht, përfshirë edhe nga SHBA (marrëveshje e ngjashme me nenin 5 të NATO-s) për të parandaluar agresione të ardhshme.
    11.    Nuk ka kufizime të vendosura mbi Forcat Mbrojtëse të Ukrainës dhe industrinë e mbrojtjes, përfshirë bashkëpunimin ndërkombëtar.
    12.    Shtetet garantuese do të jenë një grupim ad hoc i vendeve evropiane dhe vendeve jashtë Evropës që janë të gatshme të marrin pjesë. Ukraina është e lirë të vendosë për praninë, armatimin dhe operacionet e forcave miqësore të ftuara nga qeveria ukrainase në territorin e saj.
    13.    Anëtarësimi i Ukrainës në NATO varet nga konsensusi brenda Aleancës.
    14.    Ukraina bëhet anëtare e BE-së.
    15.    Ukraina është e gatshme të mbetet një shtet jo-bërthamor në kuadër të Traktatit për Mos-përhapjen e Armëve Bërthamore (NPT).

Territori
    16.    Çështjet territoriale do të diskutohen dhe zgjidhen pas një armëpushimi të plotë dhe të pakushtëzuar.
    17.    Negociatat territoriale nisin nga linja aktuale e frontit.
    18.    Pasi të jenë dakorduar çështjet territoriale, si Rusia ashtu edhe Ukraina angazhohen të mos i ndryshojnë ato me forcë.
    19.    Ukraina rimerr kontrollin e centralit bërthamor të Zaporizhzhias (me përfshirjen e SHBA-së) dhe digës së Kakhovkës. Do të krijohet një mekanizëm për transferimin e kontrollit.
    20.    Ukraina gëzon kalime të pakufizuara në lumin Dnipro dhe kontrollin e ngushticës së Kinburn-it.

Ekonomia, rimëkëmbja dhe reparacionet
    21.    Ukraina dhe partnerët e saj zbatojnë një bashkëpunim ekonomik pa kufizime.
    22.    Ukraina do të rindërtohet plotësisht dhe do të kompensohet financiarisht, përfshirë nga asetet sovrane ruse që do të mbeten të ngrira derisa Rusia të dëmshpërblejë dëmet e shkaktuara ndaj Ukrainës.
    23.    Sanksionet e vendosura ndaj Rusisë që prej vitit 2014 mund t’i nënshtrohen një lehtësimi gradual dhe të pjesshëm pas arritjes së një paqeje të qëndrueshme. Këto sanksione mund të rikthehen nëse shkelet marrëveshja e paqes.

Arkitektura e sigurisë evropiane
    24.    Do të nisin bisedime të veçanta për Arkitekturën e Sigurisë Evropiane, ku do të përfshihen të gjitha shtetet e OSBE-së.

Ora 18:20
Zelensky bisedon me Macronin: Ekipet tona në Gjenevë po punojnë për rezultate konkrete

1763918817_a.JPG

Presidenti i Ukrainës Volodymir Zelensky ka biseduar me homologun francez Emmanuel Macronin.

Zelensky thotë se ekipet në Gjenevë po punojnë që të arrijmë rezultate konkrete për paqen.

"Fola me Presidentin Francez Emmanuel Macron. Ekipet tona në Gjenevë po punojnë me partnerë dhe është shumë e rëndësishme që të arrijmë rezultate konkrete dhe që këto ta sjellin Ukrainën dhe të gjithë Evropën më afër paqes dhe sigurisë së besueshme. Ne po koordinojmë qëndrimet tona dhe është e rëndësishme që të ketë dialog, që diplomacia të jetë rigjallëruar. Ne mbështetemi te partnerët tanë që të dëgjojnë argumentet tona", shkruan presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky në X.

Ora 18:18
Rubio: Ky është takimi më produktiv që kemi pasur deri më tani për Ukrainën

1758008489_marcorubio.avif

Takimet e sotme ishin më produktivet deri më tani në të gjithë këtë proces, që kur kemi qenë të përfshirë që nga fillimi' tha Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, në Gjenevë, lidhur me samitin që po zhvillohet atje, ku përfaqësuesit e SHBA-së, Rusisë, Ukrainës dhe BE-së do të diskutojnë për planin amerikan me 28 pika për paqen.

"Kemi një produkt të shkëlqyer pune, të ndërtuar tashmë mbi kontributin e të gjitha palëve të përfshira, dhe tani kemi qenë në gjendje të adresojmë disa nga këto pika, pikë për pikë. Dhe mendoj se kemi bërë përparim të mirë. Ekipet tona tani janë në dhomat e tyre ndërsa po punojmë mbi disa nga sugjerimet që janë ofruar', tha ai. 

Ora 17:55
Moska: Aeroportet ushtarake të Kievit në Odessa dhe Chernihiv u sulmuan

1758993371_aa.JPG

Forcat ushtarake ruse kanë kryer sulme pranë aeroporteve të Forcave të Armatosura të Ukrainës në rajonet e Odesës dhe Çernihivit. Sergei Lebedev, koordinator i rezistencës pro-ruse në Mykolaiv, i tha RIA Novosti.

"Artsyz (rajoni i Odesës)", deklaroi ai, "u godit gjatë natës nga një breshëri e rëndë predhash të drejtuara drejt aeroportit ku Forcat e Armatosura të Ukrainës stërvisin pilotë të avionëve të lehtë dhe lëshojnë dronë. Në periferi të Çernihivit, një sulm shënjestroi një ish-aeroport, që tani përdoret nga Forcat e Armatosura të Ukrainës për të lëshuar dronë".

Ora 16:42
Kievi: Version i ri i planit për paqen me prioritetet tona

1755541762_AA.JPG

Versioni i ri i planit të paqes të SHBA-së pasqyron "shumicën e prioriteteve kryesore të Ukrainës", sipas një anëtari të delegacionit ukrainas që merr pjesë në bisedimet në Gjenevë me SHBA-në dhe vendet e BE-së mbi planin 28-pikësh për t'i dhënë fund luftës me Rusinë.

"Versioni aktual i dokumentit, megjithëse është ende në fazat përfundimtare të miratimit, tashmë pasqyron shumicën e prioriteteve kryesore të Ukrainës", tha në Facebook Rustem Umerov, kreu i Këshillit të Sigurisë së Ukrainës.

Ora 15:41
Von der Leyen: Roli qendror i BE-së duhet të njihet plotësisht

1761286529_ursulavonderleyen.JPG

Roli qendror i Bashkimit Evropian duhet të njihet plotësisht në çdo plan paqeje për Ukrainën, deklaroi Presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në një deklaratë.

"Besueshmëria dhe qëndrueshmëria e një plani paqeje varen nga aftësia e tij për t'i dhënë fund masakrave dhe luftës, pa mbjellë farat e konfliktit të ardhshëm. Ukraina duhet të ketë lirinë dhe të drejtën sovrane për të zgjedhur fatin e saj. Dhe ajo ka zgjedhur një fat evropian', tha ajo.

Ora 15:41
Trump: Kievi mosmirënjohës, Evropa vijon të blejë naftë ruse

1761421123_donaldtrump.JPG

Teksa në Gjenevë ekipet negociatore po zhvillojnë diskutime mbi planin e tij me 28 pika për paqen në Ukrainë, Presidenti amerikan Donald Trump shpërndau në rrjetin social Truth një status, ku shkruan akuza edhe ndaj Kievit zyrtar edhe ndaj Evropës. Lidershipi ukrainas ka shprehur zero mirënjohje për ndihmën amerikane thotë Trump, ndërsa Evropa siç shkruan, vijon të blejë naftë ruse. 

 

 

Ora 15:36
Zelensky: Plani mund të përfshijë pika kyçe për ne

1762929104_volodymyrzelensky.jpeg

Presidenti ukrainas, në një postim në X, parapriu përmbajtjen e disa pikave të diskutuara gjatë këtyre orëve në samitin e Gjenevës:
«Nga anëtarët e delegacionit tonë në Gjenevë kanë mbërritur tashmë përmbledhje të shkurtra mbi rezultatet e takimeve dhe bisedimeve të para. Aktualisht, ekziston mirëkuptimi se propozimet amerikane mund të përfshijnë një sërë elementesh të bazuara në pozicionet ukrainase dhe që janë thelbësore për interesat kombëtare të Ukrainës» shkruan Zelensky në X.

 

Ora 13:38
CNN: E paqartë nëse do të ketë takim me të gjitha palët në Gjenevë

1763907480_hotelintercontinentalgjeneve.JPG

Është ende e paqartë në këtë fazë nëse delegacionet nga Ukraina, SHBA-ja dhe aleatët evropianë do të takohen të gjithë së bashku për bisedimet në Gjenevë, ka thënë për CNN një diplomat perëndimor. Shqetësimi, sipas burimit, është se përfaqësuesit amerikanë “nuk do të na lejojnë ne (delegacionet evropiane) të hyjmë në takim”. Përveç delegacioneve të SHBA-së dhe Ukrainës, në Gjenevë për bisedime janë edhe përfaqësues nga NATO-ja, BE-ja, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia dhe Kanadaja, tha diplomati. Shefi i delegacionit të Ukrainës ka konfirmuar se delegacioni ukrainas ka zhvilluar takimin e parë me zyrtarë nga Mbretëria e Bashkuar, Gjermania dhe Franca, dhe se takimi i radhës do të mbahet me përfaqësuesit amerikanë.

 

Ora 13:32
Takim me Putin, Erdogan: Do bisedoj nesër me të

1763901401_erdogandoflasmeputin.JPG

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan deklaroi se nesër do të flasë me homologun rus Vladimir Putin. Presidenti Erdoğan foli në një konferencë për shtyp pas Samitit të Liderëve të G20-s. Duke njoftuar se nesër do të zhvillojë një takim me Putinin, Erdogan tha: Si Turqi, do të bëjmë gjithçka që mundemi për paqen. Para konferencës, Erdogan zhvilloi gjithashtu takime të njëpasnjëshme me udhëheqës të vendeve të ndryshme.

Ora 13:28
Zelensky: Shpresoj të kemi rezultate nga bisedimet e Gjenevës

1763901016_zelenskybisedimet.JPG

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi të dielën se forcat ukrainase, amerikane dhe evropiane janë në kontakt të ngushtë gjatë bisedimeve në Gjenevë dhe ai shpreson që “të arrihet një rezultat”. “Gjaku duhet të ndalet dhe duhet të sigurojmë që lufta të mos rinisë më kurrë. Pres rezultatet e bisedimeve të sotme dhe shpresoj që të gjithë pjesëmarrësit të jenë konstruktivë. Të gjithë kemi nevojë për një përfundim pozitiv,” deklaroi Zelensky në X.

 

Ora 12:05
Delegacioni ukrainas takohet me evropianët përpara samitit me SHBA

1763898783_hotelintercontinentalgjeneve.JPG

Delegacioni ukrainas që ndodhet në Zvicër për të diskutuar planin e presidentit Donald Trump për t’i dhënë fund luftës me Rusinë ka zhvilluar në mëngjes një takim të parë me përfaqësues të Francës, Gjermanisë dhe Mbretërisë së Bashkuar. Këtë e ka bërë të ditur në Telegram Andri Yermak, kreu i delegacionit, duke shtuar se “mbledhja e radhës do të zhvillohet me delegacionin amerikan”.

 

Ora 11:56
Në Gjenevë diskutime për paqen, në Ukrainë, Moska njofton pushtimin e 3 qyteteve

1763895928_raketahedhes.JPG

Ushtria ruse njoftoi këtë të dielë se ka pushtuar edhe tre qytete të tjera në Ukrainën lindore, ku ka epërsi ndaj trupave ukrainase, ndërsa ukrainasit, evropianët dhe amerikanët po takohen në Zvicër për të diskutuar planin e Donald Trump. Ministria ruse e Mbrojtjes raportoi kapjen e Petrivske-s në rajonin e Donetskut (lindje), ku po zhvillohet pjesa më e madhe e luftimeve, dhe të Tikhe-s dhe Otradne-s në rajonin e Dnipropetrovskut (qendër-lindje), ku trupat e saj hynë gjatë verës dhe po avancojnë me shpejtësi. Ushtria ukrainase po përballet me vështirësi në front; aktualisht po lufton për të mbajtur disa bastione në frontin lindor dhe ka filluar të tërhiqet në disa zona të veriut dhe jugut të vendit, ku vijat e frontit kishin mbetur të pandryshuara për disa muaj.

 

Ora 10:27
Samiti për paqen në Ukrainë, Rubio mbërrin në Gjenevë, BE përfaqësohet me krahun e djathtë të Von Der Leyen

1763890306_seliaamerikanenegjeneve.JPG

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka mbërritur në Gjenevë për samitin ndërmjet Shteteve të Bashkuara, BE-së dhe Ukrainës për të diskutuar planin e paqes të propozuar nga Trump. Bisedimet në Gjenevë për paqen në Ukrainë do të zhvillohen në nivel këshilltarësh të sigurisë kombëtare: Bjoern Seibert, shefi i kabinetit të presidente­s së Komisionit Europian Ursula von der Leyen, pritet të përfaqësojë BE-në së bashku me Pedro Lourtie, bashkëpunëtori kryesor i presidentit të Këshillit Europian, António Costa. Kështu shkruan Politico. Ndër të tjera, evropianët pritet të ushtrojnë presion mbi ekipin e Donald Trump që të zbusë propozimin e tij për t’i lënë Rusisë territorin e rajonit të Donbasit, në Ukrainën lindore. Ata do të donin që çdo armëpushim të bazohej në parimin që konflikti të mbetet i ngrirë përgjatë “linjës aktuale të kontaktit”, por vetëm për të mundësuar fillimin e bisedimeve, jo si zgjidhje përfundimtare.